| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
8:1. Të pyesin ty (Muhammed) për plaçkën (e fituar në luftë), thuaju: “Plaçka, (mënyra e ndarjes së saj) është çështje e All-llahut dhe të dërguarit, prandaj keni frikë All-llahun, përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij.
8:2. E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.
8:3. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin.
8:4. Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.
8:5. (Mospajtimi i tyre për plaçkë është) Ashtu si ai kur të nxori Zoti yt nga shtëpia jote për të vërtetën, e një grup nga besimtarët nuk ishte i kënaqur.
8:6. Bëjnë polemikë me ty për të vërtetën pasi që e kishin të qartë (se ti veron me lejen e Zotit) sikur me qenë se shtyheshin në vdekje të sigurt.
8:7. Përkujtoni kur All-llahu ju premtoi njerën prej dy grupeve se është juaja, e ju dëshironit t’ju takojë ai (grup) i paarmatosur, ndërsa All-llahu dëshiroi që me premtimet e Tij ta vendosë të vërtetën, e të zhdukë në themel mbeturinën e mohuesve.
8:8. Ta forcojë të vërtetën e ta çrrënjosë të kotën, edhe pse këtë e urrejnë kriminelët.
8:9. Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai ju është përgjigjur: “Unë do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi).
8:10. All-llahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm t’ju gëzojë(t’u japë myzhde) dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu është mbizotërues dhe i urtë.
8:11. Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe t’ju përforcoj me të (me shi) këmbët tuaja.
8:12. Edhe kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: “Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj).
8:13. Këtë (ndëshkim për ta) ngase kundërshtuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e kush kundërshton All-llahun dhe të dërguarn e Tij, nuk ka dyshim se All-llahu është ndëshkimfortë.
8:14. Kështu e keni (dënimin), pra shijojeni, e për mohuesit është edhe dënimi i zjarrit.
8:15. O ju që besuat! Kur të ndesheni në turmën (që lëviz ngadalë) e atyre që mohuan, mos ua ktheni shpinën.
8:16. Kush ua kthen atyre shpinën, në atë moment veç atij që kthehet për të luftuar ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër, ai ka tërhequr kundër vetes hidhërimin e All-llahut dhe vendi i tij është xhehennemi. E ai është përfundim i keq.
8:17. Ju nuk i mbytët (në të vërtetë) ata, por All-llahu (me ndihmën që ua dha) i mbyti ata, dhe ti nuk i gjuajte, (në të vërtetë) kur i gjuajte ata, por All-llahu (të ndihmoi) i gjuajti, e (bëri këtë) për t’i shpërblyer besimtarët me një dhunti të mirë nga ana e Tij. All-llahu gjithçka dëgjon dhe di.
8:18. Ja kjo është e vërteta. All-llahu dobëson dredhitë e qafirave (kufarëve).
8:19. Nëse ju (idhujtarë) kërkuat fitore, ja, ku e keni fitorën, (kjo është ironi për ta) po nëse hiqni dorë (nga lufta kundër Pejgamberit), ajo do të jetë në dobinë tuaj, e nëse ju ktheheni, edhe Ne kthehemi. Ana (grumbulli) juaj nuk do t’ju vlejë asgjë edhe nëse është e madhe, sepse All-llahu është me besimtarët.
8:20. O ju që besuat, respektoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e mos e braktisni atë se ju po e dëgjoni.
8:21. Dhe mos u bëni si ata që thanë: “Dëgjuam”, por nuk dëgjojnë.
8:22. Krijesat (gjallesat) më të dëmshme te All-llahu janë ata të shurdhëtit, memecët, të cilët nuk logjikojnë.
8:23. Sikur të dinte All-llahu për ndonjë të mirë prej tyre, do t’i bënte të dëgjojnë, po edhe sikur t’i bënte të dëgjojnë, ata do të zbrapseshin dhe do të refuzonin.
8:24. O ju që besuat, përgjigjuni All-llahut dhe të dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë), dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai.
8:25. Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.
