| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
43:1. Há, Mim.
43:2. Pasha librin (Kur’anin) sqarues!
43:3. S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kur’an arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni.
43:4. Dhe se në librin amzë (Levhi Mahfudh) te Ne, gëzon famë të lartë dhe është plot urtësi.
43:5. A thua Ne ta lëmë këshillimin ndaj ju e t’ju braktisim, pse ju jeni popull i shfrenuar?
43:6. E, sa pejgamberë kemi dërguar te popujt e lashtë?!
43:7. Dhe nuk u erdhi atyre asnjë pejgamber, e të mos tallen me të.
43:8. Andaj, Ne i zhdukëm ata që ishin më të fuqishëm se këta dhe shembulli i atyre të mëparshmive është përmendur më parë (në Kur’an).
43:9. Nëse ti i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt e tokën?” Me siguri do të thonë: “Ato i krijoi i gjithfuqishmi, i dijshmi!”
43:10. Ai që tokën e bëri djep për ju dhe mundësoi të keni rrugë nëpër të, e të mund të orientoheni (për qëllimet tuaja).
43:11. Dhe Ai që lëshon nga qielli ujë (shi) me masë. Ne i japim me të jetë një vendi të vdekur. Ja, kështu edhe ju do të nxirreni (të gjallë nga varrezat);
43:12. Dhe Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) dhe ju mundësoi të udhëtoni hypur në anije ose në kafshë.
43:13. Të uleni mbi to dhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që u dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për neve, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.
43:14. Dhe ne me siguri do të kthehemi te Zoti ynë!”
43:15. Megjithatë (pranuan se Zoti është i vetmi krijues), ata i përshkruan Atij pjesë (fëmijë) nga robërit e Tij. Njeriu i tillë njëmend është mohues i hapët.
43:16. A mos Ai nga ato që krijoi, për vete përcaktoi vajza, kurse juve u dalloi me djem?
43:17. E kur ndonjëri prej jush lajmërohet me (lindje të vajzës) atë që ia pat përshkruar Zotit shembull, fytyra e tij, nxihet dhe i zihet fryma.
43:18. A, atë që rritet me stoli, e në dialog është i paqartë (ia përshkruajnë Zotit)?
43:19. Edhe engjëjt që janë adhurues të Zotit i quajnë femra? A prezentuan ata krijimin e tyre (melekëve)? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.
43:20. Ata pastaj thanë: “Sikur të kishte dashur All-llahu, ne nuk do t’i adhuronim ata (as idhujt e as melaiket). Ata nuk kanë për këtë (që thonë) ndonjë fakt, ata vetëm gënjejnë”.
43:21. A mos u kemi dhënë ndonjë libër para tij (para Kur’anit), e ata i përmbahen atij?
43:22. Jo, por ata thanë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre”.
43:23. Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre”.
43:24. Ai tha: “A edhe nëse ju kam sjell rrugë më të mirë nga ajo që i gjetët të parët tuaj?” Ata thanë: “Ne nuk i besojmë asaj me çka ju jeni dërguar!”
43:25. Atëherë Ne ndërmorëm ndëshkime kundër tyre, e shih si ishte përfundimi i gënjeshtarëve.
43:26. (Përkujto, o i dërguar) Kur Ibrahimi babait të vet dhe popullit të tij i tha: “Unë jam i larguar prej asaj që adhuroni ju,
43:27. përveç Atij që më krijoi, dhe që Ai do të më drejtojë!”
43:28. Dhe ai (Ibrahimi) e la të përjetshme atë fjalë (besimin në një Zot) ndër pasardhësit e vet me shpresë që ata të kthehen prej rrugës së gabuar në rrugën e drejtë.
43:29. Por, Unë u dhashë mundësi këtyre dhe të parëve të tyre të kënaqen derisa nuk u erdhi e vërteta dhe i dërguari me fakte.
43:30. Po, kur u erdhi atyre e vërteta, ata thanë: “Kjo është magji dhe se ne kësaj nuk i besojmë!”
43:31. Pastaj thanë: “Përse të mos i ketë zbritur ky Kur’an një njeriu të madh nga dy qytete?”
