|
Katërmbëdhjetë shekuj më parë, Zoti zbriti Kuranin
si një udhëzues për mbarë njerëzimin. Në
atë kohë, shoqëria arabe ishte në një gjendje
shthurjeje, kaosi e injorance të plotë. Arabët ishin një
popull barbar. Ata adhuronin idhuj që i përgatisnin vetë,
besonin se lufta e gjakderdhja ishin të virtytshme dhe ishin të
aftë të vrisnin edhe fëmijët e tyre. Ata ishin shumë
pak të interesuar në çështje të dijes; të
mos flasim pastaj për këndvështrim shkencor të botës
e të natyrës.
Megjithatë, nëpërmjet Islamit, ata mësuan të
jenë të njerëzishëm e të qytetëruar. Jo
vetëm arabët, por të gjitha bashkësitë që
pranuan Islamin u larguan prej territ të kohëve të padijes
dhe u ndriçuan me urtësinë hyjnore të Kuranit. Ndër
aftësitë që Kurani i solli njerëzimit ishte të
menduarit shkencor.
NXITJE PËR HULUMTIM SHKENCOR,
E SHPALLUR NË KURAN
Zanafilla e mendimit shkencor është ndjenja e kureshtjes. Duke
qenë se njerëzit janë kureshtarë të dinë
se si funksionon natyra, ata hulumtojnë dhe interesohen për
shkencën. Mirëpo shumicës së njerëzve u mungon
një kureshtje e tillë. Për ta, nuk kanë rëndësi
të fshehtat e gjithësisë dhe natyrës, por përfitimet
dhe kënaqësitë e vogla në këtë botë.
Në bashkësi të tilla ku njerëzit mendojnë në
këtë mënyrë, shoqëria nuk ecën përpara.
Aty mbizotëron prapambetja dhe padija.
Bashkësia arabe para zbritjes së Kuranit i përkiste këtij
lloji, por vargjet e Kuranit u bënë thirrje arabëve dhe
mbarë njerëzimit të mendojnë, të hulumtojnë,
të përdorin mendjen, ndoshta, për herë të parë
në jetën e tyre. Në shumë ajete të Kuranit, njerëzve
u mësohet të marrin në shqyrtim natyrën dhe të
mësojnë prej saj, pasi ata mund ta njohin Zotin vetëm pasi
të kenë shqyrtuar krijimin e Tij. Për këtë arsye,
në një nga vargjet e Kuranit, muslimanët përkufizohen
si njerëz që mendojnë rreth krijimit të qiejve dhe
të tokës:
Ata që e përkujtojnë Zotin në këmbë,
ulur e shtrirë dhe mendojnë për krijimin e qiejve e të
tokës: "O Zoti ynë! Ti nuk e ke krijuar këtë
më kot. Lëvduar qofsh! Na ruaj nga dënimi i zjarrit!
{Kurani 3 : 191}
Si pasojë, për një musliman shfaqja e interesit për
shkencën përbën një formë shumë të
rëndësishme të adhurimit të Zotit. Në shumë
vargje të Kuranit, Zoti u mëson muslimanëve të hulumtojnë
qiejt, tokën, qeniet e gjalla apo vetë ekzistencën e tyre
dhe të mendojnë për to. Kur lexojmë ajetet kuranore,
ne gjejmë tregues të të gjitha degëve të shkencës.
Për shembull, Zoti në Kuran nxit zhvillimin e shkencës
së astronomisë:
Ai i krijoi qiejt një mbi një. Ti nuk do të
gjesh asnjë të metë në krijimin e të Gjithëmëshirshmit.
Vështro, pra, përsëri! A sheh ndonjë të çarë?