8:26. Përkujtoni kur ishit pakicë e të dobët në tokë, dhe frikësoheshit se do t’ju rrëmbejnë njerëzit (idhujtarët), e Ai ju mundësoi vend të sigurt (në Medinë) dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij, ju furnizoi me të mira, që të jeni mirënjohës.
8:27. O ju që besuat, mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin, që të tradhëtoni amanetet tuaja, deri e dini sa e keqe është kjo.
8:28. Dhe, dine se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te All-llahu është shpërblimi i madh.
8:29. O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqiat, do t’ua falë mëkatet. All-llahu është dhurues i madh.
8:30. Përkujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë).
8:31. E kur atyre u lexohen ajetet Tona (Kur’ani), thonin: “Kemi dëgjuar (këso fjalësh) dhe sikur të donim edhe ne do të thonim diçka të ngjajshme me këtë dhe se ky nuk ësht gjë tjetër pos mit i lashtë”.
8:32. Dhe (përkujto) kur thanë: “O All-llah! nëse është ky (Kur’ani) vërtet prej Teje, lësho gur nga qielli kundër nesh, ose sillna ndonjë dënim të idhët.
8:33. Po All-llahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre dhe All-llahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfarë).
8:34. Çka kanë ata që të mos i dënojë All-llahu, kur ata janë që pengojnë (të tjerët) nga xhamia e shenjtë (Qabja), e edhepse nuk janë mbikëqyrës të saj. Kujdestarët e saj janë vetëm ata që ruhen (të devotshmit), por shumica e tyre nuk është që di.
8:35. Lutja e tyre pranë shtëpisë (Qabes) nuk ishe tjetër veçëse britmë dhe duartrokitje, prandaj vuane dënimin për shkak se mohonit.
8:36. Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut. Ata do të shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshprim i tyre, e madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehennem.
8:37. (Kjo masë) Që ta dallojë All-llahu të keqin nga i miri, dhe që të vë të këqinjtë njëri mbi tjetrin, t’i bëjë grumbull të gjithë e t’i hedhë në xhehennem. E të tillët janë më të dëshpruarit.
8:38. Thuaju atyre që nuk besuan nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara, po nëse vazhdojnë, ligji (i Zotit), izbatuar ndaj të parëve ëhtë i ditur (edhe ju do t’ju zë).
8:39. Luftoni ata derisa të mos mbetet idhujtari (besim i kotë), e i tërë adhurimi të bëhet vetëm për All-llahun. Po nëse ata ndalen (i japin fund mosbesimit), All-llahu është mbikëqyrës për atë që veprojnë.
8:40. Po nëse refuzojnë, ta dini se All-llahu është mbrojtës i juaji. E, sa mbikëqyrës e ndihmës i mirë është Ai.
8:41. Ju (besimtarë) ta dini se një e pesta e asaj që fituat, nga ndonjë send, i takon (përkujtuesve të) All-llahut, të dërguarit të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit), jetimëve, nevojtarëve dhe atyre në mërgim, (ky është përcaktimi i Zotit), nëse keni besuar All-llahun, dhe atë, (Kur’anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembëra), ditën e konfrontimit të dy grupeve. All-llahu është i fuqishëm për çdo gjë.
8:42. Kur ju ishit në bregun e afërt të luginës, e ata në bregun e largët të saj (ju ishit kah Medina e ata kah Meka), ndërsa karavani ishte më poshtë prej jush (kah deti). Dhe, sikur të ishit ju ata që njëri tjetrit i keni caktuar takimin, do ta thyenit caktimin. Por All-llahu ishte Ai që zbatojë çeshtjen e kryer tanimë, e të shkatërrojë me argument atë që u shkatërrua dhe të bëjë të jetojë me argumentet atë që jetoi. All-llahu vërtet dëgjon e di.
8:43. Dhe (përkujto) kur All-llahu t’i dëftoi ty ata në ëndërr, të paktë në numër, e sikur t’i dëftonte shumë, ju do të dobësoheshit e do të grindeshsit për çështjen (e luftës), por All-llahu ju shpëtoi. All-llahu vërtet e di shumë mirë se ç’mbajnë kraharorët (zemrat).
8:44. Përkujtoni kur u takuat (në sheshin e luftës), e Ai bëri që ata në sytë tuaj të duken pak, e po ashtu edhe ju të dukeni në sytë e tyre pak; e bëri këtë për të zbatuar All-llahu një çështje që ishte e vendosur. Vetëm te All-llahu është përfundimi i çështjeve.
8:45. O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqëndrohuni dhe përmendni çdo herë All-llahun që të arrini fitoren e dëshiruar.
8:46. Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit.
8:47. Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e All-llahut. All-llahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.
8:48. Përkujto (Muhammed) kur shejtani u dha guxim për veprat e tyre dhe tha: “S’ka kush që mund t’iu mposhtë sot ju, unë jam mbrojtës Juaji!” E kur u ballafaquan të dy grupet, ai u tërhoq prapa e tha: “Unë tërhiqem prej jush, unë shoh çka nuk shihni ju, unë i frikësohem All-llahut. All-llahu ndëshkon shumë ashpër.
8:49. Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishte sëmundje (dyshim) thanë: “Këta (muslimanët) i ka mashtruar feja e tyre (s’kanë fuqi të luftojnë). Po kush mbështetet në All-llahun, s’ka dyshim, se All-llahu është ngadhënjyes i urtë.
8:50. Sikur t’i kishe parë engjëjt kur ua marrë shpirtin atyre që mohuan (do të shihje tmerr), u binin fytyrave dhe shpinave të tyre (para, prapa): “Shijoni dënimin e djegjes!”
8:51. Këtë (dënim e morët) për shkakun e asaj që fituat. All-llahu nuk është i padrejtë për robtë e Tij.
8:52. Edhe idhujtarët, siç e kishte traditë populli i faraonit, e dhe ata që ishin para tyre, i mohuan argumentet e All-llahut, e për shkak të mëkateve All-llahu i skatërroi. All-llahu është i plotfuqishëm, ndëshkues i ashpër.
8:53. Këtë (masë ndëshkuese) e bëri ngase All-llahu nuk ishte ndryshues i një begatie, të cilën ia ka dhuruer një populli, derisa të ndryshojë ai vetë në vetvete (të bëhet përbuzës i së mirës) dhe ngase All-llahu dëgjon (çka thonë) dhe di (çka punojnë).
8:54. Ashtu siç ishte traditë e popullit të faraonit dhe atyre që kishin qenë më parë, që i konsideronin të rreme faktet e Zotit të tyre, e Ne për këto të këqija të tyre i shkatërruam, e popullin e faraonit (edhe faraonin) e fundosëm, por të gjithë këta ishin dëmtues të vetes së tyre.
8:55. Krijesat më të dëmshme te All-llahu janë ata që mohuan, nuk pritet që ata të besojnë;
8:56. Këta janë ata prej të cilëve ti pate marrë premtimin (se nuk do të ndihmojnë idhujtarët) e të cilin ata nuk e ruajtën por si çdo herë e thyejnë premtimin e tyre.
8:57. Po nëse i ndesh (i zë) ata në luftë, atëherë ti ata (me shkatërrimin e tyre) shpartallo ata që janë pas tyre, në mënyrë që të marrin mësim.
8:58. Nëse ti e heton tradhtinë e një populli (ndaj marrëveshjes), atëherë edhe ti ua hidh atyre (marrëveshjen) në mënyrë të njejtë, sepse All-llahu nuk i do ata që tradhtojnë (fshehurazi).
8:59. Dhe, ata që mohuan, mos të mendojnë kurrsesi se shpëtuan, (se na ikën). Ata nuk mund ta bëjnë të paaftë Atë (zotin) që i ndjek.
8:60. E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çkado që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju konpenzohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë.
8:61. Në qoftë se ata, anojnë kah paqja ano edhe ti kah ajo, e mbështetu në All-llahun. Ai është që dëgjon dhe di.
