HOME ABOUT THIS SITE CONTACT US
Kur'ani Fisnik

KUR'ANI FISNIK

 


80. ‘Abese

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

80:1.        Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye.

80:2.        Ngase atij i erdhi i verbëri.

80:3.        E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet.

80:4.        Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi!

80:5.        E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri,

80:6.        Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)!

80:7.        Po ti nuk ke përgjegjësi, pse ai nuk pastrohet.

80:8.        Ndërsa ai që nxiton dhe vjen te ti,

80:9.        Dhe meqë ai frikësohet,

80:10.      E ti nuk e zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij),

80:11.      Jo ashtu! Në të vërtetë këto janë këshilla.

80:12.      Kush do merr mesim nga kjo (nga Kur’ani).

80:13.      Është këshillë në fletë të çmueshme.

80:14.      Me vlerë të lartë e të ruajtur.

80:15.      Në duar të udhëtuesve (engjëjve udhëtues mes All-llahut e njerëzve).

80:16.      Të nderuar e të ruajtur.

80:17.      Qoftë mallkuar, njeriu, sa mohues i fortë është ai!

80:18.      Po prej çkafi e krijoi Ai atë?

80:19.      Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti.

80:20.      Pastaj atij ia lehtësoi rrugën.

80:21.      Mandej atë e bëri të vdesë dhe atij i bëri varr (të varrosët).

80:22.      Pastaj kur të dojë Ai e ringjallë atë.

80:23.      Jo! Ai nuk zbatoi atë që urdhëroi Ai.

80:24.      Njeriu le të shikoje ushqimin e vet.

80:25.      Ne lëshuam shi të mjaftueshëm.

80:26.      Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës,

80:27.      Dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra

80:28.      Edhe rrush e perime,

80:29.      Edhe ullinj e hurma,

80:30.      Edhe kopshte të dendura,

80:31.      Dhe pemë e kullosa,

80:32.      Si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj.

80:33.      E kur të vijë ushtima (krisma e kijametit);

80:34.      Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet,

80:35.      Prej nënës dhe prej babait të vet,

80:36.      Prej gruas dhe prej fëmjëve të vet.

80:37.      Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet.

80:38.      Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura,

80:39.      Të buzëqeshura e të gëzuara.

80:40.      Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhëruara,

80:41.      Që i ka mbuluar errësira e zezë,

80:42.      E të tillët janë ata mohuesit, mëkatarët.