HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


54. Kamer

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

54:1.        Momenti (i katastrofës së përgjigjthshme) është afruar, e hëna është çarë (në dysh).

54:2.        Po ata (idhujtarët) edhe nëse shohin ndonjë argument (mrekulli) zbrapsen e thonë: “Kjo është magji e vazhdueshme!”

54:3.        Dhe përgënjeshtruan, e ndoqën dëshirat e veta, por çdo çështje arrinë cakun e fundit.

54:4.        Atyre u patën ardhur aso lajmesh (të popujve të lashtë), ku ka mjaft qortime, (për ata që kuptojnë).

54:5.        Urtësi e përsosur (është Kur’ani)! Po sa bëjnë dobi qortimet!

54:6.        Pra, largohu prej tyre. ditën kur thirrësi (Israfili) kumton një send të tmerrshëm.

54:7.        Dalin prej varreve, e si karkaleca të shpërndarë e me shikim ë përulur.

54:8.        Duke shpejtuar drejt atij që i thërret, e, jobesimtarët thonë: “Kjo është ditë e vështirë”.

54:9.        Populli i Nuhut që ishte para tyre përgënjeshtroi, dhe robin Tonë (Nuhun) e quajti rrenacak dhe thanë: “I marrë!” dhe iu bë kërcënim.

54:10.      E ai iu drejtua Zotit të vet: “Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!”

54:11.      Atëherë Ne me një shi të vrullshëm i hapëm dyert e qiellit.

54:12.      Dhe Ne tokën e zbërthyem në burime uji, kurse uji u bashkua siç ishte caktuar.

54:13.      E atë (Nuhun) e bartëm në (anije) dërrasash e shtyllash të gojëzuara.

54:14.      Që lundronte në mbikëqyrjen Tonë. (I fundosëm) Si ndëshkim për atë (Nuhun) që ishte mohuar (përbuzur).

54:15.      Atë (ngjarje) Ne e lamë kujtim, po a ka ndokush që merr mësim?

54:16.      E çfarë ishte ndëshkimi Im dhe kërcënimi Im!

54:17.      Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?

54:18.      Adi përgënjeshtroi, e çfarë ishte ndëshkimi Im dhe kërcënimi?

54:19.      Atyre Ne një ditë fatkeqe të përjetshme u lëshuam një erë të fortë.

54:20.      I ngriste njerëzit si të ishin trupa hurmash të shkulura.

54:21.      Dhe çfarë ishte ndëshkimi Im dhe vërejtja Ime?

54:22.      Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për të kuptuar, a ka ndokush që merr këshillë?

54:23.      Themudi përgënjeshtroi të dërguarit.

54:24.      E thamë: “A të shkojmë pas një të vetmit njeri që doli nga mesi ynë, po Ne atëherë do të jemi të humbur në një marrëzi!”

54:25.      A, atij nga mesi jonë iu dha shpallja? Jo, por ai është një gënjeshtar mendjemadh.

54:26.      Mirëpo ata nesër do të kuptojnë se kush është gënjeshtari, mendjemadhi!

54:27.      Ne atyre do t’ua dërgojmë deven si sprovë e ti vetëm vështro dhe bën durim.

54:28.      Dhe lajmëroji ata se uji është i ndarë për ta veç e veç, secili do të paraqitet për të pirë ujë në rendin e vet.

54:29.      Po ata e ftuan shokun e vet, e ai mori dhe e theri atë.

54:30.      E çfarë ishte ndëshkimi Im dhe kërcënimi Im?

54:31.      Ne lëshuam kundër tyre një ushtimë, e ata u bënë si shtrojë vathi. (Mbeturinë e ushqimit të kafshëve që u shtohet).

54:32.      Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për këshillë, po a ka ndokush që merr mësim?

54:33.      Populli i Lutit i përgënjeshtroi vërejtjet e pejgamberit të vet.

54:34.      Ne atyre, përveç familjes së Lutit të cilën e shpëtuam para se të agonte, u lëshuam një erë që solli gurë mbi ta.

54:35.      (Shpëtimi ishte) Një mirësi nga ana Jonë, ashtu Ne shpërblejmë atë që falënderon.

54:36.      Ai (Luti) u pat tërhequr vërejtjen atyre për dënimin Tonë të rëndë, por ata dyshuan në ato kërcënime.

54:37.      Ata deshën t’u afrohen mysafirëve të tij Ne ua verbëruam sytë atyre, pra përjetoni ndëshkimin Tim dhe qortimet e Mia!

54:38.      E, atyre në një mëngjes të hershëm u erdhi dënimi i përhershëm.

54:39.      Pra, vuajeni dënimin Tim dhe qortimin Tim!

54:40.      Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për të studiuar, a ka ndokush që merr përvojë nga ai?

54:41.      Edhe rrethit të faraonit i patën ardhur shumë vërejtje.

54:42.      Ata i përgënjeshtruan të gjitha argumentet Tona, prandaj Ne i dënuam ashtu siç është dënimi i një ngadhënjyesi, i një fuqiploti.

54:43.      A jobesimtarët tuaj janë më të vlefshëm se ata që u përmendën, apo ju keni ndonjë kontratë në librat e qiellit?

54:44.      A mos po thonë: “Ne jemi një grup ngadhënjyes tok të bashkuar?”

54:45.      Grupi, do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa.

54:46.      Por jo, afati i tyre është kijameti, e kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.

54:47.      S’ka dyshim se idhujtarët kriminelë, janë edhe në një huti edhe në zjarr të madh.

54:48.      Ditën kur me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr. “Vuajeni dënimin Sekar”. (emër i një Xhehennemi).

54:49.      Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar.

54:50.      Puna Jonë (në krijim) është e shpejtë sa çel e mshel sytë.

54:51.      Ne, ata që ishin si ju i shkatërruam, a ka ndokush që merr mësim?

54:52.      Dhe çdo gjë që ata e punuan, gjendet (e shkruar) në shënime.

54:53.      Dhe çdo vepër, qoftë e vogël dhe qoftë e madhe është rradhitur (evidentuar në Lehvi Mahfudh).

54:54.      Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në Xhennete e në lumenj.

54:55.      Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i plotfuqishëm (te All-llahu).