HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


66. Tahrim

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

66:1.        O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli), pse ia ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tuaja? All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.

66:2.        All-llahu u ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; All-llahu është kujdestari juaj; Ai është i gjithdijshmi, i urti.

66:3.        (Përkujto) kur Pejgamberi ndonjerës prej grave të veta i kumtoi fshehurazi një lajm, e kur ajo tregoi atë (lajm), e All-llahu (Pejgamberit) i zbuloi atij për të (kallzimin e lajmit nga ajo grua), ai ia bëri (asaj) me dije një pjesë të tregimit, kurse për pjesën tjetër heshti. E kur ai (pejgamberi) e njohtoi atë (gruan) me atë (që i kishte treguar), ajo tha: “E kush të tregoi ty këtë?” Ai tha: “Më tregoi i gjithdijshmi, njohësi i të fshehtave!”

66:4.        Nëse ju të dyja pendoheni te All-llahu (është më mirë për ju), sepse zemrat tuaja tanimë kanë rrëshqitur, e nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se All-llahu është Ai mbrojtës i tij si dhe Xhibrili dhe besimtarët e ndershëm; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në ndihmë.

66:5.        Nëse ai u ka lëshuar juve, është detyrë e Zotit të tij t’i bëjë atij zëvendsim me gra edhe më të mira se ju; muslimane, besimtare, respektuese, penduese, adhuruese, emigruese që kanë qenë të martuara ose virgjëresha.

66:6.        O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara.

66:7.        O ju që mohuat, sot mos u arsyetoni; ju shpërbleheni vetëm për atë që keni vepruar.

66:8.        O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send”.

66:9.        O ti pejgamber, luftoji jobesimtarët e hipokritët dhe qëndro ashpër kundër tyre; vendi i tyre është Xhehennemi që është një vend i shëmtuar!

66:10.      Atyre që mohuan, All-llahu u sjell një shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fé) ata të dy dhe këta të dy nuk mund t’i mbrojnë ato fare te All-llahu, e atyre dyjave u thuhet: “Hyni në zjarr së bashku me ata që hyjnë!”

66:11.      E atyre që besuan, All-llahu u solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: “Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në Xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!”

66:12.      Edhe Merjemen të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme.