| Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
85:1. Pasha qiellin me plot yje,
85:2. Pasha ditën e premtuar,
85:3. Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!
85:4. Mallkuar qofshin ata të zotët e hendeqeve,
85:5. Të zjarrit më plot lëndë djegëse,
85:6. Kur ata rrinin ulur rreth tij,
85:7. Dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët.
85:8. E nuk patën pse t’i urrejë, përveç që e besuan All-llahun, ngadhënjyesin, të lavdëruarin,
85:9. Të cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës;, e All-llahu është dëshmitar i çdo sendi.
85:10. Është i sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan; ata kanë dënimin e Xhehennemit dhe dënimin e djegies.
85:11. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë Xhennete nën të cilët burojnë lumenj. e ai është suksesi më i madh.
85:12. Është e vërtetë se goditja e Zotit tënd është e fortë.
85:13. Në të vërtetë, Ai është që e fillon (krijimin) dhe e rikthen.
85:14. Ai është që falë mëkatet, është i dashur.
85:15. Është i zoti i Arshit, të madhëruar!
85:16. E punon atë që dëshiron.
85:17. A të ka ardhur ty lajmi i ushtrive,
85:18. Të faraonit dhe të Themudit?
85:19. Por, këta që mohuan (idhujtarët), vazhdojnë me gënjeshtër.
85:20. Po All-llahu ata i ka rrethuar (nuk mund t’i shpëtojnë)!
85:21. Përkundrazi, (ata që gënjejnë), ai është Kur’an i famshëm.
85:22. Në një pllakë të ruajtur mirë (në Levhi Mahfudhë). |