HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


42. Shura

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

42:1.        Ha, Mim.

42:2.        Ajn, Sinë, Kaf.

42:3.        All-llahu, fuqiploti, i gjithëdijshmi kështu (këto ajete) të shpall ty dhe atyre që ishin para teje.

42:4.        Vetëm e Tij është ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe Ai është mbizotëruesi, i madhëruari!

42:5.        Qiejt e lartë mbi ta (ose qiejt njëri mbi tjetrin) gati pëlcasin (nga madhëria e Zotit ose nga thëniet e çoroditura të idhujtarëve). Ndërkaq, engjëjt vazhdimisht madhërojnë (bëjnë tesbih) duke falënderuar Zotin e tyre dhe kërkojnë falje të mëkateve për ata (besimtarët) që janë në tokë. Ta dini se All-llahu është Ai mëkatfalësi, Mëshiruesi!

42:6.        All-llahu është përcjellës i atyre që, pos Tij, adhurojnë zota të tjerë. Ti (o i dërguar), nuk je i obliguar ndaj tyre.

42:7.        Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’an arabisht që ta këshillosh kryefshatin (Mekën) dhe ata përreth saj, dhe t’u tërheqish vërejtjen për ditën e tubimit (kijametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në xhennet, kurse një grup për në zjarr.

42:8.        Po sikur të kishte dashur All-llahu, do t’i bënte ata (njerëzit) një popull (të një feje), por Ai shtie në mëshirën e vet atë që do (atë që me vullnetin e vet pranon rrugën e drejtë), e jobesimtarët nuk kanë mbrojtës, as ndihhmës.

42:9.        Përkundrazi, ata zgjodhën mbrojtës pos Atij, po vetëm All-llahu është Ai mbrojtësi dhe Ai ngjall të vdekurit dhe Ai ka mundësi për çdo send.

42:10.      Për çdo send që nuk pajtoheni, gjykimi për të është te All-llahu. Ai (gjykatësi i famshëm) është All-llahu, Zoti im, vetëm Atij i jam mbështetur, dhe vetëm Atij i drejtohem.

42:11.      Ai është krijues i qiejve e i tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte, edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t’ju shumojë. Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi.

42:12.      Të Tij janë çelësat e qiejve e të tokës. Ai begaton shumë atë që do dhe nuk begaton (atë që gjithashtu do). Ai është i Gjithëdijshëm për çdo send.

42:13.      Ai u përcaktoi juve fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të. Për idhujtarët është rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. All-llahu veçon për të (për besim të drejtë) atë që do dhe e udhëzon atë që i drejtohet Atij.

42:14.      Po ata, vetëm pasi që u erdhi e vërteta, nuk u përçanë për tjetër, por nga zilia mes tyre. E sikur të mos ishte fjalë (vendimi) e hershme nga Zoti yt për deri në një afat të caktuar do të kryhej (dënimi) me ta. Nuk ka dyshim se ata që e trashëguan librin prej tyre (prej të parëve) janë në dyshim të thellë ndaj tij (ndaj librit Tevratë e Inxhil).

42:15.      E për këtë shkak (të përçarjes së tyre), ti thirr dhe përqëndrohu ashtu si të është urdhëruar dhe mos shko pas sëshirave e thuaj: “Unë kam besuar në librat që i shpalli All-llahu, jam urdhëruar të mbajë drejtësi mes jush, All-llahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj; Ne kemi përgjegjësinë e veprave tona e ju të veprave tuaja, nuk ka polemikë mes nesh dhe jush; All-llahu bën tubimin mes nesh dhe vetëm te Ai është përfundimi.

42:16.      Ata që kundërshtojnë fenë e All-llahut pasi që asaj i janë përgjigjur (njerëzit), faktet e tyre janë të asgjësuara te Zoti i tyre, ata janë të përbuzur dhe ata do të kenë dënim të rëndë.

42:17.      All-llahu është Ai që e zbriti librin e vërtetë dhe drejtësinë. Ti nuk mund ta dish, ndoshta çasti i shkatërrimit është afër.

42:18.      Ata që nuk i besojnë atij, kërkojnë ngutjen e tij, ndërsa ata që i besojnë, i frikësohen dhe e dinë se ajo është e vërtetë. Ta dini se ata që bëjnë polemikë, duke dyshuar në momentin e katastrofës së përgjithshme, janë në një humbje të thellë.

42:19.      All-llahu është shumë bamirës për robërit e vet; Ai e begaton atë që do; Ai është i gjithfuqishmi, ngadhënjyesi.

42:20.      Kush është që dëshiron fitimin e botës tjetër (ahiretin), Ne do t’ia shtojmë fitimin e tij, e kush e dëshiron vetëm fitimin e kësaj bote, Ne ia japim, po në botën tjetër ai nuk ka hise.

42:21.      A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi All-llahu? Po, sikur të mos ishte fjala vendimtare (e All-llahut që shpërblimi dhe ndëshkimi të jenë në ahiret), do të kryhej dënimi mbi ta, e megjithatë, mohuesit do të kenë dënimi të dhembshëm.