{Kurani 67 : 3}
Në Kuran, Zoti nxit, gjithashtu, studimin e botanikës:
Allahu është Ai që bën të zbresë
ujë nga qielli, me të cilin bëjmë të lindin lastarë
të çdo lloji. Prej tyre mundësojmë të lindë
bimësi e prej saj, grurë në kallinj e palma, nga lëpushat
e të cilave varen vile hurmash. E kopshte të mbjellë me
vreshta e ullinj e shegë, që ngjajnë por që janë
të ndryshëm nga njëri-tjetri. Vëzhgoi frutat tek formohen
e piqen! Ja, pra, shenja për njerëz që besojnë!
{Kurani 6 : 99}
Në një tjetër varg të Kuranit, Zoti tërheq vëmendjen
tek zoologjia:
Nga gjëja e gjallë, ju duhet të nxirrni
mësim...
{Kurani 16 : 66}
Ajeti i mëposhtëm është një varg kuranor që
ka lidhje me arkeologjinë dhe antropologjinë:
A nuk kanë udhëtuar në tokë dhe nuk
e kanë parë përfundimin e popujve të mëparshëm?
{Kurani 30 : 9}
Në një varg tjetër kuranor, Zoti tërheq vëmendjen
tek provat dhe argumentet ekzistencës së Zotit në trupin
e vetë njeriut:
Në tokë ka argumente të qarta për
ata që besojnë vendosmërisht. Edhe në vetveten tuaj,
gjithashtu, ka argumente. A nuk mendoni, pra?
{Kuran 51:20-21}
Siç mund të shohim, Zoti u rekomandon muslima-nëve në
Kuran të gjitha fushat dhe shkencat. Për këtë arsye,
rritja e ndikimit të Islamit në histori solli, në të
njëjtën kohë, edhe zhvillimin e njohurive shkencore.
RILIDNJA SHKENCORE E LINDJES SË MESME
Kur Profeti Muhamed (a.s.) filloi të predikonte Islamin, arabët
ishin një bashkësi fisesh të paditur e plot bestytni. Por,
falë dritës së shpalljes hyjnore, ata shpëtuan nga
bestytnitë dhe nisën të ndjekin udhën e arsyes. Si
rezultat, një nga zhvillimet më mahnitëse në historinë
botërore ndodhi në disa dhjetra vjet pas ardhjes së fesë
Islame, e cila lindi në qytezën e vogël të Medines
për t'u shpërndarë nga Afrika në Azinë qendrore.
Arabët, që më parë nuk mund të qeverisnin në
harmoni as edhe një qytet të vetëm, u bënë qeverisës
të një perandorie botërore. Një nga tiparet më
të rëndësishme të kësaj qeverisjeje ishte se
ajo siguroi bazën për një zhvillim shkencor të paparë
më parë në histori. Në një kohë kur Europa
përjetonte errësirën mesjetare, bota islame krijoi trashëgiminë
më të madhe të dijes shkencore që kishte njohur historia
deri në atë kohë. Shkencat e mjekësisë, gjeometrisë,
algjebrës, astronomisë dhe madje sociologjisë u zhvilluan
sistematikisht për herë të parë.
Qendrat e mëdha të mësimit fetar ishin, njëkohësisht,
qendra të dijes e të zhvillimit shkencor. Qendra të tilla
zyrtare filluan të hapen gjatë kohës së abasidëve
(750-1258 e.s.), kur u ngritën mijëra shkolla. Në shekullin
e dhjetë në Bagdad kishte më shumë se 300 shkolla.
Aleksandria e shekullit të katërmbëdhjetë kishte 12,000
studentë. Në shekullin e dhjetë u zhvillua në Bagdad
koncepti formal "medrese" (apo ndryshe- shkollë). Medreseja
kishte një kurrikulum dhe mësues që punonin me kohë
të plotë e të pjesshme. Prej andej u zhvilluan libraritë
(mektebet) dhe u përfituan librat e huaj. Dy nga libraritë më
të famshme ishin Bejtu'l-Hikme në Bagdad (rreth vitit 820) dhe
Daru'l-ilm në Kairo (rreth vitit 998). Universitete si El-Ez'heri
(969 e.s.) u ngritën shumë kohë përpara atyre
në Europë. Bota islame ngriti universitetet dhe madje spitalet
e para në botë.
