HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


67. Mulk

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

67:1.        I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send.

67:2.        Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhnjyesi, mëkatëfalësi.

67:3.        Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj, drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje?

67:4.        Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet të ti i përulur dhe i molisur.

67:5.        Ne, qiellin më të afërt e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriquese) dhe ata i kemi bërë gjuajtës kundër djajve, të cilëve u kemi përgatitur dënim me zjarr shumë të madh.

67:6.        Dënimi në Xhehennem është edhe për ata që nuk i besuan Zotit të tyre; sa vend i keq është ai!

67:7.        Kur të hidhen në të, ata do t’ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon.

67:8.        Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?”

67:9.        Ata thonë: “Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: “All-llahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëm se në një humbje të nadhe!”

67:10.      Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”.

67:11.      Pra, i pranojmë mëkatet e veta; banuesit e zjarrit qofshin larg mëshirës.

67:12.      Ata, që pa parë i frikësoheshin Zotit të vet, për ta ka falje dhe shpërblim të madh.

67:13.      E, ju fshiheni ose thuajeni fjalën tuaj haptas; Ai s’ka dyshim se e di çka fshehni në zemrat tuaja.

67:14.      A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai dëpërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.

67:15.      Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja.

67:16.      A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos ju shafit (të mos u lëshoj) toka kur të dridhet.

67:17.      A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im!

67:18.      Edhe ata që ishin para tyre përgënjeshtruan, por çfarë ishte dënimi Im?

67:19.      A nuk i shikuan ata shpezët përmbi ta krahëhapur dhe kur krahët i palojnë, ato nuk i mban në ajër pos Fuqiplotit. Ai është që çdo send e sheh dhe e di.

67:20.      Kush është ajo ushtëri juaja që do t’ju ndihmojë, pos Mëshiruesit? Është e vërtetë se jobesimtarët gjenden në një mashtrim të madh.

67:21.      Kush është ai që ju ushqen, po qe se Ai ua ndërpret furnizimin e vet? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërvënie.

67:22.      A është më i udhëzuar ai që ecën i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ecën në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?

67:23.      Thuaj: “Ai është që ju krijoi, ju dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen, kurse pak po falënderoni”

67:24.      Thuaj: “Ai është që ju krijoi e ju shumoi në tokë dhe vetëm te Ai do të tuboheni!”

67:25.      E, ata po thonë: “Kur do të sendërtohet ky premtim, po qe se jeni të vërtetë?”

67:26.      Thuaj: “Atë e di vetëm All-llahu, e unë jam një qortues që ju bën me dije!”

67:27.      Kur ta shohin atë (Xhehennemin) se po u afrohet, fytyrat e atyre që nuk besuan u shëmtohen dhe u thuhet: “Ky është ai që ju e kërkonit sa më shpejt!”

67:28.      Thuaj: “Më tregoni pra, nëse All-llahu më merr shpirtin mua dhe atyre që janë me mua, ose na mëshiron, kush do t’i mbrojë jobesimtarët prej një dënimi të mundimshëm?”

67:29.      Thuaj: “Ai është Mëshiruesi, Atij i kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur, kurse ju do ta kuptoni se kush njëmend është ai i humburi!”

67:30.      Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjell ujë mbitokësor (burimor)?”