| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
40:1. Ha, Mim.
40:2. Shpallja e librit është prej All-llahut, fuqiplotit, gjithëdijshmit.
40:3. I cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Atij. Te Ai është e ardhmja e çdokujt.
40:4. Rreth argumenteve të All-llahut nuk kundërshton kush, pos atyre që nuk besuan; pra ty të mos mashtrojë lëvizja e tyre nëpër qytete.
40:5. Populli i Nuhut dhe grupacione pas tyre patën përgënjeshtruar përpra këtyre (idhujtarëve), dhe secili popull (që përgënjeshtroi), u përpoq ta asgjësojë të dërguarin e vet dhe luftoi me çështje të kota, ashtu me ato deshi ta likuidojë të vërtetën, e Unë i ndëshkova ata, e çfarë ishte ndëshkimi Im ndaj tyre?
40:6. Po ashtu, ka marrë fund vendimi i Zotit tënd (për dënim) kundër atyre që nuk besuan, se ata janë banues të zjarrit.
40:7. Ndërsa ata (engjëjt) që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten Atij t’i falë ata që besuan (duke thënë): “Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj falu atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën tënde, e edhe ruaj ata nga dënimi i Xhehennemit!
40:8. Zoti ynë, shtiji në Xhennete të Adnit, të cilët ua ke premtuar, ata edhe kush ishte i mirë, prej etërve të tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je ngadhnjuesi, i urti!
40:9. dhe i mbron ata prej të këqiave, pse atë që Ti e mbron atë ditë prej të këqiave, Ti e ke mëshiruar atë, e ai është shpëtimi i madh”.
40:10. S’ka dyshim e ata që nuk besuan do të thirren (do t’u thuhet); “Hidhërimi i All-llahut pse u ftuat të besoni e ju nuk besuat (në dunja), është më i madh se urrejtja juaj ndaj vetes”.
40:11. Ata (jobesimtarët) thonë: “Zoti ynë, na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë, e ne pranuam për mëkatet tona, pra a ka ndonjë rrugëdalje?”
40:12. Ky (dënimi) është, pse kur bëhet thirrja për të besuar All-llahun Një, ju e mohuat, e nëse i përshkruhej shok Atij, ju besuat, pra i tërë sundimi është në duart e All-llahut, të lartit, të madhëruarit!
40:13. Ai (All-llahu) është që po ua dëfton juve argumentet e veta, që ju sjell furnizim prej qiellit (shiun), por përveç atyre që janë të kthyer te Zoti, të tjerët nuk marrin mësim.
40:14. Pra, adhurojeni All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë (adhurimin).
40:15. Ai (All-llahu) është i pozitës më të lartë, zoti i Arshit; Ai me urdhërin e vet ia sjell shpirtin (shpalljen) atij që do nga robërit e vet, për t’ua tërhequr vërejtjen ndaj ditës së takimit (të kijametit).
40:16. Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e All-llahut nuk mund t’i fshihet asnjë gjë e tyre. I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I All-llahut, i Atij që është një, i fuqiplotit (është përgjigjja)!
40:17. Sot shpërblehet secili njeri me atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi, All-llahu llogarit shpejt.
40:18. Ti tërhiqu atyre vërejtjen për ditën e kijametit, kur zemrat, të mllefosura arrijnë në fyt. Për zullumqarët nuk ka as mik e as ndërmjetsues që i shkon fjala.
40:19. Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.
40:20. All-llahu gjykon me drejtësi, ndërsa ata që adhuronin tjetër pos Atij, ata nuk kanë në dorë të gjykojnë asgjë. All-llahu është Ai që dëgjon dhe sheh.
40:21. A nuk udhëtuan ata nëpër tokë të shohin se si ishte përfundimi i atyre që patën qenë para tyre? Ata ishin edhe më fuqishëm se këta e edhe lanë më shumë gjurmë në tokë, po All-llahu i dënoi për shkak të mëkateve të tyre dhe nuk patë ndonjë që t’i mbrojë prej dënimit të All-llahut.
40:22. E ai (dënimi ishte) për arsye se ata i mohuan argumentet e qarta, të cilat ua sillnin të dërguarit e tyre, andaj All-llahu i shkatërroi. Ai vërtetë është i fuqishëm, ndëshkues i ashpër.
40:23. Ne e kemi pas dërguar Musain me argumente e fakte të qarta,
40:24. te Faraoni dhe te Hamani e Karuni, e ata i thanë: “Magjistar e gënjeshtar!”
40:25. Kur ua solli ai të vërtetën nga ana Jonë, ata thanë: “Mbytni djemtë e atyre që i besuan atij, e lini të jetojnë gratë e tyre, por dredhitë e tyre nuk qenë tjetër pos dështim”.
40:26. Faraoni tha: “Më lini mua ta mbys Musain, e ia le të thërrasë Zotin e vet, pse unë kam frikë se po ua ndryshon fenë tuaj, ose po nxit trazira në vend!”
40:27. Musai tha: “Unë ia kam mbështëtur Zotit tim dhe Zotit tuaj që të më mbrojë prej çdo kryeneçi, që nuk i beson ditës së përgjegjësisë!”
40:28. Një njeri besimtar nga familja e faraonit që e fshehte besimin e vet, tha: “A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë Zoti im është All-llahu, derisa prej Zotit tuaj u ka sjellë argmente? Nëse ai është rrenës, për vete e ka rrenën, e nëse është i drejtë, juve do t’ju godit diçka nga ajo që ai ju premton. S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është rrenës.
40:29. O populli im, sot pushteti është juaji në vend, po kush do të na mbrojë prej dënimit të All-llahut nëse ia na përfshin? “ Faraoni tha: “Unë nuk kam mendim tjetër t’ju japë pos atij që ju thashë dhe nuk jam duke ju udhëzuar tjetër pos në rrugën e drejtë!”
40:30. Ndërkaq, ai që kishte besuar tha: “O populli im, unë kam frikë për ju se po u gjen si i gjeti popujt e mëparshëm (grupet e mëparshme)!”
40:31. Si rasti i popullit të Nuhut, të Adit, të Themudit dhe të atyre që ishin pas. All-llahu nuk bën padrejtë ndaj rbërve.
40:32. O populli im, unë kam frikë për ju ditën e britmës (të mjerimit),
40:33. Ditën, kur nga frika ktheheni të ikni, e nuk ka kush që të prapësojë prej jush dënimin e All-llahut, Atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë që e drejton.
40:34. Edhe Jusufi, qush herët ju pat ardhur me argumente të qarta e ju gjithnjë ishit në dyshim ndaj asaj që ju pat sjellë, derisa edhe kur vdiq ai, ju patët thënë: “All-llahu nuk do të dërgojë pas tij pejgamber!” Ashtu All-llahu e bën të humbur atë që është i shfrenuar, i dyshimtë.
40:35. Ata që duke mos pasur kurrfarë fakti pranë vetes, polemizojmë rreth argumenteve të All-llahut. Kjo (polemikë) shton urrejtje të madhe te All-llahu dhe te ata që kanë besuar. Po kështu All-llahu vulos çdo zemër të arrogantit, të zullumqarit.
40:36. E faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një pyrg, e ndoshta do t’i gjejë rrugët.
40:37. Rrugët e qiejve, e ta shoh Zotin e Musait, pse unë mendoj se ai është rrenës”. Dhe ashtu, faraonit iu dukë e mirë vepra e tij e keqe dhe u shmang prej rrugës së drejtë, kështu që parashikimet e faraonit ishin të asgjësuara.
40:38. Ai që kishte besuar tha: “O populli im, ejani pas meje, e unë t’ju udhëzoj në rrugë të drejtë!
40:39. O populli im, kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se një përjetim i përkohshëm, ndërsa bota tjetër është ajo e përhershmja.
40:40. Kush bën ndonjë vepër të keqe, ndëshkohet vetëm për aq sa është ajo, e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, por duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në Xhennet dhe aty shpërblehen pa masë.
