HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


39. Zumer

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

39:1.        Shpallja e librit është prej All-llahut, të gjithfuqishmit, të urtit.

39:2.        Ne ta shpallëm ty librin për hir të së vërtetës, andaj ti adhuroje All-llahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!

39:3.        Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s’ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë, atë që është rrenës, jobesimtarë.

39:4.        Sikur të kishte dashur All-llahu të ketë fëmijë, do të zgjidhte atë që dëshiron nga çka Ai vetë krijon. I pastër është Ai! Ai është All-llahu, i vetmi, i fuqishmi!

39:5.        Ai krijoi qiejt e tokën me qëllim të caktuar; Ai natën mbështjell (vendi të) ditës dhe ditën ia mbështjell natës; Ai nënshtroi diellin dhe hënën, që secili lëviz deri në një afat të caktuar, pra Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.

39:6.        Ai ju krijoi juve prej një njeriu, mandej prej tij e krijoi palën (çiftin) e tij dhe Ai krijoi për juve tetë nga çiftet e kafshëve. Ai u krijoi në barqet e nënave tuaja, krijim (etapë) pas krijimit në tri errësira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, vetëm i Tij është pushteti, nuk ka tjetër pos Tij. E, si pra, i shmangeni (adhurimit të Tij)?

39:7.        Nëse ju nuk besoni, All-llahu nuk është nevojtarë për ju; megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju. Ndërkaq, nuk do ta bartë asnjë mëkatarë barrën e tjetrit. Pastaj, e ardhmja juaj është vetëm te Zoti juaj, e AI do t’ju njoftojë me atë që keni vepruar. Vërtet, Ai e di shumë mirë se çka mbajnë zemrat.

39:8.        E kur e godit njeriun ndonjë e keqe (ndonjë dëm), ai e lut Zotin e vet duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, e kur nga ana e TIj i jep ndonjë të mirë (ia largon të keqen), ai e harron atë që më parë është lutur Atij, dhe i përshkruan shokë All-llahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaqu për pak kohë me mosbesimin tënd, se ti pa dyshim je nga banuesit e zjarrit!”

39:9.        (A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.

39:10.      Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, keni frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e All-llahut është e gjërë, ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”

39:11.      Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj All-llahun, të jem i snqertë në adhurimin ndaj Tij!”

39:12.      Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i myslimanëve!

39:13.      Thuaj: “Unë i frikësohem dënimit të një dite të madhe, nëse kundërshtoj Zotin tim”.

39:14.      thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.

39:15.      E ju pra, adhuroni pos Tij çka të doni!” Thuaj: “Të dështuar në ditën e kijametit janë ata që e kanë hmbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është dështimi i njëmendët.

39:16.      Se ata do të kenë shtresa të zjarrit edhe sipër edhe prfundi. Me këtë All-llahu i frikëson robërit e Vet: “O robërit e Mi, keni frikë (dënimin)!”

39:17.      Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe ju drejtuan All-llahut, ata kanë gëzim të madh, e ti përgëzoj robërit e Mi!

39:18.      Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.

39:19.      E, atij që i është përcaktuar vendimi për dënim, a mund ta shpëtosh ti prej zjarrit?

39:20.      Ndërkaq, ata që u ruajtën për hir të Zotit të tyre, për ta do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Premtimi i All-llahut, e All-llahu nuk e thyen premtimin.

39:21.      A nuk e sheh se All-llahu lëshon ujë nga qielli dhe atë e shpërndanë në tokë nëpër burime, mandej me të mbijnë bimë të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme, pastaj ajo thahet dhe ti e sheh ata të zverdhurar dhe pastaj e bën atë të llomitr. S’ka dyshim se në këtë ka argument për të zotët e mendjes.

39:22.      Atij që All-llahu ia ka zgjeruar kraharorin për besim islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mirët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin All-llahun, të tillët janë në humbje të qartë.

39:23.      All-llahu e shpalli të folmën më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.

39:24.      E ai që me fytyrën e vet mbrohet nga dënimi në ditën e kijametit (a është i njejtë me atë të shpëtuarin)? Kur mizorëve u thuhet: “Përjetoni të keqen e asaj që punuat!”

39:25.      Edhe ata para tyre përgënjeshtruan, por u erdhi ndëshkim nga nuk e menduan.

39:26.      All-llahu u bëri të përjetojnë në këtë jetë poshtërimin, por dënimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikur ta dinin ata.

39:27.      Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur’an shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, ashtu që të marrin përvojë (mësim).

39:28.      Duke qenë Kur’an arabisht që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.

39:29.      All-llahu solli një shembull: Një njeri (rob) në posedimin e të cilit ishin ortakë pa marrëveshje mes vete dhe njëri (rob) që është thjesht në posedimin e një njeriu. A janë ata të dy të një lloji (të një gjendjeje)? Lavdërimi i takon vetëm All-llahut, por shumica e tyre, nuk e dinë.

39:30.      Ti do të jesh i vdekur, e edhe ata do të jenë të vdekur.

39:31.      E pastaj, në ditën e kijametit pranë Zotit tuaj do të grindeni mes vete.

39:32.      E kush është më mëkatar se ai që flet të pavërtetën ndaj All-llahut dhe se ai që kur i erdhi e vërteta e përgënjeshtroi? A nuk është në Xhehennem vendqëndrimi për jobesimtarët?

39:33.      E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë të ruajturit.

39:34.      Ata te Zoti i tyre kanë çkado që dëshirojnë, e ai është shpërblimi i bamirësve.

39:35.      All-llahu do t’ua shlyej atyre edhe më të keqen që e punuan dhe do t’u jepë shpërblime më të mira për ata që punuan.