Ky fakt mund të habisë shumë perëndimorë bashkëkohorë
që në përgjithësi, kanë një përfytyrim
krejt të ndryshëm për Islamin në mendjet e tyre, por
ai përfytyrim u lind nga padija për fillimet e historisë
dhe qytetërimit islam. Ata që u shpëtojnë kësaj
padijeje, si dhe disa paragjykimeve, njohin natyrën e vërtetë
të Islamit. Një shembull është dokumentari i fundit
i PBS-së, i titulluar "The Empire of Faith" (Perandoria
e besimit), në të cilin komentuesi pohon me të drejtë:
Në shpalosjen e historisë, qytetërimi islam ka qenë
një ndër arritjet më të mëdha të njerëzimit...
Për Perëndimin, shumë nga historia e Islamit është
errësuar pas një tisi frike dhe keqkutimi. Megjithatë,
historia e fshehur e Islamit është e ndërthuar thellë
dhe në mënyrë të çuditshme me qytetërimin
perëndimor... Ishin ata (dijetarët muslimanë) që hodhën
farërat e Rilindjes, 600 vjet përpara lindjes së Leonardo
da Vinçit. Nga mënyra se si i shërojmë të sëmurët
e deri te numrat që përdorim për numërim, kulturat
përreth globit kanë marrë formë nga qytetërimi
islam.
Në një artikull të botuar në Salon.com, një
zë i rëndësishëm i shquar i medias liberale amerikane,
shkrimtari Xhorxh Rafael, shkruan në një artikull të titulluar
"A Is For Arabs" (A-ja tregon arabët):
Nga algjebra dhe kafeja, te kitarrat, optika dhe universitetet...
Perëndimi u ka borxh njerëzve të Gjysmëhënës...
Një mijëvjeçar më parë, ndërsa Perëndimi
ishte zhytur në errësirë, Islami i gëzohej epokës
së artë. Ndriçimi në rrugët e Kordovës,
kur Londra ishte një guvë barbare; toleranca fetare në
Toledo, ndërsa pogromet bënin kërdinë nga Jorku në
Vjenë. Si mbrojtës të trashëgimisë klasike, arabët
ishin bashkëshortë të Rilindjes sonë. Ndikimi i tyre,
sado i huaj që mund të duket, mbetet gjithmonë pranë
nesh, pavarësisht nëse shprehet përmes një filxhani
me kafe të nxehtë apo përmes algoritmesh në programe
kompjuterike.
MENDJA E HAPUR E ISLAMIT
Ajo që i lejoi muslimanët të krijojnë një kulturë
shkencore kaq të përparuar rridhte nga karakteristikat e botëkuptimit
islam. Njëri prej tyre, siç kemi vërejtur më lart,
ishte motivi i të mësuarit mbi gjithësinë dhe natyrën
sipas parimeve kuranore. Një tjetër ishte edhe mendja e hapur.
Urtësia kuranore dhe mësimet profetike u jepnin muslimanëve
një vështrim global ndaj botës dhe i bënin që
t'i kapërcejnë barrierat kulturore. Në Kuran, Zoti shpall:
O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli
e një femre dhe ju ndamë në popuj e fise që të
njihni njëri-tjetrin..." {Kurani 49 : 13}
Ky varg nxit marrëdhëniet kulturore mes kombeve dhe bashkësive
të ndryshme. Në një varg tjetër të Kuranit thuhet
se "lindja e perëndimi i përkasin vetëm Allahut"
(2:115), prandaj muslimanët duhet ta shohin botën me një
vizion universal.
