HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


77. Murselat

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

77:1.        Pasha erërat që fryejnë njëpasnjë (pandërprerë)!

77:2.        Që janë shumë të stuhishme e shkaktojnë furtunë.

77:3.        Pasha engjëjt që u është besuar shpërndarja e reve dhe që i shpërndajnë.

77:4.        Dhe që ndajnë qartë (të vërtetën nga e pavërteta).

77:5.        Dhe ata që sjellin shpallje (libra të Zotit, te pejgamberët).

77:6.        Si arsyetim ose si vërejtje.

77:7.        S’ka dyshim se ajo që premtoheni ka për të ndodh pa tjetër.

77:8.        Kur yjet të shuhen.

77:9.        Dhe kur qielli të hapet,

77:10.      Dhe kur kodrat të copëtohen,

77:11.      Dhe kur të dërguarve u është caktuar koha?

77:12.      E për cilën ditë atyre u është caktuar koha?

77:13.      Për ditën e gjykimit (kur drejtësia e Zotit ndan të mirën nga e keqja).

77:14.      E ku e di ti se çka është dita e gjykimit?

77:15.      Atë ditë është shkatërrim për ata që përgënjeshtruan.

77:16.      A nuk i kemi shkatërruar Ne popujt më të hershëm?

77:17.      Dhe pastaj pas tyre ua shoqëruam të tjerë më të vonshëm.

77:18.      Ne ashtu bëjmë me kriminelët.

77:19.      Atë ditë është mjerim i madh për ata që përgënjeshtruan.

77:20.      A nuk u kemi krijuar juve nga një lëng i dobët?

77:21.      Dhe atë e vendosëm në një vend të sigurt.

77:22.      Për deri në një kohë të caktuar.

77:23.      Dhe Ne bëmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi!

77:24.      Atë ditë është shkatërrim për ata që nuk e njohën fuqinë tonë.

77:25.      A nuk e bëmë Ne tokën që në gjirin e vet mban,

77:26.      Të gjallë dhe të vdekur?

77:27.      Dhe në të kemi vënë kodra të forta e të larta dhe ju dhamë të pini ujë që ua shuan etjen.

77:28.      Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan, .

77:29.      (u thuhet) Shkoni te ai (Xhehennemi) që ju e konsideruat rrenë.

77:30.      Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tri degëzime.

77:31.      Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës.

77:32.      Ai (Xhehennemi) hedh gaca të mëdha si ndonjë kështjellë.

77:33.      E që janë si të ishin deve të verdha (shumë të shpejta).

77:34.      Atë ditë është shkatërrim për mohuesit.

77:35.      Kjo është një ditë që ata nuk flasin.

77:36.      Atyre as nuk u lejohet që të arsyetohen.

77:37.      Atë ditë, mjerë ata që përgënjeshtruan!

77:38.      Kjo është dita e gjykimit, u kemi tubuar juve dhe të mëparshmit.

77:39.      Dhe nëse keni ndonjë dredhi, atëherë bëni dredhira!

77:40.      Atë ditë është shkatërrim për ata që nuk besuan.

77:41.      Dhe, nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije pranë burimeve,

77:42.      Dhe kanë pemë çfarë të dëshirojnë.

77:43.      Hani e pini shijshëm e me ëndje, për atë e keni vepruar.

77:44.      Ne kështu i shpërblejmë mirëbërësit.

77:45.      Atë ditë është mjerim për përgënjeshtuesit.

77:46.      Ju (jobesimtarë në dunja) hani e kënaquni përpak kohë, sepse vërtet ju jeni rrebelë.

77:47.      Atë ditë është mjerim për ata që mohuan të mirat e Zotit.

77:48.      Dhe kur atyre u thuhej: “Përkuluni!”, ata nuk përkuleshin.

77:49.      Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtuan.

77:50.      Pra, cilës fjalë (libër) pas këtij (Kur’anit) i besojnë?