HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


32. Sexhde

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

32:1.        Elif, Lam, Mim.

32:2.        Shpallja e librit (e Kur’anit), nuk ka dyshim se është (shpallje) nga Zoti i gjithësisë.

32:3.        A mos po thonë se ai (Muhammedi) e trilloi? Jo, ajo është e vërtetë prej Zotit tënd që t’i tërheqësh vërejtjen një populli që nuk u erdhi ndonjë pejgamber para teje, ashtu që ata të gjejnë rrugën e drejtë.

32:4.        All-llahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’ka ndërmjet tyre, brenda gjashtë dite, pastaj mbizotëroi Arshin. Përveç Tij nuk keni ndonjë ndihmëtar tjetër e as ndërmjetësues, pra a nuk jeni kah mendoni!

32:5.        Ai është që udhëheq çështjen (e të gjitha krijesave) prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështja) ngritet te Ai në një ditë që sipas llogarisë suaj është sa njëmijë vjet.

32:6.        Ai është njohës i të (gjitha) fshehtës dhe të dukshmes, i gjithëfuqishmi, mëshirëbërësi.

32:7.        Ai që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta.

32:8.        Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët.

32:9.        Mandej, Ai e formëson atë (në barkun e nënës) dhe nga ana e vet i jep shpirt atij dhe Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit dhe me zemër, e pak send është ajo që ju falënderoni.

32:10.      E ata thanë: “A pasi që ne të tretemi në tokë, a thua ne rishtazi do të krijohemi?” Por (çka është edhe më keq) ata nuk besojnë se do të dalin para Zotit të tyre.

32:11.      Thuaj: “Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, ua merr shpirtrat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”.

32:12.      E, sikur të shihje mëkatarët se si ulin kokat e veta pranë Zotit të tyre: “Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë e të bëjmë vepra të mira, se tash jemi të bindur”.

32:13.      Sikur të kishim dëshiruar Ne, secilit do t’i jepnim udhëzimin, por fjala (vendimi) Ime ka marrë fund (definitiv) se do ta mbushë Xhehennemin së bashku me exhinë e njerëz.

32:14.      Prandaj shijoni këtë (dënim) për shkak se ju e patët harruar takimin tuaj në këtë ditë, e edhe Ne tash u harruam juve, ndaj, për shkak të asaj që keni vepruar, shijoni dënimin e përjetshëm.

32:15.      Argumentet tona, i besojnë, në të vërtetë, ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi,

32:16.      I heqen trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin.

32:17.      Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.

32:18.      A mos është ai që ishte besimtarë, sikurse ai që ishte jasht rrugës? Jo! Këta nuk janë të barabartë.

32:19.      Për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, ata, për hir të veprave që i bënë, vendpritje e kanë Xhennetin.

32:20.      E ata që nuk respektuan All-llahun, skutë e tyre është zjarri. Sa herë që të tentojnë të dalin nga ai, kthehen në të dhe atyre u thuhet: “Shijoni dënimin e zjarrit që ju e konsideronit rrenë.

32:21.      Ne do t’u shijojmë atyre dënimin më të shpejtë (në dunja) para dënimit të madh (në Ahiret), ndoshta do të tërhiqen (prej të këqiave).

32:22.      E kush është më zullumqarë se ai që këshillohet me ajetet e Zotit të vet, e pastaj u kthyen shpinën atyre? Ne me siguri do të hakmirremi kundër kriminelëve.

32:23.      Ne i patëm dhënë edhe Musait librin, e ti (Muhammed) mos ke dyshim në çka pranon (në Kur’anin libër qiellor si Musait), kurse atë (librin e Musait) e bëmë udhërrëfyes për beni israilët.

32:24.      Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhërin Tonë udhëzojmë, pasi që ata (që i bëmë prijësa) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.

32:25.      S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që në ditën e kijametit do të gjykojë mes tyre në atë që ishin të përçarë.

32:26.      A nuk e kanë të qartë ata (mekasit) se sa nga popujt para tyre i shkatërruam, që nëpër ato vendbanime të tyre janë kah kalojnë? Është e vërtetë se në ato (vende të shkatërruara) ka fakte, se nuk janë duke dëgjuar me vëmendje?

32:27.      Si nuk kanë parë ata se Ne e sjellim ujin në tokën e thatë dhe me të nxjerrim bimë që prej tyre ushqehen kafshët e tyre, bile edhe ata vetë. A nuk janë duke parë (e të kuptojnë)?

32:28.      E në anën tjetër ata thonë: “E kur do të jetë ai ngadhënjim (çlirimi i Mekës ose gjykimi i Zotit), nëse jeni të drejtë çka thoni.

32:29.      Thuaj: “Ditën e kijametit, atyre që kanë qenë jobesimtarë, nuk u bën dobi besimi e as nuk u jepet afat.

32:30.      Andaj, ti largohu prej tyre dhe prit, edhe ata janë duke pritur.