KUR'ANI FISNIK

 


73. Muzemmil

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

73:1.        O ti i mbështjellë!

73:2.        Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj.

73:3.        Gjysmën e saj ose diç më pak se gjysmën.

73:4.        Ose shto diç prej saj dhe Kur’anin lexoje me vëmendje.

73:5.        Ne do të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe).

73:6.        E s’ka dyshim se akiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë.

73:7.        Vërtet, Ti gjatë ditës ke angazhim të gjatë (të madh).

73:8.        Po ti përmende Zotin tënd dhe plotësisht përkushtoju Atij!

73:9.        Zot i lindjes dhe i perëndimit, nuk ka zot tjetër vetëm Ai, pra Atë merrë për mbështetje.

73:10.      Dhe kij durim ndaj asaj që të thonë dhe largohu atyre i matur.

73:11.      Dhe më lë Mua për ata gënjeshtarët pasanikë, dhe jepu atyre pak afat.

73:12.      Se me të vërtetë te Ne ka pranga e zjarr.

73:13.      Edhe ushqim që nuk gëlltitet edhe dënim të dhembshëm.

73:14.      Atë ditë kur toka e kodrat të dridhen, e kodrat bëhen rërë rrëshqitëse.

73:15.      Ne dërguam te ju të dërguar që dëshmon kundër jush, ashtu siç patëm dërguar edhe te faraoni të dërguar.

73:16.      E faraoni e kundërshtoi të dërguarin, andaj Ne i dhamë atij një dënim të rëndë.

73:17.      Nëse ju mohoni, si do të mbroheni në një ditë që fëmijët do t’i bëjë pleq?

73:18.      Atë ditë qielli do të çahet dhe premtimi i Tij do të realizohet.

73:19.      Këto janë një përkujtim qortues, e kush do, ai e zgjedh rrugën për te Zoti i vet.

73:20.      Zoti yt e di se ti dhe një grup i atyre që janë me ty, kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës ose gjysmën e saj a një të tretën e saj. All-llahu e di gjatësinë e natës dhe të ditës dhe Ai e diti që ju nuk do mund t’i përmbaheni asaj, andaj u lehtësoi juve, pra falnu duke lexuar Kur’an sa t’ju vijë më lehtë prej namazit. Ai e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerët që gjallërojnë nëpër tokë dke kërkuar nga begatitë e All-llahut, e dhe të tjerë që luftojnë në rrugën e All-llahut, pra falnu dhe lexoni sa të jetë më lehtë për tij dhe kryene me rregull faljen, jepni zeqatin, huazoni (jepni sadaka) për hir të All-llahut hua të mirë, se çka të përgatitni për veten tuaj prej të mirave, atë do ta gjeni te All-llahu edhe më të mirë, dhe shpërblim më të madh, e kërkoni falje prej All-llahut, se All-llahu është mëkatfalës, mëshirues!