42:22.      Do t’i shohësh jobesimtarët të frikësuar nga ajo që vepruan, po, ajo do t’u ndodhë atyre, kurse ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e Xhenneteve dhe ata kanë te Zoti i tyre çka të dëshirojnë; e kjo është ajo dhuntia e madhe.

42:23.      Ajo (dhunti) konsiston në atë që All-llahu u jep myzhde robërve të vet, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira. Thuaj: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time vetëm se respektin e dashurisë për hir të farefisnisë (akraballëkut)”. Kush bën ndonjë të mirë, Ne ia shumëfishojmë të mirat; vërtet, All-llahu falë mëkatet, është mirënjohës.

42:24.      A mos thonë ata se ai (Muhammedi) shpifi gënjeshtër ndaj All-llahut, e nëse dëshiron All-llahu ta mbyllë zemrën tënde, pse All-llahu eliminon të pavërtetën dhe me fjalët e veta e forcon të vërtetën. Ai është që e di çka ka në zemra.

42:25.      Ai është që pranon pendimin e robërve të vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni.

42:26.      Ai është që u përgjigjet (lutjeve të) atyre që besuan dhe bënë punë të mira dhe, nga mirësia e vet, ua shton atyre të mirat. Ndërsa, jobesimtarët kanë dënim të rreptë.

42:27.      Sikur All-llahu t’ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do të kalonin kufijtë, por Ai i furnizon me masë që dëshiron, sepse Ai është i njohur hollësisht dhe i dijshëm për robërit e vet.

42:28.      Dhe Ai është që e lëshon shiun, pasi që ata t’i kenë humbur shpresat dhe Ai shtrin mëshirën e vet; Ai është mbikëqyrësi i lavdëruari.

42:29.      Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyjat dhe Ai me fuqinë e Tij mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë.

42:30.      Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia), e për shumë të tjera Ai u falë.

42:31.      E ju nuk mund t’i ikni (ta mposhtni) dënimit në tokë dhe përveç All-llahut nuk keni as mbrojtës e as ndihmës.

42:32.      Dhe nga argumentet (që dokumentojnë fuqinë) e Tij, janë anijet lunduese nëpër det si të ishin kodra.

42:33.      Nëse do Ai, e ndal erën dhe ato ngelin të palëvizshme mbi sipërfaqen e ujit. S’ka dyshim se këto fakte ekzistojnë për secilin durimtarë e mirënjohës.

42:34.      Ose i përmbyt ata për shkak të asaj që vepruan, e për shumë të tjera Ai i falë.

42:35.      Ata që i kontestojnë argumenetet Tona, le ta dinë se nuk kanë shpëtim (nuk mund t’i shmangen dënimit).

42:36.      Çka u është dhënë nga ndonjë send, ajo është kënaqësi në këtë botë, e ajo që është te All-llahu është shumë më e mirë dhe e përjetshme, por pë ata që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i mbështeten:

42:37.      Dhe ata që u shmangën mëkateve të mëdha e të shëmtuara, dhe kur hidhërohen, ata falin,

42:38.      Edhe ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne ua japim ata e shpërndajnë,

42:39.      Edhe ata që kur i godit e padrejta, i kundërvihen.

42:40.      Ndëshkimi i të keqes, bëhet me një të keqe në të njejtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët.

42:41.      E kush hakmirret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi.

42:42.      Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm.

42:43.      Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).

42:44.      Atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë ndihmës tjetër, pos Tij. Do t’i shohësh zullumqarët që, kur të vërejnë dënimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë për rikthim (në dunja)?”

42:45.      Do t’i shohësh ata duke iu afruar atij (zjarrit) të frikësuar nga nënshtrimi, se si e shikojnë me bisht të syrit tinëzisht (me një shikim të vjedhur). Ata që besuan do të thonë: “Vërtet, të humbur në ditën e kijametit janë ata që e humbën vetveten dhe familjen e vet!” Ta dini pra, se mizorët janë në dënim të përjetshëm.

42:46.      Ata nuk kanë mbrojtës që t’u ndihmojë, përveç All-llahut, sepse atë që All-llahu e ka humbur, për të nuk ka rrugëdalje (shpëtim).

42:47.      Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj para se të vijë një ditë, që All-llahu nuk e kthen më (pasi ta ketë caktuar). Atë ditë ju nuk do të gjeni strehim dhe as nuk do të mund t’i mohoni (mëkatet).

42:48.      Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dërguar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin. Vërtet, kur Ne i dhurojmë njeriut nga ana Jonë ndonjë të mirë, ai gëzohet për të, e kur i godet ndonjë e keqe, që e ka merituar vetë, atëherë njeriu është përbuzës.

42:49.      Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetën femra atij që do; e i falë vetëm meshkuj atij që do.

42:50.      Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm.

42:51.      Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur All-llahu ndryshe, vetëm se me anën e frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i larti, më i urti.

42:52.      Po kështu me urdhërin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kur’ani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë,

42:53.      Në rrugën e All-llahut, të cilit i takon çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, e ta dini se të gjitha çështjet janë me vullnetin e All-llahut.