HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


72. Xhinn

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

72:1.        Thuaj: “Mua më shpalllet se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit,

72:2.        që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askë”

72:3.        Dhe se lartësia e madhëruar e Zotit tonë, nuk është që ka as grua, as fëmijë.

72:4.        S’ka dyshim se ai mendjelehti jonë fliste të pavërteta ndaj All-llahut.

72:5.        Ndërsa, ne kemi pas menduar se as njerëzit, as xhinët nuk flasin gënjeshtra përkitazi me All-llahu,

72:6.        Dhe se ka pasur burra prej njerëzve, që kërkonin ndihmë prej disa xhinëve dhe ashtu ua shtonin atyre edhe më shumë arrogancën.

72:7.        Dhe se ata (njerëzit) kanë menduar, siç keni menduar edhe ju, se All-llahu nuk ka për të ringjallur askë.

72:8.        Dhe vërtet, ne kemi hulumtuar ta arrijnë qiellin, po atë e gjetëm përplot roje të forta dhe me shkëndija (zjarri që djeg),

72:9.        Dhe ne më parë hulumtonim në vendëvështrim për të dëgjuar, e kush përpiqet të dëgjojë tash, ai has në pusinë e shkëndijës së zjarrtë.

72:10.      Ne nuk e dimë se me këtë (përgaditje të qiellit) është për qëllim ndonjë e keqe për ata që janë në tokë, apo Zoti i tyre dëshiron që ata t’i udhëzojë.

72:11.      Është e vërtetë se prej nesh ka të mirë, por ka edhe që nuk janë aq të mirë, sepse ne kemi qenë në drejtime të ndryshme.

72:12.      Dhe ne kemi qenë të bindur se All-llahut nuk mund t’i shmangemi në tokë e as nuk mund t’i shpëtojmë Atij duke ikur.

72:13.      Dhe ne, sapo e dëgjuam udhëzimin (Kur’anin), i besuam atij, e kush e beson Zotit të vet, ai nuk i frikësohet ndonjë dënimi e as ndonjë padrejtësie.

72:14.      Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë (myslimanë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë), e kush e pranoi islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit.

72:15.      Ndërsa, ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e Xhehennemit!

72:16.      Sikur ata (idhujtarët) t’i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t’iu lëshonim atyre ujë me bollëk,

72:17.      Për të sprovuar me të. E kush ia kthen shpinën adhurimit ndaj Zotit të vet, Ai e shpie atë në vuajtje të padurueshme.

72:18.      Dhe (mua më shpallet) e vërtetë xhamitë janë veçant për të adhuruar All-llahun, e mos adhuroni në to askë tjetër me All-llahun!

72:19.      Dhe se kur u ngrit robi i All-llahut ta adhurojë Atë, ata (xhinët ose idhujtarët) gati hipnin njëri mbi tjetërin për të dëgjuar.

72:20.      Thuaj: “Unë dëshiroj vetëm Zotin tim dhe Atij nuk i bëj asnjë shok!”

72:21.      Thuaj: “Unë nuk kam në dorë që t’ju largojë dëmin, as t’ju sjell dobi!”

72:22.      Thuaj: “Është e vërtetë se mua nuk më mbron askush prej (dënimit) të All-llahut dhe përveç Tij, unë nuk gjej mbështetje”.

72:23.      (Nuk kam në dorë tjetër), përveç kumtimin prej All-llahut dhe përveç shpalljeve të Tij. Kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e tij, i tij është zjarri i Xhehennemit, aty do të jenë përgjithmonë, pambarim.

72:24.      Derisa kur ta shohin atë që u premtohet, atëherë do të kuptojnë se kush është më i dobët në ndihmë dhe më i vogël në numër.

72:25.      Thuaj: “Unë nuk e di a do të jetë afër ajo që u premtohet, apo Zoti im do ta vonojë atë shumë?”

72:26.      Ai është që e di të fshehtën, por fshehtësinë e vet nuk ia zbulon askujt.

72:27.      Me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai do. Atë botë Ai vë roje para edhe prapa tij (kur i shpall fshehtësinë),

72:28.      Për ta ditur (për t’u dukur) se ata kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre, dhe se Ai ka përfshi atë te ata, dhe Ai e di sasinë e çdo gjëje që ekziston.