Thëniet e Profetit, gjithashtu, e mbështesin këtë
vizion. Në një hadith shumë të njohur, Profeti u thotë
muslimanëve se "dituria është si pasuria e humbur
e muslimanit; ai e merr atë kudo që e gjen". Kjo do të
thotë se muslimanët duhet të jenë shumë pragmatistë
e mendjehapur në përshtatjen dhe përdorimin e arritjeve
kulturore e shkencore të jomuslimanëve. Edhe jomuslimanët
janë, gjithashtu, krijesa të Zotit, megjithëse disa prej
tyre mund të mos e pranojnë këtë.
Në ngritjen e shkencës islame, roli i kësaj mendjeje të
hapur ka qenë shumë i qartë. Xhon Espozito, profesor në
universitetin e Xhorxhtaunit, një ndër ekspertët perëndimorë
të Islamit, bën komentin e mëposhtëm:
Zanafilla e qytetërimit islam ishte me të vërtetë
një përpjekje bashkëpunuese që mishëroi mësimet
dhe urtësinë e shumë kulturave dhe gjuhëve. Në
administrimin e qeverisjes, të krishterët e çifutët
që kishin qenë boshti intelektual dhe burokratik i perandorisë
bizantine, morën pjesë në proces njëlloj si muslimanët.
Kjo përpjekje ishte e dukshme në Shtëpinë e Diturisë
të Kalifit el-Memun, (i cili sundoi në vitet 813-833) dhe në
qendrën e përkthimit që kryesohej nga dijetari i njohur
Hunejn ibn Isak, një i krishterë nestorian. Kjo periudhë
përkthimi dhe përthithjeje u ndoq nga një krijimtari intelektuale
dhe artistike nga ana e muslimanëve, të cilët pushuan së
qeni çirakë dhe u bënë mjeshtra, në procesin
e prodhimit të qytetërimit islam, të mbizotëruar nga
gjuha arabe dhe nga këndvështrimi i Islamit për jetën...
Kontribute madhështore u dhanë në shumë fusha: letërsi
e filozofi, algjebër e gjeometri, shkencë e mjekësi, art
e arkitekturë... Qendra të mëdha urbane kulturore në
Kordovë, Bagdad, Kairo, Nishapur e Palermo u shfaqën dhe eklipsuan
Europën e krishterë, të mbetur në baltën e Mesjetës.
Sipas njërit nga studiuesit e mëdhenj muslimanë të
kohës sonë, Sejid Husejn Nasr, shkenca islame ishte "e
para shkencë e një natyre vërtet ndërkombëtare
në historinë njerëzore."
Duhet të kemi parasysh se muslimanët nuk mishëruan kulturat
e tjera, por zhvilluan një kulturë të tyren. Disa komentues
e lënë pas dore këtë të vërtetë dhe
përpiqen ta lidhin zhvillimin shkencor të muslimanëve me
ndikimin e Greqisë së Lashtë dhe Lindjes së Largët,
por burimi i vërtetë i shkencës islame ishte eksperimentimi
dhe vëzhgimet e shkencëtarëve muslimanë. Në librin
e tij "The Middle East" (Lindja e Mesme), profesori Bernard
Ljuis, një ekspert me famë në historinë e Lindjes
së Mesme, shpjegon si më poshtë:
Arritja e shkencës islame të Mesjetës nuk është
e kufizuar në ruajtjen e mësimit grek, as në mishërimin
e elementeve nga Lindja e Largët. Kjo trashëgimi që përcollën
shkencëtarët muslimanë të Mesjetës ishte pasuruar
pafundësisht nga përpjekjet dhe kontributi i tyre. Shkenca greke,
në tërësi, mbeti teorike. Shkenca mesjetare e Lindjes së
Mesme ishte praktike dhe në fusha të tilla si mjekësia,
kimia, astronomia dhe agronomia, trashëgimia klasike u qartësua
dhe u plotësua nga eksperimentet dhe vëzhgimet e shkencëtarëve
mesjetarë të Lindjes së Mesme.
