| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
61:1. All-llahun e madhëroi çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, e Ai është mbizotëruesi, i urti.
61:2. O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni?
61:3. Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!
61:4. All-llahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar si të jetë ndërtesë e fortifikuar.
61:5. Dhe, (rikujto) kur Musai popullit të vet i tha: “O popull imi, pse më shqetësoni kur e dini se me të vërtetë unë jam i dërguar i All-llahut te ju!” E kur ata u shmangën (nga e vërteta), All-llahu i largoi zemrat e tyre, pse All-llahu nuk e vë në rrugë të drejtë popullin e prishur.
61:6. Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”.
61:7. E kush është më mizor se ai që për All-llahun shpif gënjeshtrën, kur ai thirret për në fenë islame; po All-llahu nuk i ofron udhëzimin për në rrugën e drejtë popullit zullumqarë.
61:8. Ata duan ta shuajnë dritën e All-llahut me gojët e tyre, po All-llahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët.
61:9. Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërguarin e vet me udhëzim të qartë e fé të vërtetë për ta bërë mbizotërues mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë.
61:10. O ju që keni besuar, a t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm:
61:11. T’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini.
61:12. Ai (All-llahu) iu falë mëkatet tuaja, ju shpie në Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në pallate të bukura në Xhennetet e amshueshme, e këto janë ai suksesi më i madh.
61:13. Edhe të tjera që ju i dëshironi ndihmë prej All-llahut dhe fitore e afërt, e pra, përgëzoji besimtarët!
61:14. O ju që besuat, bëhuni ndihmëtarë të All-llahut, si Isai biri i Merjemes havarijunëve (besimtarëve të vet të sinqertë) u pat thënë: “Kush është ndihmëtar imi për në rrugën e All-llahut?” Havarijjunët i thanë: “ne jemi ndihmëtarë të rrugës së All-llahut!” E një grup prej beni israilëve besoi, e një grup refuzoi, e Ne, ata që besuan i përkrahëm kundër armikut të tyre dhe ashtu u bënë ngadhënjyes. |