40:41. Dhe, o populli im, ç’është që unë ju thërras në shpëtim, e ju më thirrni për në zjarm?
40:42. Më thirrni ta mohoj All-llahun dhe adhuroj atë që nuk di asgjë për të i gjithfuqishmi, më katfalësi!
40:43. Është e vërtetë se atij tek i cili më thirrni ju mua, nuk i takon adhurimi as në dunja as në botën tjetër dhe se e ardhmja jonë është te All-llahu, s’ka dyshim se të larguarit prej rrugës së drejtë, ata janë banus të zjarrit.
40:44. Juve do t’ju bjerë ndërmend çka po u them, e çështjen time ia besoj All-llahut; vërtet, All-llahu mbikëqyr robërit!”
40:45. Dhe All-llahu e shpëtoi atë (besimtarin) prej të këqijavë që i kurdisën, ndërsa ithtarët e faraonit i përfshiu dënimi më i keq.
40:46. Ata i nënshtroi zjarrit mëngjes e mbrëmje, ditën e kijametit (u thuhet engjëjve): “Ithtarët e faraonit futni në dënimin më të rëndë!”
40:47. Dhe (përkujto) kur duke qenë në zjarr, ata grinden në mes vete, e të dobëtit u thonë atyre të mëdhenjve: “Ne kemi qenë ithtarë tuaj (në dunja), a mund të na largoni ndonjë pjesë të dënimit me zjarr?”
40:48. Ata që kishin qenë pari thonë: “Ne të gjithë jemi në të!” All-llahu ka vendosur në mënyrë të prerë në mes njerëzve”.
40:49. Dhe ata, që janë në zjarr, rojës së Xhehennemit i thonë: “Luteni Zotin tuaj të na e lehtësoj dënimin, bile një ditë!”
40:50. Ata u thonë: “A nuk u patën arritur juve të dërguar tuaj me argumente të qarta? Ata përgjigjen: “Po (na kanë ardhur)!” E pra, (u thotë roja) lutnu ju vetë, po lutja e jobesimtarëve është asgjë!”
40:51. Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.
40:52. Në ditën kur zullumqarëve nuk u bën dobi arsyetimi i tyre, ata janë të mallkuar dhe ata e kanë vendin e keq.
40:53. Për Zotin, Ne Musait i dhamë udhëzimin, e beni israilëve u lamë në trashëgim librin.
40:54. Ua lamë (librin) udhërrëfyes e përkujtues për të zotët e mendjes.
40:55. Ti bën durim, se premtimi i All-llahut është vërtetë, kërko falje për mëkatin tënd, lartëso me falënderim Zotin tënd mbrëmje e mëngjes.
40:56. Ata që kundërshtojnë shpalljen e All-llahut pa pasur argument, nuk kanë tjetër në zemrat e tyre vetëm se një mendjemadhësi, me të cilën nuk do t’ia arrijnë qëllimit, e ti kërko mbrojtje te All-llahu, se Ai të gjitha i dëgjon dhe i sheh.
40:57. S’ka dyshim se krijimi i qiejve dhe tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
40:58. Nuk është e barabartë i verbëri dhe ai që sheh, e as ata që besuan dhe bënë vepra të mira, nuk janë të barabartë me të këqijtë, por pak jeni duke marrë mësim.
40:59. Kijameti gjithsesi do të vijë, aty nuk ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
40:60. Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem”.
40:61. All-llahu është Ai, që juve ua bëri natën të pushoni në të, e ditën të ndritëshme. All-llahu ëhtë dhurues ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.
40:62. Ky është All-llahu, Zoti, Krijuesi i çdo sendi, nuk ka zot pos Tij, e si prapësoheni?
40:63. Kështu prapësohen ata që argumentet e All-llahut i mohojnë.
40:64. All-llahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi, e formën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, i lartë, pra është All-llahu, Zot i botëve!
40:65. Ai është i përjetshmi, s’ka zot, vetëm Ai, pra adhurojeni Atë me adhurim të sinqertë ndaj Tij, falënderimi i qoftë vetëm All-llahut, Zotit të gjithësisë.