Sikurse theksohet nga perëndimorët, kultura e përparuar
shkencore e botës islame i hapi rrugën Rilindjes Europiane.
Shkencëtarët muslimanë vepruan duke e ditur se hulumtimi
i krijimit hyjnor ishte një rrugë, nëpërmjet së
cilës ata do të mund të njihnin fuqinë e Zotit. Espozito
thekson se "shkencëtarët muslimanë, që ishin
shpesh edhe filozofë të mistikës e shihnin gjithësinë
fizike si një manifestim të pranisë së Zotit, Krijuesit
dhe burimit të njëshmërisë dhe harmonisë në
natyrë." Me ndjekjen e këtyre gjurmëve dhe me
grumbullimin e dijes në botën perëndimore, filloi përparimi
i Perëndimit.
PREJARDHJA TEISTE E SHKENCËS PERËNDIMORE
Europa mesjetare qeverisej nga regjimi dogmatik i Kishës Katolike,
e cila i kundërvihej lirisë së mendimit dhe ushtronte trysni
mbi shkencëtarët. Njerëzit mund të dënoheshin
nga Inkuizicioni thjesht për arsye se bartnin besime e ide të
ndryshme. Librat e tyre digjeshin dhe ata vetë ekzekutoheshin. Trysnia
mbi kërkimin shkencor në Mesjetë përshkruhet shpesh
në librat e historisë, por disa e interpretojnë gjendjen
në mënyrë të gabuar dhe pretendojnë se shkencëtarët
që iu kundërvunë Kishës ishin kundër fesë.
E vërteta është pikërisht e kundërta. Shkencëtarët
i kundërviheshin fanatizmit të Kishës, por ata ishin besimtarë.
Ata nuk ishin kundër fesë, por kundër klerit të ashpër
të asaj kohe. Për shembull, astronomi i famshëm Galileo,
që Kisha deshi ta dënonte për arsye se pretendonte që
toka rrotullohej, ka thënë:
"I kushtoj falenderime të pafund Zotit që u tregua
kaq bujar, sa të më bëjë mua të parin vëzhgues
të mrekullive që kishin mbetur të fshehura në shekujt
e mëparshëm."
Shkencëtarë të tjerë që themeluan shkencën
bashkëkohore shprehnin besim të gjithë. Kepleri, i njohur
si themeluesi i astronomisë bashkëkohore, u tha atyre që
e pyetën se pse e lodhte veten me shkencën:
Kisha për qëllim të bëhesha teolog... por tani
unë e shoh se Zoti, në përpjekjet e mia, është
i lëvduar edhe në astronomi, sepse 'qiejt shpallin lavdinë
e Zotit'.
Kurse Njutoni, një ndër shkencëtarët më të
mëdhenj në histori, sqaroi arsyet që qëndronin pas
zellit të tij për punën shkencore duke thënë:
"Ai (Zoti) është i përjetshëm dhe i pafund,
i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëditur; pra, vazhdimësia
e Tij mbërrin nga përjetësia në përjetësi;
prania e Tij, nga pafundësia në pafundësi; Ai sundon gjithçka
dhe di gjithçka që është ose që mund të
bëhet... Ne e njohim atë vetëm nga krijimi plot urtësi
e madhështi i sendeve... Ne e nderojmë dhe e adhurojmë
Atë si robër të Tij..."
Gjeniu i madh, Paskali, babai i matematikës së sotme, ka thënë:
"Përmes besimit ne njohim ekzistencën e Tij (Zotit);
në lavdi do ta njohim natyrën e Tij."
Shumë themelues të tjerë të shkencës bashkëkohore
perëndimore ishin, gjithashtu, besimtarë të patundur të
Zotit. Për shembull:
" Von Helmont, një ndër figurat
kryesore të kimisë bashkëkohore dhe shpikës i termotmetrit,
ka deklaruar se shkenca është pjesë e besimit.