39:36.      A nuk i mjafton All-llahu robit të vet? E ata të friksojnë ty me të tjerët pos Tij. Po atë që e ka humbur All-llahu, për të nuk ka udhëzues!

39:37.      Atë që All-llahu e drejton, atë nuk ka kush e humbë; a nuk është All-llahu i gjithëfuqishëm që ndërmerr ndëshkime?

39:38.      Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “All-llahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos All-llahut, nëse All-llahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse All-llahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton All-llahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit”.

39:39.      Thuaj: “O populli im, veproni sipas gjendjes suaj, e edhe unë veproj sipas times e më vonë do ta dini,

39:40.      se cilit do t’i vijë dënimi që e poshtëron dhe do ta goditë dënim i përjetshëm!”

39:41.      Ne ta zbritëm ty librin me argumente për njerëz, e kush orientohet në rrugën e vërtetë, ai e ka për vete e kush e humb, ai i bën dëm vetëm vetes, e ti nuk je garantues i tyre.

39:42.      All-llahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.

39:43.      A mos kanë zgjedhur ndërmjetësues përveç All-llahut? Thuaj: “A edhe pse janë që nuk posedojnë asgjë e as nuk kuptojnë”.

39:44.      Thuaj: “I tërë shefaati (ndërmjetësimi) i takon vetëm All-llahut, i Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës, e më vonë vetëm te Ai ktheheni”.

39:45.      Kur përmendet vetëm All-llahu, zemrat e atyre që nuk besojnë botën tjetër, neveriten, e kur përmenden, përveç Atij, të tjerët, ata gëzohen.

39:46.      Thuaj: “O All-llah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës edhe i të dukshmës, Ti je që gjykon mes robërve Tu për atë që ata kundërshtoheshin”.

39:47.      E sikur të ishte e atyre që nuk besuan, e tërë ajo çka ka në tokë e edhe njëherë aq, do ta jepnin kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. E prej All-llahut do t’u prezentohet (lloji i dënimit) çka as nuk kanë mund të mendojnë.

39:48.      Dhe do t’ua dalin në shesh të këqiat që i kanë punuar dhe i përfshin ata ajo me të cilën talleshin.

39:49.      Kur e godit njeriun ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur nga ana Jonë ia shëndërrojmë atë në ndonjë të mirë, ai thotë: “Kjo më është dhënë në bazë të dijes sime!” Jo, por ajo është një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë.

39:50.      Ashtu patën thënë edhe ata që ishin para tyre, por atyre nuk u bëri dobi ajo çka kishin fituar.

39:51.      Ata i goditën të këqijat që i kishin punuar. Edhe prej këtyre, ata që bënë zullum, do t’i godasin të këqiat e veprave të tyre dhe nuk mund t’i shpëtojnë asaj (goditjeje).

39:52.      A nuk e dinë ata, se All-llahu i jep furnizim të plotë atij që do. Edhe në këto ekzistojnë fakte për një popull që beson.

39:53.      Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”

39:54.      Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.

39:55.      Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos dini.

39:56.      Dhe të mos thotë ndokush: “O i mjeri unë që kam lënë mangu respektimin ndaj All-llahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!”

39:57.      Ose të mos thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar All-llahu (në rrugë të drejtë) e të kisha qenë prej atyre që janë të ruajtur!”

39:58.      Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe njeherë e të isha bërë prej atyre bamirësve!”

39:59.      Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan.

39:60.      E ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t’i shohësh në ditën e kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në Xhehennem vendi i Kryelartëve?

39:61.      Ndërsa All-llahu do t’i shpëtojë me atë suksesin e tyre ata, që kishin qenë të ruajtur. Ata nuk do t’i kapë e keqja e as nuk do të jenë të shqetësuar.

39:62.      All-llahu është krijues i çdo sendi dhe Ai ëshë mbikëqyrës ndaj çdo gjëje.

39:63.      Vetëm te Ai janë çelësat e qiejve dhe tokës, ndërsa ata që nuk i besuan argumentet e All-llahut, të tillët janë ata të dështuarit.

39:64.      Thuaj: “O ju injorantë, a mos më thirrni të adhuroj tjetër, në vend të All-llahut?”

39:65.      Pasha Alahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve.

39:66.      Prandaj, vetëm All-llahun adhroje dhe bëhu mirënjohës!”

39:67.      Ata nuk e çmuan All-llahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!

39:68.      Dhe i fryhet Surit dhe bie i vdekur çka ka në qiej dhe në tokë, përveç atyre që do All-llahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur qe, të gjithë ata të ngritur e presin (urdhërin e Zotit).

39:69.      Toka është ndriçuar me dritën e Zotit të vet, libri (shënimet mbi veprat) është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejtë.

39:70.      Dhe, secili njeri shpërblehet me atë që ka vepruar, e Ai më së miri e di se ç’punuan.

39:71.      E ata që nuk besuan sillen në grupe te Xhehennemi, e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: “A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t’ju lexojnë shpalljet e Zotit tuaj, t’ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?” Po, (na kanë ardhur...) thonë ata, por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve!

39:72.      U thuhet: “Hyni nëpër dyer të Xhehennemit, aty do të jeni përgjithmonë, sa vend i keq është për kryelartët!”

39:73.      E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.

39:74.      E ata (të Xhennetit) thanë: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim i mirë është i atyre që vepruan drejtë”.

39:75.      E do t’i shohësh engjëjt të rreshtuar përreth Arshit, e madhërojnë me falënderim Zotin e vet. E në mes tyre (njerëzve) kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: “(prej të gjithëve) Falënderuar qoftë vetëm All-llahu, Zoti i botëve!”