40:66. Thuaj: “Unë jam ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni pos All-llahut, pasi mua më kanë ardhur argumente të qarta nga Zoti im, dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem Zotit të çdo krijese”.
40:67. Ai (All-llahu) është që ju krijoi juve (të parin tuaj) prej dheu, pastaj prej një pike uji, pastaj prej gjakut të ngjizur, mandej ju bën të lindeni si foshnjë e më vonë të arrini pjekurinë, e pastaj të plakeni, e ka prej jush që vdes më herët, e që të gjithë të arrini afatin e caktuar dhe ashtu të kuptoni realitetin.
40:68. Ai është që jep jetë dhe sjellë vdekje, e kur dëshiron një gjë, Ai vetëm thotë: “bëhu”, e ajo menjëherë bëhet.
40:69. A nuk i sheh ata që kundërshtojnë argumentet e All-llahut se si largohen nga e vërteta?
40:70. Ata janë që përgënjeshtruan librin (Kur’anin) dhe atë me çka Ne i dërguam të dërguarit tanë, e më vonë ata do të kuptojnë.
40:71. Atyre do t’u vihen prangat dhe zingjirët në qafat e tyre e do të zhyten,
40:72. në ujin e valë dhe pastaj do të digjen në zjarrë.
40:73. Mandej atyre u thuhet: “Ku janë ata që i adhuronit.
40:74. Pos All-llahut?” Ata thonë: “Na kanë humbur sysh, por jo ne nuk kemi qenë që kemi adhuruar më parë ndonjë send!” Ja, kështu All-llahu i humb jobesimtarët.
40:75. Këtë (dënim) e keni për shkak se gëzoheshit padrejtë në dunja (duke bërë mëkate etj.) dhe për shkak krenoheshi (me mendjemadhësi).
40:76. Hyni në dyert e Xhehennemit (nëpër shtatë dyer); aty do të jeni përgjithmonë. E, sa vend i shëmtuar është ai i kryeneçëve!
40:77. Ti pra, bëhu i durueshëm; premtimi i All-llahut është i vërtetë. E Ne ose do të bëjmë të shohish diçka nga ajo që u premtojmë atyre, ose do ta marrim jetën (pa parë asgjë), e ata vetëm te Ne do të kthehen.
40:78. Ne kemi dërguar pejgamberë para teje, për disa prej tyre të kemi njohtuar me rrëfimet e tyre, e për disa sish nuk të kemi njoftuar, e asnjë pejgamberi nuk i takoi të sjellë ndonjë argument, vetëm se me urdhërin e All-llahut. E kur të vijë koha e caktuar nga All-llahu, zbatohet gjykimi me drejtësi dhe aty atëherë dështojnë ata të kotit.
40:79. All-llahu është Ai që për ju i krijoi kafshët që disave t’u hipni prej disave të ushqeheni.
40:80. Ju prej tyre keni edhe dobi të tjera, dhe përmes tyre t’i plotësoni nevojat tuaja, duke hipur në to me anë të anijeve barteni (udhëtoni).
40:81. Dhe Ai është që ju mundësoi t’i shihni argumentet e Tij; e cilin, pra prej argmenteve të All-llahut e mohoni?
40:82. A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shikojnë se si prfunduan ata që ishin më parë, të cilët ishin edhe më të fortë për nga forca e ndikimi në tokë, por ajo që fituan, nuk u ndihmoi asgjë.
40:83. Kur u erdhën atyre të dërguarit me argumente të qarta, ata iu gëzuan dijenisë së vet dhe atëherë i përfshiu ajo që e tallnin.
40:84. E kur e panë dënimin tonë, thanë: “Ne i kemi besuar vetëm All-llahut dhe i kemi mohuar ata që ia shoqëronim”.
40:85. Por besimi i tyre, kur e vërejtën dënimin tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i All-llahut (i kaheshëm) ndaj robërve të Tij dhe aty, në atë çast pësuan disfatë jobesimtarët. |