43:32. A thua ata e përcaktojnë mëshirën (pejgamberllëkun) e Zotit tënd? Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë; Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime. E mëshira (caktimi për pejgamber) e Zotit tënd është shumë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë.
43:33. E sikur të mos ishte që njerëzit (do të lakmonin) të jenë të një feje (jobesimtarë), Ne atyre që nuk e besojnë Zotin do t’ua bënim pullazet e shtëpive të tyre nga argjendi si dhe shkallët nga argjendi, mbi të cilat ata do të ngriteshin.
43:34. E edhe dyert e shtëpive të tyre nga argjendi edhe kolltukët, mbi të cilët do të mbështeteshin.
43:35. Edhe stoli të ndryshme (ari etj.). E, të gjitha këto nuk janë gjë tjetër pos kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti është për besimtarët e ruajtur.
43:36. Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë.
43:37. E ata (djajt) do t’i shmangin nga rruga e drejtë, kurse (jobesimtarët) mendojnë se janë duke i udhëzuar.
43:38. E kur të vijë ai (jobesimtari) para Nesh, do të thotë: “Ah, të kishim qenë larg mes vete sa lindja me perëndimin; sa shok i keq je ti!”
43:39. Dhe sot, për shkak se ishit zullumqarë, shoqërimi juaj nuk do t’ju bëjë dobi në vuajtjet tuaja.
43:40. A mos ti do ta bësh të dëgjojë i shurdhëti, ose ta drejtosh të verbërin, apo atë që është zhytur në humbje të thellë?
43:41. E, nëse të tërheqim ty (të marrim jetën ose të shpërngulim), Ne patjetër do t’u hakmirremi atyre.
43:42. Ose, mund të bëjmë që ti ta shohësh atë që ne u premtuam (dënimin), ngase Ne kemi fuqi kundër tyre.
43:43. Andaj, ti përmbaju asaj që po të shpallet, e s’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë.
43:44. Dhe se ajo (shpallja) është lëvdatë e madhe për ty dhe për popullin tënd dhe për këtë (lëvdatë) më vonë do të përgjigjeni.
43:45. E ti, pra, pyeti ata të dërguarit që i dërguam para teje, a kemi lejuar që në vend të All-llahut të adhurohen zota të tjerë?
43:46. Ne e patëm dërguar Musain me argumentet tona te faraoni dhe rrethi i tij, e ai tha: “Unë jam i dërguari i Zotit të gjithësisë!”
43:47. E kur u solli ai argumentet Tona, ata u tallën me to.
43:48. Dhe Ne nuk u treguam asnjë mrekulli (ndëshkuese) që nuk ishin më të mëdha se njëra-tjetra dhe ashtu i ndëshkuam në mënyrë që të tërhiqeshin nga rruga që praktikonin.
43:49. De ata thanë: “O ti magjistar, lute për ne Zotin tënd sipas besës që të ka dhënë (të na largojë dënimin) se ne po besojmë!”
43:50. E kur ua hoqëm atyre dënimin, qe, ata e thyen besën.
43:51. Ndërsa, faraoni thirri popullin e vet e tha: “O popull imi, a nuk është imi pushteti i Egjiptit (i Misirit) dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin nën pallatin tim, a nuk po shihni?”
43:52. Pra, unë jam më i mirë se ky qyqar që mëzi flet!
43:53. Përse nuk i janë vënë atij bylyzykë nga ari, ose të kenë ardhur bashkë me të engjëjt shoqërues?
43:54. Dhe ashtu ai e frikësoi popullin e vet, e ata e respektuan, por ata ishin vërtet popull i shkatërruar.
43:55. Kur ata nxitën hidhërimin Tonë, Ne iu hakmorëm atyre dhe i përmbytëm të gjithë.
43:56. Dhe i bëmë ata shembull e përvojë për të tjerët.
43:57. Kur iu përmend popullit tënd si shembull biri i Merjemes, ata brohoritën.