8:62. Po nëse duan të mashtrojnë me të (me paqen), ty të mjafton All-llahu. Ai është që të fuqizojë ty me ndihmën e vet dhe me besimtarët.
8:63. Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë ata që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë.
8:64. O Pejgamber! All-llahu të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty.
8:65. O Pejgamber! Nxiti besimtarët për luftë. Nëse prej jush janë njëzet të durueshëm, (trima të fqishëm), do t’i mundni dyqind, e nëse janë njëqind, do t’i mundni njëmijë sish që nuk besuan, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë (pse luftojnë).
8:66. All-llahu ju bëri lehtësim tash duke ditur se jeni dobësuar. Nëse prej jush janë janë njëqind të durueshëm, do ti mundni dyqinnd, e nëse prej jush janë një mijë, me ndimën e Zotit do t’i mundni dy mijë. All-llahu është me ata që janë të durueshëm.
8:67. Për asnjë pejgamber nuk qe me vend të ketë robër derisa ta ketë dërmuar me luftë (armikun) në tokë. Ju keni për qëllim përjetimet e kësaj bote, ndërsa All-llahu dëshiron për ju Ahiretin. All-llahu mbizotëron çdo gjë, di çka është e mirë për robtë.
8:68. Po të mos ishte dispozita e hershme e caktuar prej All-llahut (që të mos dënohet ai që përpiqet, po nuk e qëllon), juve do t’ju kishte goditur një dënim i madh për atë që e morët.
8:69. Pra, (është e lejuar preja e luftës) hani atë që e fituat me luftë, si të lejuar dhe të mirë, përmbajuni dispozitave të All-llahut se All-llahu është Ai që falë dhe që mëshiron.
8:70. O Pejgamber! Thuaju atyre robërve që i keni në duart tuaja se posa të vërejë All-llahu ndonjë të mirë (besim të drejtë e të sinqertë) në zemrat tuaja, Ai u jep edhe më shumë të mira nga ajo çka është marrë nga ju, ua falë gabimet, se All-llahu falë pa masë, se është mëshirues i madh.
8:71. E nëse (robërit) duan të tradhëtojnë ty, ata më parë tradhtuan All-llahun, (nuk besuan) e Ai (të ndihmojë), të mundësojë të ngadhënjesh ndaj tyre. All-llahu i di të gjitha ndodhitë, vepron me urtësinë e Tij.
8:72. Është e vërtetë se ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan me pasurinë e tyre në rrugën e All-llahut, dhe ata që strehuan (të shpërngulurit) dhe u ndihmuan, të tillët janë miq të njëri tjetrit (në ndihmë dhe në trashëgim). Ata që besuan por që nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes as ndihmë për ta deri sa të shpërngulen edhe ata. E nëse ata kërkojnë ndihmë prej jush për çështjen e fesë, atëherë jeni të obliguar t’u ndihmoni, përveç nëse është puna kundër një populli që me të keni marrëveshje (nuk mund t’u ndihmoni në luftë kundër atij populli). All-llahu mbikëqyr atë që veproni.
8:73. Ata që e mohuan të vërtetën janë miq të njëri-tjetrit. E nëse nuk e bëni atë (të ndihmoni e të kujdeseni njëri-tjetrin), bëhet trazirë dhe rrëmujë e madhe në tokë.
8:74. Po ata që besuan, migruan dhe luftuan për rrugën e All-llahut, dhe ata që strehuan dhe ndimuan, janë besimtarë të vërtetë. Atyre u takon falje (e mëkateve) dhe furnizimi në mënyrë të ndershme.
8:75. Ndërsa edhe ata që besuan më vonë, e që u shpërngulën dhe luftuan së bashku me ju, janë të njejtë me ju (në të drejta). E, (sipas dispozitave të Zotit), farefisi ka më përparësi ndaj njëri-tjetrit (se sa ensarët e muhaxhirinët) mes All-llahu di në hollësi për çdo send. |