| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
50:1. Kaf, pasha Kur’anin e lavdishëm (do të ringjalleni)!
50:2. Por jo, ata u çuditën që u erdhi i dërguari (qortues) nga mesi tyre, andaj jobesimtarët thanë: “Kjo është diçka shumë e çuditshme.
50:3. A pasi të vdesim e të bëhemi dhe (do të kthehemi në jetë)? Ai kthim është larg (mendjes e mundësisë)!”
50:4. Ne dimë se ç’pakësohet (ç’tret) toka prej tyre. Te Ne është edhe libri që ruan çdo gjë (numrin e tyre, emrat, pjesët e trupit).
50:5. Ata përgënjeshtruan të vërtetën kur ajo u erdhi dhe ata janë në gjendje të luhatshme.
50:6. A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti.
50:7. Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura.
50:8. (I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti).
50:9. Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe më të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra të korren.
50:10. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me frua të paluara njëri mbi tjetrin.
50:11. Ushqim për njerëz, dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja.
50:12. Para tyre përgënjeshtruan populli i Nuhut, banorët e Bunarit (të pusit) dhe Themudi.
50:13. Edhe Adi, edhe Faraoni dhe vëllezërit e Lutit.
50:14. Edhe banorët e Ejkes, populli i Tubbeit. Të gjithë i përgënjeshtruan të dërguarit, atëherë e merituan dënimin Tim.
50:15. A mos u lodhëm Ne me krijimin e parë? Jo, por ata janë në një huti rreth një krijimi të ri.
50:16. Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpëritë ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij.
50:17. Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë.
50:18. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.
50:19. Agonia e vdekjes i vjen me atë të vërtetën (i zbulohet çështja e ahiretit); kjo është ajo prej së cilës ke ikur.
50:20. Dhe i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim).
50:21. E do të vijë secili njeri bashkë me të dhe grahësi edhe dëshmitari.
50:22. (I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta tërhoqëm perdën tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë.
50:23. E shoku (përcjellësi) i tij do të thotë: “Kjo që është te unë (regjistri i veprave) është gati.
50:24. Ju të dy (engjëjt) hidheni në Xhehennem secilin mohues kryeneç.
50:25. Secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fe.
50:26. I cili All-llahut i shoqëroi Zot tjetër, pra hidheni atë në vuajtjet më të rënda”.
50:27. E shoku i tij (djalli) thotë: “Zoti ynë, unë nuk u shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg”.
50:28. Ai (All-llahu) thotë: “Mos u grindni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen.
50:29. Tek Unë nuk ndryshon fjala (vendimi) dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit”.
50:30. (Përkujto) Ditën kur Ne Xhehennemit i themi: “A je mbushur?” E, ai thotë: “A ka ende?”
50:31. Ndërsa besimtarëve të ruajtur Xhenneti u afrohet krejt afër.
50:32. Kjo është ajo që u premtohet për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë.
50:33. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë.
50:34. (U thuhet) Hyni në te, të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme.
50:35. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.
50:36. E sa e sa brezni para ty e kemi shkatërruar e që ishin më të fortë e më të shkathët se këta (idhujtarët kurejshitë). Ata brodhën andej e këndej nëpër tokë (për t’i ikur vdekjes). Por, a mos gjetën rrugëdalje?
50:37. Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë me vëmendje, ka argumente.
50:38. Ne krijuam qiejt e tokën dhe gjithçka ka ndërmjet tyre brenda gjashtë ditesh dhe Ne nuk ndiem lodhje.
50:39. Po ti (Mumahed) me durim përballo atë që ata të thonë, para lindjes së diellit dhe para përendimit madhëro me falënderim Zotin tënd.
50:40. Falu për hirë të Tij edhe në një pjesë të natës edhe pas sexhdes (pas namazit farz).
50:41. Dhe vëni veshin thirrësit kur thërret nga ndonjë vend i afërt.
50:42. Ditën kur e dëgjojnë thirrjen për të vërtetën (ringjalljen), e ajo është dita e daljes (prej varrezave).
50:43. S’ka dyshim se Ne japim vdekje dhe vetëm te Ne është kthimi i tyre.
50:44. Ditën kur me ata hapet toka e ata nguten (për vendtubim), e ai është një tubim i lehtë për Ne.
50:45. Ne dimë më së miri çka thonë ata, e ti ndaj tyre nuk je ndonjë dhunues, ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim. |