HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


47. Muhammed

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

47:1.        Ata të cilët vetë nuk besuan dhe penguan edhe të tjerët nga rruga e All-llahut, Ai ua ka asgjësuar veprat e tyre.

47:2.        Ndërsa atyre që besuan, bënë vepra të mira dhe atë që iu shpall Muhammedit e besuan, e ajo është e vërtetë prej Zotit të tyre, Ai atyre ua shlyen mëkatet dhe ua përmirëson gjendjen.

47:3.        Kjo është kështu, ngase ata që nuk besuan ndoqën të pavërtetën, e ata që besuan ndoqën të vërtetën që u erdhi prej Zotit të tyre. Kështu All-llahu u sjell njerëzve shebmujt e tyre.

47:4.        Pra, kur t’i takoni në (luftë) ata që nuk besuan mëshojuni në qafë (mbytni) derisa t’i rraskapitni, atëherë lidhni, e pastaj, ose lidhni ose kërkoni dëmshpërblim përderisa lufta të mos pushojë. Kështu pra, po sikur të dojë All-llahu, Ai do të hakmerrej ndaj tyre, por Ai dëshiron t’ju sprovojë njërin me tjetrin. E ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut, atyre kurrsesi nuk ua humb veprat (por ua shton).

47:5.        Ata do t’i udhëzojë dhe do të përmirësojë gjendjen e tyre.

47:6.        Dhe do t’i shtie në Xhennetin, të cilin ua ka bërë të njohur atyre.

47:7.        O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) All-llahun, Ai u ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.

47:8.        E atyre që nuk besuan, ata qofshin të përmbysur, Ai atyre ua ka asgjësuar veprat.

47:9.        Këtë për shkak se ata e urrejtën atë që e zbriti All-llahu, prandaj atyre ua zhduk veprat.

47:10.      A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si ishte mbarimi i atyre që ishin përpara tyre e që All-llahu ata i rrënoi, e edhe mosbesimtarët (mekas) i pret shembulli i tyre.

47:11.      Këtë ngase All-llahu është mbrojtës i atyre që besuan, kurse për jobesimtarët nuk ka mbrojtje.

47:12.      Ata që besuan dhe bënë vepra të mira All-llahu do t’i shtie në Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj, e ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e veni i tyre ëshrtë zjarri.

47:13.      Se sa (popullatë) qytetesh që ishin shumë më fortë se qyteti nga i cili të dëbuam ty, Ne i kemi shkatërruar dhe për ta nuk pati ndihmëtar.

47:14.      A është i njejtë ai, që është i mbështetur në argument të qartë prej Zotit të vet, si ai që veprat e tij të këqia i janë hijeshuar dhe ndjekin epshet e veta?

47:15.      Shembulli i Xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm) në të cilin ka lumenj me ujë për pije, lumenj mga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre (a është i njejtë) a si ai që është përgjithmonë në zjarr dhe u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre?

47:16.      Prej tyre ka asish që vijnë të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u drejtohen atyre që kanë dije e u thonë: “Çka tha ai (Muhammedi) më parë?” Ata janë zemrat e të cilëve ua ka vulosur All-llahu e ata udhëhiqen pas dëshirave të veta.

47:17.      Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton edhe me udhëzimin në rrugën e drejtë dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të matur.

47:18.      Po ata a presin tjetër, pos kijametit, i cili do t’u vijë befas, e parashenjat e tij tashmë kanë ardhur. E prej nga atyre këshillimi (pendimi) kur t’u vijë kijameti?

47:19.      Atëherë, dije se nuk ka Zot tjeter pos All-llahut, kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve, All-llahu e di për lëshimet tuaja (për vepra) dhe për vendin tuaj.

47:20.      E ata që besuan po thonë: “Përse të mos shpallet një sure (që na e obligon luftën)?” E kur u shpall sureja e qartë dhe në të u përmed lufta, i sheh ata, të cilët kanë zemra të sëmura (të dyshimta), të shikojnë me një shikim si të ishin në agoni të vdekjes. I gjetë e keqja!

47:21.      Një respekt dhe një fjalë e mirë (do të ishte më e mirë për ta). E kur çështja (e luftës) të jetë vendosur, do të ishte mirë për ata të jenë besnik ndaj All-llahut.

47:22.      A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?

47:23.      Të tillët janë që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verbëroi të parit e tyre.

47:24.      A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!

47:25.      Nuk ka dyshim se ata që u kthyen prapa (në mosbesim) pasi që u ishte sqaruar rruga e drejtë, djalli ua hijeshoi dhe shpresë të rrejshme u premtoi.

47:26.      Këtë ngase atyre që e urrejtën atë që e shpalli All-llahu (jehudive), u than: “Ne do t’ju dëgjojmë juve për disa çështje!” Po All-llahu i di fshehtësitë e tyre.

47:27.      E si do të jetë atëherë puna e tyre kur engjëjt t’ua marrin shpirtin duke i rrahur fytyrave dhe shpinave të tyre?

47:28.      E atë (dënim) për shkak se ata ndoqën rrugë të cilën All-llahu e urren, kurse e urrejtën atë që Ai e pëlqen, prandaj ua asgjësoi veprat e tyre.

47:29.      A menduan atë që në zemrat e tyre kanë dyshim, se All-llahu nuk do të zbulojë mllefin e tyre?

47:30.      E sikur të kishim dashur Ne, do t’i tregonim ty se kush janë ata, e do ti njihje konkret po me siguri do t’i njohësh përmes mënyrës së fjalës së tyre, e All-llahu i di veprat tuaja.

47:31.      Ne do t’u sprovojmë juve, derisa t’i njohim (të dihen konkretisht) luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do të sprovojmë veprat tuaja.

47:32.      Ata që nuk besuan dhe penguan të tjerët nga rruga e All-llahut edhe pse u ishte sqaruar rruga e drejtë, e kundërshtuan të dërguarin, ata asgjë nuk mund t’i bëjnë dëm All-llahut dhe Ai do t’ua zhduk veprat e tyre.

47:33.      O ju besimtarë, respektojeni All-llahun dhe respektojeni të dërguarin, e mos i çoni kot veprat tuaja!

47:34.      Ata që nuk besuan dhe penguan të tjerët nga rruga e All-llahut, e pastaj vdiqën duke qenë jobesimtarë, All-llahu kurrsesi nuk do t’ju falë atyre.

47:35.      Pra, mos u dobësoni e të kërkoni pajtim (armëpushim), kur ju jeni ngadhnjyes dhe All-llahu është me ju dhe nuk u pakëson veprat tuaja.

47:36.      Vërtet, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e dëfrim, e nëse besoni dhe ruheni prej të këqijave, Ai u jep shpërblimin tuaj dhe nuk kërkon pre jush tërë psurinë tuaj (por një pjesë).

47:37.      Pse sikur ra kërkojë tërë atë dhe t’ju shtrëngojë, ju do të bëni koprraci dhe do të dalë në shesh ajo që keni në zemra.

47:38.      Ja, ju jeni ata që ftoheni për të dhënë në rrugën e All-llahut (për luftë kundër armikut tuaj), e dikush prej jush bën koprraci, e kush bën koprraci, ai bën kundër vetvetes, All-llahu s’ka nevojë, e ju jeni të varfër (keni nevojë). Po nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.