| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
21:1. Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi nuk përgatiten fare për të.
21:2. Atyre nuk u vjen asnjë këshillë e re (në Kur’an) nga Zoti i tyre, e që ata të mos tallen me të duke e dëgjuar.
21:3. Të shmangura nga e vërteta janë zemrat e tyre. Ata që janë zullumqarë dhe duke biseduar fshehtas (thonë): “A mos është ky (Muhammedi) diç tjetër pos njeri, sikurse edhe ju, pra a do t’ia pranoni magjinë e tij kur ju po e dini?”
21:4. Ai (Muhammedi) tha: “Zoti im di për thënien që thuhet në qiell e në tokë (pra di edhe për bisedën tuaj), Ai është më dëgjuesi, më i dijshmi!”
21:5. Ata madje thanë: “(për Kur’anin) Ëndërra të përziera, madje thanë se ai (Muhammedi) vet e trilloi, ai është poet! Le të na e sjellë një mrekulli ashtu si u dërguan të mëparëshmit (me mrekulli)!”
21:6. Banorët e qyteteve para tyre nuk i besuan (mrekullitë), prandaj Ne i shkatërruam, a mos do të besojnë këta?
21:7. Ne edhe para teje nuk dërguam tjetër pos burra, të cilëve u dhamë shpallje, e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm.
21:8. Ne nuk i bëmë ata (pejgamberët) trupa që nuk hanë ushqim e as nuk ishin të përjetshëm (të pavdekshëm).
21:9. Ne u plotësuam pastaj premtimin, i shpëtuam ata dhe kë dëshiruam Ne, ndërsa ata që kaluan çdo kufi, i zhdukëm.
21:10. A nuk e kuptoni se Ne ua shpallëm librin në të cilin gjendet krenaria e juaj?
21:11. Ne shpartalluam sa vendbanime që ishin mizore, e ne vend të tyre sollëm popull tjetër.
21:12. E ata kur e hetonin forcën e dënimit tonë, iknin me shpejtësi.
21:13. (atëherë atyre u thuhej) Mos ikni, po kthehuni në begatitë dhe në vendbanimet tuaja se ndoshta do të mund të merreni vesh (e gjithë kjo ishte një ironi kundër tyre).
21:14. Ata thonin: “O shkatërrimi ynë, vërtet ne ishim zullumqarë!”
21:15. Mjerimi i tyre vazhdoi ashtu derisa i bëmë të korrur e të ftohur (të vdekur).
21:16. Ne nuk e krijuam qiellin, tokën e çdo gjë çka mes tyre shkel e shko (pa qëllim të caktuar).
21:17. Sikur të kishim dashur të zbavitemi dhe sikur të donim ta bënim atë, Ne do të zbaviteshim në kompetencën Tonë, por Ne nuk bëmë atë.
21:18. Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket. E juve (jobesimtarëve) u takon shkatërrimi, për atë që i përshkruani (Zotit, si fëmijë etj.).
21:19. Vetëm e Tij është çdo gjë që është në qiej e tokë! E ata që janë pranë Tij (melaiket), nuk shprehin mendjemadhësi në adhurim ndaj Tij, e as nuk u bëhet (ibadeti) monoton.
21:20. Ata lartësojnë (All-llahun) natë e ditë dhe nuk mërziten.
21:21. A mos morën ata zota prej toke që mund të ringjallin (të vdekurit)?
21:22. Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos All-llahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është All-llahu, Zot i Arshit.
21:23. Ai nuk pyetet se çka punon, po ata, (njerëzit), pyeten.
21:24. A përvetësuan ata zota tjerë pos Tij? Thuaj: “Sillne argumentin tuaj? Ky (Kur’ani) është argument për këta që tani janë me mua dhe për ata që ishin para meje, por shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, andaj edhe nuk vështrojnë.
21:25. Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!”
21:26. E ata thanë: “I Gjithmëshirshmi ka fëmijë!” Larg saj qoftë madhëria e Tij! Ja ata janë rob të ndershëm!
21:27. Që nuk flasin para Tij, ata veprojnë me urdhërin e Tij.
21:28. Ai (All-llahu) e di çka vepruan më parë dhe çka do të veprojnë, dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej tij janë të pakujdesshëm.
