HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


14. Ibrahim

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

14:1.        Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhërin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; (t’i nxjerrësh prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit.

14:2.        Të All-llahut, i të cilit është gjithë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Është mjerim për mohuesit për dënimin e ashpër që i pret.

14:3.        Ata që i japin përparësi jetës së kësaj bote ndaj botës tjetër, pengojnë nga rruga e All-llahut dhe kërkojnë shtrembërimin e saj. Të tillët qartas janë në humbje.

14:4.        Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtuqë ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë). E All-llahu e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Ai është i fuqishmi, i urti.

14:5.        Ne e patëm dërguar Musain me argumentet tona (dhe i thamë); nxirre popullin tënd prej errësirave në dritë dhe përkujtoju atyre të mirat e All-llahut (që u dhuroi), se vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.

14:6.        (përkujto) Kur Musai i tha popullit të vet: “Përkujtojeni dhuntinë e All-llahut ndaj jush; kur ju shpëtoi prej rrethit të faraonit që ju shijonin dënimin më të shëmtuar, ju mbytnin bijtë tuaj, e lënin gratë tuaja të jetojnë. Në ato kishit sprovë të madhe nga Zoti juaj.”

14:7.        Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtojë të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”

14:8.        E Musai tha: “Nëse ju, dhe të gjithë ata që janë në tokë mohoni, All-llahu është i panevojshëm (për falënderim), i lavdishëm (vetvetiu)”.

14:9.        A nuk jeni të njohur me lajmin (ndodhinë) e atyre që ishin para jush, si populli i Nuhut, i Adit, i Themudit e edhe i atyre që erdhën pas tyre, që nuk di kush për ta pos All-llahut. Atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me argumente, ata i vënin duart e tyre (në shenjë talljeje) në gojët e veta dhe thonin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni të dërguar dhe ne dyshojmë shumë në atë që ju na thërrisni”.

14:10.      Të dërguarit e tyre u thanë: “A mos keni dyshim në All-llahun, Krijuesin e qiejve e të tokës? Ai ju thërret (në besim) për t’ju falur mëkatet dhe për t’ju vazhduar (jetën) deri në një afat të caktuar!” Ata thanë: “Ju nuk jeni tjetër pos njerëz siç jemi edhe ne, ju dëshironi të na pengoni nga ajo që adhuronin prindërit tanë, pra na sillni ndonjë argument të qartë!”

14:11.      Të dërguarit e tyre ju thanë: “Ne nuk jemi tjetër vetëm se njerëz si edhe ju, por All-llahu i jep dhuratë kujt të dojë nga robtë e vet. Ne nuk na takon t’ju sjellim ndonjë argument, vetëm me dëshirën e All-llahut, pra, besimtarët le t’i mbështeten vetëm All-llahut.

14:12.      E përsë të mos i mbështetemi All-llahut derisa Ai na udhëzoi në rrugën tonë (të drejtë). Për Zotin, ne gjithsesi do të durojmë e do të përballojmë mundimet që na bëni, e vetëm All-llahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që gjithnjë iu mbështeten.

14:13.      Ata që mohuan të dërguarit e vet thanë: “Për Zotin, ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë, ose ju domosdo do të ktheheni në fenë tonë!” E atyre (të dërguarëve) Zoti u shpalli; Ne gjithqysh do t’i shkatërrojmë zullumqarët.

14:14.      Dhe pas tyre Ne do t’ju vendosim në atë tokë. E këtë (ndihmë) për atë që i frikësohet pranisë Sime dhe i frikësohet dënimit Tim.

14:15.      Ata (të dërguarit) e kërkuan ndihmën, ndërsa çdo kryelartë idhnak pësoi dështim.

14:16.      E pas tij (kryelartit) është xhehenemi, në të cilin i jepet ujë të ndyrë (që rrjedh prej lëkurave të djegura),

14:17.      Përpiqet ta përbijë, po nuk mund ta gëlltis atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët (sipas shenjave shkatërruese), po ai nuk vdes (e të shpëtojë prej vuajtjeve), atë e pret dënim shumë i rëndë.

14:18.      Shembulli i veprave të atyre që nuk besuan është si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh era në ndonjë ditë të stuhishme, e ata nuk mund të realizojnë asgjë nga veprat që kanë bërë, e ky është ai dështimi i madh.

14:19.      A nuk e ke kuptuar ti se All-llahu krijoi qiejt dhe tokën me urtësi, e nëse ai do, juve ju zhduk e sjell krijesë (popull) të re.

14:20.      E kjo, nuk është vështirë (rëndë) për All-llahun.

