HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


59. Hashr

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

59:1.        All-llahun e madhëron me tesbih (duke i mohuar ato që nuk i takojnë atij) gjithçka ka në qiej dhe gjithçka ka në tokë, e Ai është i fuqishmi, i urti.

59:2.        Ai është që në dëbimin e parë i nxori prej shtëpive të tyre ata nga ithtarët e librit, të cilët nuk besuan. Ju nuk menduat se ata do të dalin, e ata menduan se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të All-llahut, po All-llahu u erdhi atyre nga nuk e kishin menduar dhe në zemrat e tyre hodhi frikën ashtu që me duart e veta dhe me duar të besimtarëve rrëzonin shtëpitë e veta; pra merrni përvojë o ju të zotët e mendjes.

59:3.        Sikur All-llahu të mos u kishte caktuar atyre shpërnguljen, ata do t’i ndëshkonte në këtë jetë, kurse në jetën tjetër ata e kanë dënimin e zjarrit.

59:4.        Këtë për shkak se e kundërshtuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Pra, kush e kundërshton All-llahun, s’ka dyshim se All-llahu është ndëshkimfortë.

59:5.        Ju nuk këputët asnjë nga hurmat e buta (fidanët) ose atë e keni lënë të ngriur në rrënjët e tye, vetëm se me lejen e All-llahut e për t’i shtypur kundërshtarët.

59:6.        E atë (Pasuri) që prej tyre All-llahu ia ktheu të dërguarit të vet, ju për të nuk i keni ngarë as kuajt, as devetë, por All-llahu i bën mbizotëruesit të dërguarit e vet kundër kujt të dojë, All-llahu ka fuqi mbi çdo send.

59:7.        Atë që All-llahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit, të vet, ajo i takon All-llahut, të dërguarit, të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. Çka t’ju jep Pejgamberi, atë merreni e çka t’ju ndalojë, përmbanju dhe keni frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.

59:8.        (Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej All-llahut, dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit.

59:9.        Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin te ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.

59:10.      Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!”

59:11.      A nuk e ke ditur se ata që u bënë hipokritë, u thoshin vëllezërve të vet nga ithtarët e librit që nuk kishin besuar: nëse ju dëboheni, edhe ne do të dalim me ju, për çështjen tuaj, ne kurrë nuk do t’i bindemi askujt (t’ju luftojmë ose t’ju nënshtrojmë), e nëse luftoheni prej dikujt, ne gjithqysh do t’u ndihmojmë. All-llahu dëshmon se ata janë rrenacakë!

59:12.      Sikur të dëbohen ata (ithtarët e librit), nuk do të dilnin me ta edhe sikur të luftoheshin, nuk do t’u ndihmojnë atyre, po edhe sikur t’u ndihmonin atyre, ata do të iknin prapa, e ata do të mbesin pa ndihmën e tyre.

59:13.      Ju (besimtarët) në zemrat e tyre (të munafikëve) jeni frikë më e fortë se All-llahu (frika nga All-llahu). Kjo për shkak se ata janë popull që nuk kuptojnë.

59:14.      Ata të gjithë së bashku nuk kanë guxim t’ju luftojnë, vetëm kur gjenden në ndonjë vend të fortifikuar ose kur janë pas ndonjë muri. Armiqësia ndërmjet tyre është e ashpër. Mund të mendohet për ta se janë të bashkuar, e në realitet zemrat e tyre janë të përçara, sepse janë njerëz që nuk logjikojnë.

59:15.      Si shembulli i atyre jo fort moti që përjetuan të keqen e punës së vet, edhe ata kanë një dënim të rëndë.

59:16.      Ata (hipokritët) janë shembull si djalli, kur i thotë njeriut: “Refuzo besimin!”, e kur ai ta ketë refuzuar, ai (djalli) tërhiqet e thotë: “Unë tërhiqem prej teje; unë i frikohem All-llahut, Zotit të gjithësisë!”

59:17.      Dhe ashtu, ata të dy do të përfundojnë në zjarr përgjithmonë. Ai është ndëshkim i zullumqarëve.

59:18.      O ju që besuat, keni parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe keni frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni!

59:19.      E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit.

59:20.      Nuk janë të barabartë ata të Xhennetit dhe ata të Xhehennemit. Banuesit e Xhennetit janë ata fatbardhë që ia kanë arritur qëllimit.

59:21.      Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.

59:22.      Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër; vetëm Ai, që e di të fshehtën dhe të dukshmen, Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi!

59:23.      Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i mvishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), sigurues (që siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli) mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i plotfuqishëm, mbizotërues, i madhërishëm. I lartësuar është All-llahu nga çka i shoqërojnë!

59:24.      Ai është All-llahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (All-llahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, i urti!