43:58. Dhe thanë: “A janë më të mirë zotat tanë apo ai?” Ata nuk të thanë atë, vetëm si polemikë, por ata janë njerëz ngatrrestarë.
43:59. Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob, të cilin e bëmë pejgamber dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm si përvojë për beni israilët.
43:60. Po sikur të duam Ne, do të bënim prej jush engjëj që do t’ju zëvendësonin në tokë.
43:61. E ai (Isai) është parashenjë e momentit (e kijametit), pra kurrsesi mos dyshoni në të (në katastrofë) dhe eni pas meje kjo është rrugë e drejtë.
43:62. E të mos u pengojë djalli, se ai për ju është armik i hapët.
43:63. Po kur Isai erdhi me argumente tha: “Erdha te ju me pejgamberllëk dhe erdha t’ju sqaroj atë pjesë që e kundërshtonit, pra keni frikë All-llahun dhe më respektoni mua!
43:64. S’ka dyshim, All-llahu është Ai Zoti im dhe Zoti juaj, andaj Atë adhurojeni! Kjo është rrugë e drejtë!”
43:65. Dhe grupet u përçanë mes vete, e të mjerët ata që janë zullumqarë nga dënimi i ditës së dhembshme.
43:66. Nuk presim tjetër ato (grupe) përveç katastrofës t’u vijë befas duke mos e hetuar fare.
43:67. Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njeri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi.
43:68. (Atyre besimtarëve, që ishin shoqëruar për hir të Zotit, u thuhet): “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka as frikë për ju, e as që do të jeni të pikëlluar!”
43:69. (Robërit e Mi) të cilët besuan argumentet Tona dhe ishin myslimanë.
43:70. Hyni në Xhennet, ju she gratë tuaja, të gëzuar!
43:71. Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t’u dëshirojnë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë.
43:72. E ky është Xhenneti që u është dhënë për atë që keni punar.
43:73. Aty keni shumë pemë prej të cilave do të hani.
43:74. Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të Xhehennemit.
43:75. Atyre as nuk u lehtësohet (vuajtja) dhe aty janë të dëshpruar.
43:76. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë horra.
43:77. Dhe ata thërrasin: “O malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt!” ai thotë: “Ju do të jeni aty përgjithmonë!”
43:78. Ne u patëm sjellë të vërtetën, por shumica prej jush ishit urrejtës të së vërtetës.
43:79. A mos vëndosët për ndonjë çështje (grackë kundër Muhammedit), por edhe Ne kemi vendosur (ta ndihmojmë).
43:80. A mendojnë se Ne nuk dëgjojmë ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën mes tyre? Po, e dëgjojmë dhe të dërguarit tonë (engjëjt përcjellës) që janë pranë tyre, shkruajnë.
43:81. Thuaj: “Sikur Mëshiruesi (All-llahu) të kishte fëmijë, unë do të jem i pari adhurues (pse unë e di më së miri se ajo është gënjeshtër)!”
43:82. Larg asaj është Zoti i qiejve e i tokës, Zoti i Arshit, nga ajo që ata i përshkruajnë.
43:83. Po ti, lëri ata të zhyten edhe më thellë dhe të argëtohen derisa të arrijnë në ditën që u është përcaktuar.
43:84. Ai është që në qiell është All-llah dhe në tokë All-llah, Ai është i urti, i dijshmi.
43:85. I lartësuar qoftë Ai, që vetëm i tij është sundimi i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre dhe vetëm Ai di për momentin e kijametit dhe te Ai ktheheni.
43:86. Ata që i adhuruan pos Tij, nuk mund të ndërmjetësojnë (të bëjnë shefaat), përveç kush dëshmoi të vërtetën, e ata e dinë.
43:87. Po nëse ti i pyet: Kush i krijoi ata, me siguri do të thonë: “All-llahu!” E si pra, i kthejnë shpinën?
43:88. (Zoti e di) Edhe thënien e tij (të Muhammedit): “O Zoti im, këta janë një popull që nuk beson!”
43:89. (E, Zoti iu përgjegj): Hiqu tyre pra, dhe thuaj: “Qofshin braktisur, e më vonë do ta kuptojnë!” |