" Xhorxh Kuvier, themelues i paleontologjisë
bashkëkohore, i shihte fosilet si prova të mbjetuara të
Krijimit dhe mësonte se qeniet e gjalla ishin krijuar nga Zoti.
" Karl Lineus, që sistematizoi
i pari klasifikimin shkencor, besonte në Krijim dhe deklaronte se
rregulli natyror ishte një provë domethënëse e ekzistencës
së Zotit.
" Gregor Mendel, themeluesi i gjenetikës,
një-kohësisht murg, besonte në Krijim dhe kundërshtonte
teoritë evolucionare të kohës, si atë të darvinit
dhe të lamarkut.
" Lui Paster, emri më i madh në
historinë e mikrobiologjisë, provoi se jeta nuk mund të
krijohej nga lëndë inerte dhe mësonte se jeta ishte një
mrekulli e Zotit.
" Maks Plank, fizikanti i famshëm
gjerman thosh-te se Krijuesi i gjithësisë ishte Zoti dhe theksonte
se besimi është një cilësi e nevojshme e shkencëtarëve.
" Albert Ajnshtain, i njohur si shkencëtari
më me famë i shekullit të 20-të, thoshte:
"Shkenca pa besimin në Zot është e çalë."
NGRITJA DHE RËNIA E SHMANGIES MATERIALISTE
Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte një kohë
që dëshmoi gabimet më të mëdha në historinë
njerëzore. Këto gabime nisën me imponimin e filozofisë
materialiste dhe mësimeve të lashta greke në mendimin europian.
Gabimi më i madh i kësaj periudhe ishte teoria e evolucionit
e Darvinit. Përpara lindjes së darvinizmit, biologjia ishte
pranuar si degë e shkencës që siguronte prova për
ekzistencën e Zotit. Në librin e tij, "Teologjia natyrore",
autori i famshëm Uilliam Palej thoshte se në të njëjtën
masë që një orë provon ekzistencën e orëbërësit,
planifikimet natyrore provojnë ekzistencën e Zotit.
Sidoqoftë, Darvini e hodhi tej këtë të vërtetë
me teorinë e tij të evolucionit. Duke shtrembëruar të
vërtetën për t'ia përshtatur filozofisë materialiste,
ai pretendoi se të gjitha gjallesat ishin pasojë e shkaqeve
natyrore. Në këtë mënyrë, ai krijoi një
antagonizëm artificial mes fesë dhe shkencës.
Në librin e tij, "Trashëgimia mesianike", autorët
anglezë Maikëll Baigent, Riçard Lei dhe Henri Linkoln
shprehen kështu në lidhje me këtë çështje:
Për Isak Njutonin, një shekull e gjysmë përpara
Darvinit, shkenca nuk ishte e ndarë nga feja, por përkundrazi,
një aspekt i fesë dhe synonte t'i shërbente asaj... Por
shkenca e kohës së Darvinit, duke u ndarë nga konteksti
brenda të cilit ekzistonte më parë, e ngriti veten si rivale
absolute, si një alternativë e kundërt mendimi. Për
pasojë, feja dhe shkenca u ndalën së bashkëpunuari
dhe iu kundërvunë njëra-tjetrës, ndërsa njerëzimi
u shtrëngua gjithmonë e më shumë që të zgjidhte
mes të dyjave.(11)
Jo vetëm biologjia, por edhe degët e shkencës si psikologjia
dhe sociologjia u thurën sipas filozofisë materialiste. Astronomia
u shtrembërua sipas dogmave materialiste të Greqisë së
lashtë pagane; një besim metafizik në një "kozmos
të përjetshëm" u shndërrua në normë.
Qëllimi i ri i shkencës ishte të konfirmonte filozofinë
materialiste.
