| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
69:1. Momenti i katastrofës së përgjithshme (kijameti).
69:2. Ç’është kijameti?
69:3. Ç’ka të mësoi ty se ç’është kijameti?
69:4. Themudi dhe Adi përgënjeshtruan tronditjen (kijametin).
69:5. Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me krismë të tmerrshme.
69:6. Ndërsa Adi është shkatërruar me një erë të fortë, të pakufishme.
69:7. Atë Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht, kur shihje njerëzit në to të rrëzuar si të ishi trupa hurmash të zgavëruara.
69:8. A e sheh prej tyre ndonjë që ka mbetur?
69:9. Erdhi faraoni dhe ata që ishin para tij si dhe të përmbysurit (fshatrat e popullit të Lutit), me punë të gabuara.
69:10. Ata kundërshtuan të dërguarin e Zotit të tyre, e Ai i dënoi ata me një dënim edhe më të madh (prej dënimeve të mëparshëm).
69:11. Pasi që uji pat vërshuar, Ne ju bartëm në anije.
69:12. Për ta bërë atë (ngjarje) përkujtim për ju dhe për ta ruajtur atë veshët që janë përkujtues.
69:13. E kur të fryhet në surë një e fryme.
69:14. Dhe të ngrihen toka e kodrat e t’i mëshojnë njëra-tjetrës me një të goditur.
69:15. Në atë kohë ndodh e vërteta (kijameti).
69:16. E qielli çahet, pse ai atë ditë është i raskapitur.
69:17. Dhe engjëjt qëndrojnë në skajet (anët) e tij, e atë ditë, tetë (engjëj) e bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd.
69:18. Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit), duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret juaji.
69:19. Kujt t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: “O ju, qe, lexojeni librin tim!”
69:20. Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time.
69:21. Dhe ai atëherë është në një jetë të kënaqshme.
69:22. Në një Xhennet të lartë.
69:23. Pemët e tij i ka krejt afër.
69:24. (E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.
69:25. Ndërkaq, kujt i jepen librat e veta nga e majta, ai thotë: “O i mjeri unë, të mos më jepej fare libri im.
69:26. Dhe të mos dijsha fare se çka është llogaria ime.
69:27. Ah, sikur të kishte qenë ajo (vdekja e parë) mbarim i amshueshëm për mua.
69:28. Pasuria ime nuk më bëri fare dobi.
69:29. U hoq prej meje çdo kompetencë imja.
69:30. U thuhet zebanive: Kapeni atë, vëjani prangat!
69:31. Pastaj atë shtijeni në Xhehennem...
69:32. Mandej, lidheni atë me një zinxhirë të gjatë shtatëdhjetë kutë.
69:33. Pse ai ka qenë që nuk besoi All-llahun e madhëruar.
69:34. Ai nuk nxiste për t’i ushqyer të varfërit.
69:35. Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik.
69:36. As ushqim tjetër përveç të të shplarave.
69:37. Që atë nuk e ha kush, pos mëkatarëve.
69:38. Pra Unë betohem në atë që e shihni!
69:39. Edhe në atë që nuk e shihni!
69:40. Se me të vërtetë ai (Kur’ani) është fjalë (e Zotit) që e lexon i dërguari i ndershëm.
69:41. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, po ju nuk besoni.
69:42. Nuk është as fjalë e ndonji falltori, po ju nuk besoni.
69:43. Është zbritje prej Zotit të botëve!
69:44. Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë!
69:45. Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë.
69:46. E pastaj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës.
69:47. Askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij.
69:48. Ai (kur’ani) është këshillë për të ruajturit.
69:49. S’ka dyshim se Ne dijmë që prej jush ka që e përgënjeshtrojnë.
69:50. Ai (Kur’ani) njëmend do të jetë dëshprim për jobesimtarët.
69:51. Ai është e vërtetë bindëse!
69:52. Andaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të madhëruar! |