21:29. Ndërsa, kush thotë prej tyre se unë jam zot pos Tij, ndëshkimi për të është Xhehennemi. Kështu i ndëshkojmë Ne zullumqarët.
21:30. A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?
21:31. Dhe në të (tokë) Ne kemi krijuar bjeshkë të paluhatshme që të mos i lëkundë ata, dhe nëpër to kemi bërë lugina e rrugë në mënyrë që ata të dinë të orientohen.
21:32. Qiellin ua kemi bërë kulm të sigurt, por ata zbrapsen prej atyre argumenteve.
21:33. Ai është që krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë.
21:34. Ne, asnjë njeri para teje (Muhammed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë?
21:35. Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.
21:36. E kur të shohin ty ata që nuk besuan, nuk të marrin ndryshe vetëm se në tallje (duke thënë): “A ky është ai që përgojon zotët tuaj!” E ata përmendjen e Mëshiruesit (Rrahman) e mohojnë.
21:37. Njeriu nga vet natyra e tij është i ngutshëm, e Unë do t’ua tregoj juve masën Time ndëshkuese, pra mos kërkoni t’u vie më shpejtë.
21:38. Ata thanë: “Kur do të jetë ai premtim (me dënim) nëse e thoni të vërtetën?”
21:39. Sikur ta dinin ata që nuk besuan se atëherë nuk do të mund ta largojnë zjarrin as nga fytyrat e tyre e as nga shpinat, e as që do të ndihmohen (nuk do të ishin jobesimtarë).
21:40. Por atyre do t’u vijë befas, do t’i tronditë ata, e atëherë as nuk mund ta largojnë dhe as nuk jepet afat.
21:41. Në të vërtetë, janë bërë përqeshje edhe me të dërguarit tjerë para teje, ata që u tallën me ta, i përfshiu ajo me çka talleshin.
21:42. Thuaj: “Kush u mbron juve prej (dënimit të) të Madhëruarit natën e ditën?” Por jo, ata i kthejnë shpinën këshillave të Zotit të tyre.
21:43. A mos kanë ata pos Nesh zota të tjerë që i mbrojnë? Po ata nuk mund t’i ndihmojnë vetvetes (e lërë më adhuruesve), Ata (mosbesimtarët) as nuk do të pranohen prej Nesh në fqinjësi.
21:44. Por Ne u dhamë atyre dhe prindërve të tyre jetë të gjatë me kënaqësi (e ata u mashtruan). A nuk e vërejnë ata se Ne u pakësojmë tokën nga anët e saj, atëherë a mos ata do të jenë fitues (o të humbur)?
21:45. Thuaj: “Unë ua tërheq vërejtjen vetëm me anën e kësaj shpalljeje, po i shurdhëti nuk dëgjon thirrjen edhe kur i tërhiqet vërejtja”.
21:46. E sikur t’i godasë pak ndonjë e keqe nga dënimi i Zotit tënd, ata do të thonë: “Të mjerët ne, i bëmë vetes padrejtësi”!
21:47. Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa peshoja e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.
21:48. Ne i patëm dhënë Musait e Harunit Furkanin (dalluesin mes të vërtetës e të kotës - Tevratin), që ishte dritë e këshillë për të devotshmit.
21:49. Të cilët ia kanë frikën Zotit të tyre edhe pse nuk e shohin dhe ata të cilët ia kanë dronë kijametit.
21:50. Edhe ky (Kur’ani) është këshillë, është i bekuar që Ne e shpallëm. A, ju po e refuzoni.
21:51. Ne i dhamë Ibrahimit herët të mbarën, sepse Ne kemi njohur mirë atë (ia dhamë të mbarën se e meritoi).
21:52. Kur ai babait dhe popullit të vet u tha: “Ç’janë këto statuja që i adhuroni?”
21:53. Ata thanë: “I gjetëm të parët tanë, që po i adhuronin”.
21:54. Ai u tha: “Edhe të parët tuaj e edhe ju qartë ishit të humbur!”
21:55. Ata thanë: “Me gjithë mend e ke apo mos po tallesh!”