Këto ide të pasakta e kanë zvarritur botën shkencore
gjatë 150 vjetëve të fundit në një rrugë
pa krye. Dhjetra e mijëra shkencëtarë nga degë të
ndryshme punuan me shpresën për të provuar vërtetësinë
e darvinizmit apo teorive të tjera materialiste.
Mirëpo atyre iu desh të zhgënjehen shumë. Provat
shkencore tregonin pikërisht të kundërtën e përfundimit
që ata donin të arrinin. Pra, ato provonin të vërtetën
e Krijimit. Sot, bota e shkencës është e mahnitur nga kjo
e vërtetë. Kur natyra merret në shqyrtim, del se ekziston
një planifikim e projektim në çdo hollësi dhe kjo
i ka rrënuar themelet e filozofisë materialiste.
Për shembull, ndërtimi i jashtëzakonshëm i ADN-së
u tregon shkencëtarëve se ajo nuk është pasojë
e rastësisë së verbër apo ligjeve natyrore. ADN-ja
e një qelizë të vetme njerëzore përmban informacion
të mjaftueshëm për të mbushur një enciklopedi
të tërë me 900 vëllime. Gen Mijers, një shkencëtar
i "Celera Company" që administron Projektin e Gjenomit
Njerëzor, thotë:
Ajo që më shtang mua është
arkitektura e jetës... Sistemi është tejet i ndërlikuar.
Është sikur të ishte projektuar... Ekziston një inteligjencë
e tërë aty. (12)
Kjo mahnitje ka ndikimin e saj mbi të gjithë botën shkencore.
Shkencëtarët po shohin me çudi pavlefshmërinë
e filozofisë materialiste dhe darvinizmit që ishin mësuar
t'i pranonin si të vërteta absolute, madje disa prej tyre po
e shprehin këtë hapur. Në librin e tij, "Kutia e zezë
Darvinit", biokimisti Maikëll Behe, një ndër kritikët
kryesorë të darvinizmit e përshkruan gjendjen e botës
shkencore si vijon:
Gjatë katër dekadave të shkuara, biokimia bashkëkohore
ka zbuluar të fshehtat e qelizës. Zhvillimi është
arritur me vështirësi të mëdha. Janë dashur dhjetra
mijëra njerëz që ia kanë kushtuar pjesën më
të madhe të jetës së tyre punës së lodhshme
në laboratore...
Rezultati i këtyre përpjekjeve akumuluese për të
vëzhguar qelizën, për të vëzhguar jetën
në nivelin molekular është një thirrje kumbuese, e
qartë, e përshkuese - "PROJEKTIM" ! Rezultati është
aq i padyshimtë dhe aq domethënës, saqë duhet të
radhitet ndër arritjet më të mëdha në historinë
e shkencës... Por as gotat nuk janë ngritur, as duart nuk janë
shtrënguar. Përse bashkësia shkencore nuk e përqafon
me dëshirë zbulimin e saj të bujshëm? Dilema është
se, ndërsa njëra anë [e çështjes] etiketohet
"projektim inteligjent", ana tjetër duhet të etiketohet
me emrin "Zot". (13)
E njëjta gjendje është edhe në astronomi. Astronomia
e shekullit XX ka rrëzuar teoritë materialiste të shekullit
XIX. Së pari, teoria e Big Bengut, nxori në pah se gjithësia
ka një fillim, një çast Krijimi. Që nga ajo kohë
është vënë re se në gjithësi ekziston një
ekuilibër i jashtëzakonshëm që mbron jetën njerëzore
- një koncept i njohur si parimi antropik.
Për këto arsye, në botën e fizikës dhe astronomisë
ateizmi është në rënie të shpejtë. Fizikanti
amerikan, Robert Grifiths, vëren me shpoti: "Nëse na nevojitet
ndonjë ateist për debat, unë shkoj te departamenti i filozofisë.
Departamenti i fizikës nuk më vjen fort në ndihmë
për këtë." (14)
Shkurt, në epokën tonë filozofia materialiste po rrënohet.
