| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
57:1. All-llahun e lartësoi me adhurim ç’ka në qiej e në tokë dhe Ai është i gjithfuqishmi, i urti.
57:2. I Tij është pushteti në qiej e në tokë, Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje dhe Ai ka fuqi për çdo send.
57:3. Ai është i pari që s’ka fillim dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë.
57:4. Ai është që krijoi qiejt dhe tokën vetëm për gjashtë ditë, pastaj mbisundoi Arshin. Ai e di çka futet në tokë dhe çka del prej saj, çka zbret nga qiellit dhe çka ngritet në të, dhe Ai është me ju kudo që të jeni, All-llahu është përcjellës i asaj që punoni.
57:5. Vetëm i Tij është sundimi i qiejve dhe i tokës dhe vetëm tek All-llahu kthehen të gjitha çështjet.
57:6. Ai e ngërthen (e zgjaton) natën në ditë dhe e ngërthen (zgjaton) ditën në natë dhe Ai është që i di të fshehtat në gjoksa.
57:7. Besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh.
57:8. Ç’keni ju që nuk i besoni All-llahut, kur i dërguari i Tij ju thërret t’i besoni Zotit tuaj, nëse jeni besimtarë (o sot o kurrë).
57:9. Ai robit të vet i shpall argumente të qarta për t’iu nxjerrë juve prej errësirave në dritë. E, s’ka dyshim se All-llahu është i butë e i mëshirshëm ndaj jush.
57:10. E, ç’keni ju që nuk jepni për në rrugën e All-llahut, kur dihet se All-llahut i mbesin trashëgim qiejt e tokë? Nuk janë të barabartë prej jush ata që dhanë nga pasuria e tyre dhe luftuan para çlirimit, sepse të tillët kanë vlerë më të madhe nga ata që dhanë dhe luftuan pas. Por të gjithëve All-llahu u premtoi të mirat; All-llahu di çka punoni.
57:11. Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë e që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe ai ka një shpërblim të mirë.
57:12. (Përkujto) Ditën kur i sheh besimtarët dhe besimtaret që drita e tyre flakëron para tyre dhe në të djathtë të tyre. (U thuhet) Myzhde e juaj sot janë Xhennetet nën të cilat rrjedhin lumenj, aty do të jeni përgjithmonë. E ajo është fitore e madhe.
57:13. Ditën kur hipokritët dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: “Na pritni (ose na shikoni) të ndriçohemi prej dritës suaj!” U thuhet: “Kthehuni prapa jush (në dunja) e kërkoni ndonjë dritë!” Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (Xhenneti), e ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri).
57:14. (Hipokritët e mbetur në errësirë) I thërrasin ata (besimtarët): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!? (Besimtarët përgjigjen): “Po, por ju e shkatërruat veten (me hipokrizi), ju prisnit kob të zi për besimtarët, ju dyshonit në çëshjtet e fesë dhe ju mashtruan shpresat e kota deri kur ju erdhi caktimi i All-llahut (vdekja) dhe ashtu, përkitazi me All-llahun, mashtruesi ju mashtroi.
57:15. E sot, prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi juaj është zjarri, ai është ndihma juaj: sa përfundim i keq është ai”.
57:16. A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e All-llahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.
57:17. Dijeni se All-llahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Ne ua kemi sqaruar argumentet ashtu që të kuptoni.
57:18. S’ka dyshim se ata që japin lëmoshë (sadaka) dhe që sinqerisht japin për hir të All-llahut, atyre u shumëfishohet dhe ata kanë shpërblim të madh.
57:19. Ata që besuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit dhe dëshmorët tek Zoti i tyre, ata kanë shpërblimin e vet dhe dritën e vet, ndërsa ata që e mohuan dhe përgënjeshtruan faktet Tona, ata janë banues të Xhehennemit.
57:20. Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues.
57:21. Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe Xhennetit që gjërsia e tij është si gjerësia e qiellit e e tokës, i përgatitur për ata që i besuan All-llahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e All-llahut që ia jep kujt të dojë, e All-llahu është dhurues i madh.
57:22. Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër - Levhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për All-llahun është lehtë.
57:23. Ashtu që të mos dëshproheni tepër për atë që u ka kaluar, e as të mos gëzohi tepër me atë që Ai u ka dhënë, pse All-llahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve.
57:24. Të cilët vetë bëjnë koprraci dhe me koprraci i këshillojnë njerëzit. E kush largohet prej dhënies, le ta dijë se All-llahu është i begatshëm, i lavdishëm.
57:25. Ne i dërguam të dërguarit Tonë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz, e edhe për t’u ditur tek All-llahu se kush ndihmon Atë (rrugën e Tij) dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës. S’ka dyshim se All-llahu është i fuqishëm, mbizotërues.
57:26. Ne Nuhun dhe Ibrahimin i zgjodhëm të dërguar e pasardhësve të atyre dyve ua dhamë pejgamberllëkun dhe librin, e disa prej tyre i udhëzuan në rrugë të drejtë po shumë prej tyre mbetën jashtë rrugës.
57:27. Pastaj vazhduam pas tyre me të dërguarit Tanë, e pas tyre dërguam Isain të birin e Merjemes dhe atij i dhamë Inxhillin, e në zemrat e ithtarëve të tij dhuruam butësi e mëshirë, ndërsa murgësinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë obligim atyre, mirëpo edhe pse kishin për qëllim me të vetëm të arrijnë kënaqësinë e All-llahut, ata nuk iu përmbajtën asaj si duhet përmbajtur, prandaj atyre që besuan, Ne u dhamë shpërblimin e tyre, po shumica prej tyre janë mëkatarë (jobesimtarë).
57:28. O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit të Tij, se Ai ju jep dyfish nga mëshira e tij, ju dhuron dritë që ecni me të, ju falë mëkatet tuaja All-llahu është mekatfalës, mëshirues.
57:29. Le ta dinë ithtarët e librit se ata nuk kanë asgjë në dorë nga mirësia e All-llahut dhe se e gjithë e mira (pejgamberllëku, shpallja) është në dorë të All-llahut, e Ai ia jep kujt të dojë, All-llahu është dhurues i madh. |