21:56. Atëherë ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve e i tokës, është Ai që i krijoi ato, ndërsa unë jam dëshmues për këtë!”
21:57. Pasha All-llahun, posa të largoheni ju, unë kam për t’ia bërë atë që duhet statujave tuaja!
21:58. Dhe i bëri ato copë-copë, përveç një më të madhes që e kishin ata e me shpresë se atij do t’i drejtohen (për ta kuptuar se kush i theu).
21:59. (Kur u kthyen i panë) Ata thanë: “Kush e bëri këtë me zotat tanë? Ai na qenka kriminel!”
21:60. (pastaj) thanë: “Kemi dëgjuar për një djalosh që i përqeshte ato, të cilit i thonin Ibrahim”.
21:61. Ata thanë: “Silleni atë këtu në sy të njerëzve që ta shohin (e ta dënojmë)”.
21:62. I thanë: “A e bëre ti këtë me zotat tanë, o Ibrahim?”
21:63. Ai tha: “Jo, por atë, e bëri i madhi i tyre, ju pyetni ata nëse janë që flasin?”
21:64. Ata u ndalën e u menduan me veten, e dikush tha: “Vërtet, ju jeni mu ata të gabuarit (pse adhuronit gjëra të kota)”.
21:65. Mirëpo, pastaj e shoshitën këtë gjë në kokat e tyre (u kthyen nga bindja në kokëfortësi) dhe thanë: “Po ti e ke ditur se këta nuk flasin!”
21:66. Ai tha: “A po adhuroni pra në vend të All-llahut asish që nuk u sjellin kurrfarë dobie as dëmi?”
21:67. Medet për ju dhe për ata që i adhuroni, pos All-llahut, po a nuk po kuptoni?”
21:68. Atëherë ata thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’u ndihmoni!”
21:69. Po Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”
21:70. Ata deshën t’i bëjnë atij (Ibrahimit) kurth, po Ne ata i bëmë më të dështuarit.
21:71. E Ne shpëtuam atë e edhe Lutin në atë tokën që e kemi bekuar për njerëz.
21:72. Dhe ia falën atij Is-hakun, e si dhuratë edhe Jakubin. Dhe që të gjithë i bëmë të mirë (pejgamberë).
21:73. Dhe ata i bëmë shembëlltyrë që udhëzonin sipas urdhërit Tonë, i orientuam në punë të mira, në falljen e namazit, në dhënien e zeqatit, dhe ata ishin adhurues Tanë të sinqertë.
21:74. Dhe Ne Lutit i dham të jetë pejgamber dhe i dijshëm, andaj edhe e shpëtuam prej atij fshatit (vendbanimi) që bënte punë të ndyra, ata ishin popull i dëmshëm e i prishur.
21:75. Atë (Lutin) e shpëtuam dhe e vëmë nën mëshirën Tonë, vërtet ai ishte prej më të mirëve.
21:76. (Përkujto) Edhe Nuhun kur më parë - pat thirrur (Zotin) e Ne ia pranuam atij (edhe lutjen) e ate dhe familjen e tij e shpëtuam nga ai tmerri i madh.
21:77. Ne e mbrojtëm atë prej atij populli që përgënjeshtronte argumentet Tona, vërtet ai ishte popull i keq, prandaj i përmbytëm të gjithë.
21:78. (Përkjto) Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çëshjen e bimës (mbjelljes) të cilën delet e ati populli e kishin kullotur natën, e Ne ishim përcjellës të gjykimit të tyre.
21:79. E Sulejmanit Ne ia mësuam atë (përgjegjen e saktë), po secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dije. Ne e bëmë që kodrat dhe shpezët të madhërojnë (bëjnë tesbih) së bashku me Davudin. Ne kemi mundësi (ta bëjmë këtë) edhe e bëmë.
21:80. Ne e mësuam atij (Davudit) mbarimin e petkave (të hekurta) për ju, që të ju mbrojnë në raste lufte. A jeni pra mirënjohës ju për këtë?
21:81. Ndërsa Sulejmanit (ia nënshtruam) erën e fortë që sipas dëshirës se tij ecte me të deri te toka të cilën e kemi bekuar Ne. Ne jemi të Gjithëdijshëm për çdo gjë.