Shkenca po rizbulon disa të vërteta të rëndësishme,
të mohuara nga filozofia materialiste dhe, në këtë
mënyrë, një koncept i ri i shkencës po lind. Teoria
e "Projektimit Inteligjent", që ka njohur një rritje
të suksesshme në Shtetet e Bashkuara gjatë 10 viteve të
fundit, është një pjesë përbërëse dhe
kryesore e këtij koncepti të ri shkencor. Ata që e pranojnë
këtë teori, theksojnë se darvinizmi ishte gabimi më
i madh në historinë e shkencës dhe se ekziston një
projektim inteligjent në natyrë që sjell prova për
Krijimin.
PËRFUNDIM
Zoti krijoi mbarë gjithësinë dhe i gjithë krijimi
i tregon njeriut shenjat e Zotit. Shkenca është një mënyrë
për të hulumtuar çfarë është krijuar,
kështu që konflikti mes fesë dhe shkencës - me kushtin
që feja të jetë e orientuar vetëm nga shpallja hyjnore
- është jashtë diskutimit.
Përkundrazi, historia tregon se teizmi, jo ateizmi, ka qenë
motivi kryesor për zhvillimin shkencor. Dy arritjet më të
mëdha në historinë botërore - arritjet shkencore të
muslimanëve gjatë Mesjetës dhe hapi i madh shkencor në
kohën e sotme - i kanë rrënjët te besimi në Zot.
Për më tepër, këta të fundit huazuan shumë
nga dija, metoda dhe vizioni i të parëve. Urtësia e Kuranit
ndriçoi fillimisht botën islame dhe më pas përhapi
dritë edhe në Europën jomuslimane. Nëse diçka
shkoi keq në botën islame, kjo ndodhi, sepse muslimanët
nuk vazhduan të ndjekin me përpikmëri sinqeritetin, urtësinë
dhe pastërtinë e mësimeve hyjnore të Kuranit.
Shkenca do të kthehet në origjinën e saj autentike dhe
të vërtetë: kërkim për një zbulim dhe përkufizim
të planifikimit dhe harmonisë madhështore në botën
natyrore, e cila është vepër e krijimit të Zotit.
(1) Xhonatan Gruper, "Islam: Empire of Faith",
Dokumentar i "Gardner Films", në bashkëpunim me PBS,
2001
(2) Xhorxh Rafael, "A is for Arabs", www.Salon.com, 8 Janar,
2002;
http://www.salon.com/books/feature/2002/01/08/alphabet/
(3) Xhon L. Espozito, "Islam: The Straight Path", Oxford University
Press, 1991,
fq. 52-53
(4) Cituar në "Weiss and Green", fq. 187
(5) Bernard Ljuis, "The Middle East", 1998, fq. 266
(6) Xhon L. Esposito, "Islam: The Straight Path", f. 54
(7) Galileo Galilei, cituar në: Majk Uilson, "The Foolishness
of the Cross",
Focus Magazine
(8) Xhohanes Kepler, cituar në: J.H. Tiner, "Johannes Kepler,
Giant of Faith and
Science" (Milford, Miçigan: Mott Media, 1977), fq. 197
(9) Sir Isak Njuton, "Mathematical Principles of Natural Philosophy",
Translated
by Andru Mot, Revised by Florian Kaxhore, Great Books of the Western World
34,
Robert Majnard Hatçins, kryeredaktor, Uilliam Benton, Çikago,
1952:273-74
(10) Paskal, "Pensees", No. 233
(11) Maikëll Baigent, Riçard Lei, Henri Linkoln, "The
Messianic Legacy", Gorgi
Books, London: 1991, fq.177-178
(12) San Francisco Chronicle, 19 February, 2001
(13) Maikëll J.Behe, "Darwin's Black Box", New York: Free
Press, 1996, fq. 231-232
(14) Hug Ross, "The Creator and the Cosmos", f. 123
|