14:21.      E të gjithë (njerëzit) sheshas i paraqiten All-llahut. Ata të dobëtit (masa e nënshtruar) u thonë parisë (udhëheqëse): “Ne ishim pasuesit tuaj, andaj a mund të na lehtësoni diç nga dënimi i All-llahut?” Ata (paria) thonë: “Sukur të na kishte udhëzuar All-llahu, ne do t’ju udhëzonim juve. Për ne tash është njësoj, u pikëlluam thellë ose duruam, për ne nuk ka ikje (shpëtim).

14:22.      E pasi të kryhet çështja (të hyjnë ata të xhennetit dhe të xhehenemit në të, xhehenemlinjve) djalli (u mban ligjëratën e shëmtuar), dhe u thotë: “Vërtet, All-llahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe, qe, nuk zbatova premtimin ndaj jush. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t’ju detyroj), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m’u përgjigjët; atëherë, pra mos më qortoni mua, po qortojeni veten. Unë nuk mund t’ju shpëtojë juve, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që më bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)”. S’ka dyshim, jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm.

14:23.      E ata, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, me urdhërin e Zotit të tyre u vendosën në xhennete, nën pallatet e të cilëve rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Përshëndetja e tyre në të është “selam” - paqe.

14:24.      A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart,

14:25.      E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. All-llahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtuqë ata të mendojnë.

14:26.      Dhe shembulli i fjalës së keqe si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.

14:27.      All-llahu forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët All-llahu i bën të humbur. All-llahu punon çka të dojë.

14:28.      A nuk i vërejte ata që dhuntinë e All-llahut e ndërruan me mosbesim dhe popullin e vet e sollën në vendin e shkatërrimit,

14:29.      (e sollën) Në xhehenem. Në të e shijojnë djegien, e sa vend i keq është ai.

14:30.      Ata i bënin (krahasonin) shokë All-llahut për t’i shmangur (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Shfrytëzoni përjetimet se e ardhmja e juaj është te Zjarri!”

14:31.      Robëve të Mi, të cilët besuan thuaju: “Të falin rregullisht namazin dhe me atë që i furnizuam ata, të japin fshehtas e haptas, para se të vijë një ditë që në te nuk ka as kompensim as miqësi”.

14:32.      All-llahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhërin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë.

14:33.      Për ju nënshtroi diellin dhë hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën.

14:34.      Dhe ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut nuk do të mundë të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.

14:35.      (përkujto) Kur Ibrahimi tha: “Zoti im! bëne këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh).

14:36.      Zoti im! ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua, ai është i mi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je që fal dhe që mëshiron.

14:37.      Zoti ynë! unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoj ata me fruta.

14:38.      Zoti ynë! s’ka dyshim se Ti e di çka fshehin dhe çka publikojmë, se All-llahut nuk mund t’i fshihet asnjë send në tokë e as në qiell.

14:39.      Falënderimi i qoftë All-llahut, i cili në pleqëri më fali mua Ismailin dhe Is-hakun! Vërtet, Zoi im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes.

14:40.      O Zoti im! më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mijë dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë!

14:41.      Zoti ynë! më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.

14:42.      E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur).

14:43.      (atë ditë) Ata të ngutur e duke i ngritur kokat e tyre lart, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika).

14:44.      Dhe ti tërhiqju vërejtjen njerëzve për ditën kur atyre do t’u vijë dënimi, e ata që ishin mizorë thonë: “Zoti ynë! na jep afat për një kohë të shkurtër t’i përgjigjemi thirrjes tënde (për besim) dhe t’i pasojmë të dërguarit!” A nuk u betuat ju më parë se për ju nuk ka lëkundje (prej dunjasë në botën tjetër)?

14:45.      Dhe ju u vendosët në vendbanimet e atyre që e dëmtuan vetveten (e Ne i shkatërruam) dhe e kishit të qartë se si vepruam Ne me ta, dhe ju sollëm shembuj edhe juve.

14:46.      (megjithatë) Ata përgatitën kurthin e tyre, por kurthi i tyre gjendet në duar të All-llahut, qoftë ai kurthi i tyre që shkulën edhe kodrat nga ai.

14:47.      E kurrsesi mos mendo se All-llahu e shkel prëmtimin e vet, që u dha të dërguarëve të Tij. All-llahu është triumfues që ndërmerr masa ndëshkuese.

14:48.      (ndëshkon kundërshtarët) Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para All-llahut, Një, Mbizotërues.

14:49.      E idhujtarët atë ditë i sheh të lidhur në pranga.

14:50.      Petkat e tyre janë nga katrani (pezhgveja - zifti), kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë zjarri.

14:51.      (dalin para Zotit) Për ta shpërblyer All-llahu secilin njeri me atë që e fitoi. Vërtet, All-llahu është llogaritar i shpejtë.

14:52.      Ky (Kur’ani) është kumtesë për njerëz, që me të të këshillohen dhe të dinë se Ai është vetëm një Zot, dhe që t’i këshilloj ata që kanë mend.