| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
83:1. Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë.
83:2. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë,
83:3. E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu.
83:4. A nuk e dinë të tillët se kanë për t’u ringjallur?
83:5. Në një ditë të madhe,
83:6. Në ditën kur njerëzit ngriten (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve.
83:7. Jo, të mos rrinë gafil! Se shënimet e veprave të mëkatarëve janë në Sixhxhin (në një libër shënimesh të të këqijave më të dëmshme).
83:8. E, ku e di ti se ç’është Sixhxhin-i?
83:9. Ai është një libër i qendisur (në një qeli në fund të burgut).
83:10. Atë ditë është shkatërrimi për gënjeshtarët.
83:11. Të cilët nuk e besojnë ditën e përgjegjësisë.
83:12. E atë ditë nuk e mohon kush, përveç atij që ka sharruar tepër në mosbesim e në punë të këqija.
83:13. E që kur i lexohen atij argumentet Tona, thotë: “Legjenda të të parëve!”
83:14. Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.
83:15. Jo dhe jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej (ta shohin) Zotit të tyre.
83:16. Pastaj ata do të hyjnë në Xhehennem.
83:17. Dhe do t’u thuhet: “Ky është ai të cilin e keni përgënjeshtruar!”
83:18. Jo, nuk janë të njejtë! Se libri i të mirave gjendet në Il-lijjinë!
83:19. E ku e di ti se çka është Il-lijjunë?
83:20. Është një libër i qendisur qartë.
83:21. Të cilin e dëshmojnë engjëjt që janë më të afërmit.
83:22. E s’ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (në Xhennet).
83:23. Të mbështetur në kolltukë vështrojnë.
83:24. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve.
83:25. U jepet të pijnë pije në enë të mbyllura.
83:26. Pije që në fund asaj i vjen era misk! E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.
83:27. Dhe përzierja e asaj pije është me tesnim (uji më i mirë).
83:28. Krua nga i cili do të pijnë më të afërmit e Zotit.
83:29. Mëkatarët ishin ata të cilët i përqeshnin ata që besuan.
83:30. Dhe kur kalonin (besimtarët) pranë tyre (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit.
83:31. E kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur.
83:32. Dhe kur i shihnin ata (besimtarët), thoshnin: „S’ka dyshim se këta (besimtarët) janë të humbur!”
83:33. Po Ne, nuk i caktuam ata (idhujtarët) si rojë të atyre (besimtarëve).
83:34. E sot, (në ditën e gjykimit), ata që besuan do të tallen me jobesimtarët.
83:35. Duke qëndruar të mbështetur (besimtarët) në kolltukë e duke shikuar.
83:36. A thua a u shpërblyen jobesimtarët për atë që punuan? (Po) |