21:82. Edhe disa nga djajtë (ia nënshtruam) që zhyteshin (në thellësi të ujit) dhe bënin edhe punë tjera për të (për Sulejmanin), por Ne i ruanim ata (të mos shmangeshin).
21:83. (Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!”
21:84. Ne iu përgjegjëm atij nga mëshira e Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.
21:85. (Përkujto) Edhe Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflin, që të gjithë ishin të durueshëm.
21:86. Ata i përfshimë në mëshirën Tonë, se ishin vërtet prej të mirëve.
21:87. (Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!”
21:88. Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.
21:89. (Përkujto) Edhe Zekiriain kur e luti Zotin e vet: “Zoti im, mos më le të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues (pas çdokujt)”.
21:90. Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjain dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij. Ata përpiqeshin për punë të mira, na u luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj nesh.
21:91. (Përkujto) Edhe atë që e ruajti nderin e saj, e Ne e frymëzuam atë me shpirt (barrë) nga ana Jonë dhe atë dhe të birin e saj; bëmë mrekulli për njerëzit.
21:92. Kjo fé është e juaja dhe është e vetmja fé (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.
21:93. Po ata e ndanë çështjen e fesë dhe u përçanë mes vete (u ndanë në grupe: monoteistë, politeistë, jehudi, të krishterë, zjarrëputist etj.), mirëpo, që të gjithë do të vijnë te Ne.
21:94. E kush bën ndonjë vepër të mirë dhe është besimtar, mundi i tij nuk i mohohet, pse Ne i shënojmë ato.
21:95. Ndërsa është e pamundur për (banorët e) një fshat të cilin e kemi shkatërruar Ne, të kthehen (në këtë jetë).
21:96. Derisa të hapet (penda) e Jexhuxh Mexhuxhëve dhe ata do të zbresin nga çdo bregore me shpejtësi.
21:97. Dhe derisa të jetë afruar premtimi i saktë (dita e kijametit) e ai është momenti kur mbeten të shtangët sytë e atyre që nuk besuan (në ato çaste thonë): “Të mjerët ne, vërtet ishim krejt të pavetëdijshëm për këtë (moment); por jo, është e vërtetë se ishim zullumqarë të mëdhenj.
21:98. Ju, dhe ajo që adhuruat ju pos All-llahut, do të jeni lëndë e Xhehennemit, dhe keni për të hyrë në të.
21:99. Sikur të kishin qenë ata zota, ata nuk do të hynin në të, po që të gjithë do të jenë aty përgjithmonë.
21:100. Aty ata do të kenë rrënkim dhe aty ata nuk dëgjojnë.
21:101. E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana jonë, do të jenë larg tij (Xhehennemit).
21:102. Ata nuk nuk do të dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë.
21:103. Ata nuk do t’i shqetësojë ajo frika e madhe (e fyerjes së gurit), dhe do t’i presin engjëjt (duke u uruar): “Kjo është dita e juaj që u premtohej”.
21:104. (Përkujto) Atë ditë kur Ne e palojmë qiellin sikurse palimi i fletëve në libër. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligim Yni, e Ne e bëjmë këtë.
21:105. Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Lehvi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robtë e Mij të mirë.
21:106. Ne këtë (që u përmend) ka mjaft për një popull të dëgjueshëm.
21:107. E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.
21:108. Thuaj: “Mua më shpallet se Zoti i juaj është vetëm një Zot, e ju a po dorëzoheni?”
21:109. E nëse ata refuzojnë, ti thuaju: “Unë u njoftova ju në mënyrë të barabartë, dhe se unë nuk e di se është afër ose larg ajo që po premtoheni?”
21:110. Ai e di thënien e haptë, e di edhe atë që mbani fshehtë.
21:111. E nuk e di, mos është kjo sprovë për ju (vonesa e dënimit), apo të kënaqeni deri në një kohë.
21:112. Ai (Muhammedi) tha: “Zoti im, gjyko (mes meje dhe atyre gënjeshtarëve) me të vërtetën! E Zoti ynë, Mëshirues është ai prej të cilit kërkohet ndihmë kundër asaj që ju përshkruani!”
|