| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
75:1. Btohem në ditën e kijametit;
75:2. Betohem në shpirtin që është shumë qortues!
75:3. A mendon njeriu se nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij?
75:4. Po, do t’ia tubojmë! Duke qenë se Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij!
75:5. Por, njeriu dëshiron të vazhdojë edhe mëtej në mëkate.
75:6. Andaj edhe pyet: “Kur është dita e kijametit?”
75:7. E, kur të merren sytë (të parët)?
75:8. E të zëhet hëna (errësohet),
75:9. Dhe të bashkohet dielli e hëna.
75:10. Atë ditë njeriu do të thotë: “Nga të iket!”
75:11. Jo, nuk ka strehim!
75:12. Atë ditë vetëm te Zoti yt është caku!
75:13. Atë ditë njeriu do të njihet me atë që çoi para dhe me atë që la prapa.
75:14. Po njeriu është dëshmitar i vetvetes.
75:15. Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta.
75:16. Ti (Muhammed) mos shqipto atë (Kur’anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë!
75:17. Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij!
75:18. E kur ta lexojnë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij.
75:19. Dhe pastaj është obligim i yni që ta shkoqisim atë.
75:20. Jo, nuk është ashtu! Por ju jeni që e doni të ngutshmen (dunjanë).
75:21. Dhe e lini pas shpine atë të ardhmen (ahiretin).
75:22. Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara).
75:23. Që Zotin e tyre e shikojnë.
75:24. Atë ditë ka fytyra edhe të vrazhda.
75:25. Që presin t’u thyhet kurrizi (të shkatërrohen).
75:26. Jo dhe Jo! Po kur të arrijë (shpirti) në gropë të fytit (të gjoksit),
75:27. Dhe thuhet (nga familja e të afërmit): “Kush do ta shërojë?”
75:28. Dhe ai bindet se ai po ndahet.
75:29. E t’i puqet kofsha për kofshe (t’i vështirësohet gjendja).
75:30. Atë ditë vetëm te Zoti yt shkohet.
75:31. E ai as nuk vërtetoi atë që duhej, as nuk u falë.
75:32. Por përgënjeshtroi dhe ktheu shpinën.
75:33. Dhe shkonte te familja e tij me fodullëk.
75:34. Të është afruar ty e keqja e t’u afroftë! (ose i mjeri ti i mjeri).
75:35. Edhe nje herë t’u afrua ty e keqja; t’u afroftë!
75:36. A mos mëndon njeriu se do të lihet duke mos zënë asgjë (pa kurrfarë përgjegjësie).
75:37. A nuk ka qenë ai në një pikë ujë që derdhet.
75:38. E pastaj u bë gjak i trashë, e Ai e krijoi dhe e përsosi?
75:39. Dhe prej tij Ai i bëri dy lloje: mashkullin dhe femrën.
75:40. A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit? |