HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


62. Xhum’a

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

62:1.        Çka ka në qiej dhe çka ka në tokë bën tesbih All-llahun, Sunduesin, të Pastërin nga çdo e metë, të Fuqishmin e të Urtin.

62:2.        Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ju lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.

62:3.        (U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata, Ai është ngadhnjyesi, i urti.

62:4.        Kjo është mirësi e All-llahut, që ia jep atij që do, e All-llahu është i zoti i dhuntisë së përsosur.

62:5.        Shembulli i atyre, që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është si shembulli i ndonjë gomari që bart libra. Shembull i keq, është shembull i popullit që përgënjeshtroi ajetet e All-llahut, e All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtarë.

62:6.        Thuaj: “O ju që i përmbaheni jehudizmit, nëse pretendoni se jeni më të afërmit e All-llahut e jo njerëzit e tjerë, atëherë kërkojeni vdekjen, po qe se jeni të sinqertë (në atë që thoni)”.

62:7.        Po, ata nuk e dëshirojnë kurrë atë, për shkak të asaj që e punuan me duart e veta, e All-llahu e di shumë mirë se kush janë mizorët.

62:8.        Thuaj: “S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mande do të silleni te Ai që e di të padukshmën dhe të dukshëm, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar”.

62:9.        O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.

62:10.      E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut, por edhe përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim.

62:11.      Po, kur ata shohin ndonjë tregti, ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek All-llahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregëtia, e All-llahu është furnizuesi më i mirë!”