| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
44:1. Há, Mim.
44:2. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)!
44:3. Ne e zbritëm ate në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm.
44:4. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.
44:5. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar.
44:6. (E zbritëm) Nga Mëshira e Zotit tënd; Ai është dëgjuesi, i dijshmi.
44:7. Zoti i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre, nëse jeni të bindur.
44:8. Nuk ka Zot tjetër, vetëm Ai që jep jetë e vdekje, Zoti juaj dhe Zoti i prindërve tuaj të lashtë.
44:9. Por jo, ata (idhujtarët) janë në dyshim, janë duke luajtur.
44:10. Ti pra, prite ditën kur qielli sjell një tym konkret.
44:11. Ai (tymi) i përfshinë njerëzit. Ky është një ndëshkim i mundimshëm.
44:12. (Ata thonë) Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin, ne do të besojmë.
44:13. Prej nga atyre ajo këshillë (ai mësim), kur atyre u pat ardhur pejgamber me argument (e nuk besuan)?
44:14. Po ia kthyen shpinën atij (pejgamberit) dhe i thanë: “I mësuar prej dikujt, i çmendur”.
44:15. Ne do t’ua largojmë dënimin për pak kohë, por ju do t’i ktheheni kotësisë.
44:16. (Përkujto) Ditën kur do t’i kapim me atë rrëmbimin Tonë të fuqishëm e do t’u hakmerremi.
44:17. Ne përpara tyre e vumë në sprovë popullin e faraonit, dhe i pat ardhur i dërguar i ndershëm.
44:18. (U pat thënë): “Të m’i dorëzoni robërit e All-llahut, se unë jam i dërguar besnik te ju.
44:19. E mos bëni mendjemadhësi ndaj All-llahut, unë sjell argument të sigurt.
44:20. Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj nga (Kërcënimi) që të më gurëzoni (më mbytni).
44:21. E nëse nuk më besoni atëherë hiqnu meje (më lini të lirë)!”
44:22. E thirri Zotin e vet: “Këta janë popull kriminelë”.
44:23. (Ne i thamë) Tërhiqu me robërit e Mi natën, se do të jeni të ndjekur.
44:24. Dhe lëre detin ashtu të qetë (të hapur) se ata janë ushtri që do të përmbytet.
44:25. Sa kopshte e kroje kanë lënë!
44:26. Edhe ara të mbjella e vende të bukura.
44:27. Dhe sa të mira që i kanë përjetuar.
44:28. Ja, ashtu atë ua lëmë në trashëgim një populli tjetër.
44:29. Për ta nuk qajtën as qielli e as toka dhe atyre nuk iu dha afat.
44:30. Ndërsa Ne i shpëtuam beni israilët prej vuajtjeve nënçmuese,
44:31. Prej faraonit. Vërtet ai ishte mizor i pakufishëm.
44:32. Ne i patëm zgjedhur ata (besimtarët beni israilitë) me vetëdije ndër njerëzit e asaj kohe.
44:33. Dhe u dhamë argumente (mrekulli) në të cilat patën përvojë të qartë.
44:34. E këta (populli yt) me siguri do të thonë:
44:35. “S’ka tjetër, vetëm ajo vdekja jonë e parë dhe ne nuk do të ringjallemi!
44:36. Nëse jeni të vërtetë çka thoni (u thonë Muhammedit e besimtarëve), na sillni pra (në jetë) etërit tanë (të vdekur)!
44:37. A janë ata (idhujtarët) më të fortë, apo populli i Tubeit dhe ata që ishin përpara tyre. Ne ata i zhdukëm, sepse ishin kriminelë.
44:38. Ne nuk i krijuam qiejt e tokën dhe çka ka ndërmjet tyre, pa një qëllim.
44:39. Por, Ne i krijuam të dyja me qëllim të caktuar, mirëpo shumica e tyre nuk dinë.
44:40. S’ka dyshim se dita e kijametit ku kryhet gjykimi, është caktim i të gjithë atyre.
44:41. Në atë ditë nuk bën dobi asgjë miku për mikun, e as nuk mund të ndihmohen.
44:42. Përjashtim bën ai që e mëshiron All-llahu, se Ai është ngadhnjyesi, i mëshirshmi.
44:43. Është e vërtetë se pema e Zekumit,
44:44. Do të jetë ushqim i mëkatarëve.
44:45. Vlon si katran (si pezhgveja) në barqet.
44:46. Ashtu si vlon uji i valë.
44:47. (U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbene e grahne në mes të Xhehennemit.
44:48. Dhe hidheni mbi kokën e tij ujin e valë e shtojani mundimin.
44:49. (I thuhet): Shijoje! se ti je ai i forti, i autoritetshmi.
44:50. E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit.
44:51. Vërtet, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta.
44:52. Janë në Xhennete e në burime që rrjedhin.
44:53. Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë.
44:54. Ja kështu, edhe i martojmë më bardhoshe symëdha (me hyrija).
44:55. Aty kërkojnë t’u sillen çdo lloj peme dhe aty janë të sigurt.
44:56. Aty nuk do të përjetojnë vdekjen, përveç asaj të parës në dunja. Ata i shpëtoi (All-llahu) prej vuajtjeve të Xhehennemit.
44:57. (Ato të mira) Janë dhuratë nga Zoti yt, e ai është shpëtim i madh.
44:58. Ne ua bëmë të lehtë atë (Kur’anin) në gjuhën tënde ashtu që ata të marrin mësim.
44:59. (Meqë nuk po marrin mësim) Ti pra, prit se edhe ata janë duke pritur. |