Faqja kryesore Rreth kėsaj faqe Kontakt
MARRJA E KUR’ANIT SI UDHËRRËFYES - Harun Yahya

MARRJA E KUR’ANIT SI UDHĖRRĖFYES

(Thuaj) “A pos All-llahut tė kėrkoj unė gjykatės (mes meje dhe juve)? Kur Ai ėshtė qė ua zbriti Librin qė qartėson ēdo gjė?” Atyre qė u dhamė Librin e dinė se ai (Kur'ani) ėshtė i zbritur prej Zotit tėnd saktėsisht, pra assesi mos u bė prej atyre qė dyshojnė.
(Sure En’am: 114)



ALLAHU KA PREMTUAR SE DO TA MBROJË KUR’ANIN

Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur'anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij. (Sure Hixhr: 9)

 Njëra prej vetive më të rëndësishme të Kur’anit është se ka arritur tek ne në po atë formë në të cilën iu shpall Profetit tonë (saas). Në: “Ne e zbritëm Përkujtuesin, dhe Ne do ta mbrojmë atë” (Sure Hixhr: 9), Allahu premtoi se do ta mbrojë atë.

Shkrimet Hyjnore që u shpallën para Islamit humbën format e tyre origjinale me kalimin e kohës; ata janë ose të mangëta ose nuk janë plotësisht të sakta. Mirëpo, në rastin e Kur’anit, Allahu vendosi shpalljet në kujtesën e Profetit tonë (saas). Veç kësaj, pasiqë ai pranoi secilën shpallje, Profeti (saas) u tha Shoqëruesve të tij të shumtë t’i shkruajnë ato, duke siguruar në këtë mënyrë ruajtjen e tij në formën e tij origjinale tekstuale. Kalifi Ebu Bekër (632-634) e kishte grumbulluar Kur’anin në një kopje të vetme, dhe Kalifi Uthman (644-656) dërgoi kopjet e tij në qytetet e rëndësishme Islamike. Vargjet në vijim shpjegojnë mënyrën se si Profeti jonë (saas) u përpoq të mbaj në mend shpalljet dhe mënyrën se si Allahu i ndihmoi atij ta bëjë këtë:

Ti (Muhammed) mos shqipto atë (Kur'anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij. E kur ta lexojnë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij. Dhe pastaj është obligim i Yni që ta shpjegojmë atë. (Sure Kijame: 16-19)

Siç pohohet në këto vargje, Profeti jonë (saas) e mbajti në mend Kur’anin në mënyrë unike, sepse Allahu i rrënjosi vargjet e tij në mendjen e tij. Meqenëse Shoqëruesit e tij i shkruajtën të gjitha gjersa ai ishte ende gjallë, në pajtim me premtimin e Tij, secila prej shkronjave të tij ka mbetur e pandryshuar që nga fillimi i shpalljes së tij mbi 1,400 vjet më parë. Prandaj, shpallja e Allahut ka mbijetuar e paprekur deri në ditët tona.

Mungesa në Kur’an e çfarëdo kundërthënie dhe mospajtimi të brendshëm poashtu tregon se është prej Allahut dhe është imun ndaj ndryshimeve. Kur’ani është nga brenda i qëndrueshëm dhe në harmoni të plotë me zhvillimet historike dhe zbulimet shkencore. Kjo veti është aq e sigurt dhe e qartë sa që Zoti ynë pohoi:

A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie. (Sure Nisa: 82)

Shumë kundërthënie mund të gjehen në librat e zakonshëm. Mirëpo, çdo fjalë e Kur’anit është në harmoni të plotë me të tjerat. Veç kësaj, Kur’ani ofron informacion për gjeneratat e mëparshme, komunitetet, format e ndryshme të administrimit, strategjitë ushtarake dhe për shumë çështje tjera, si edhe për ngjarjet e të kaluarës dhe të ardhmës. Kur’ani është gjithashtu në harmoni absolute me faktet historike si edhe me të gjitha zhvillimet që ndodhën pas shpalljes së tij. Për shembull, vargjet e para të Sures Rum (Perandoria Bizantine) shpallin se Perandoria Bizantine do të pësonte një disfatë të rëndë, por megjithatë do të ishte fitimtare pak kohë pas kësaj, si vijon:

Elif, Lamë, Mimë. Bizantinët (Romakët) u mundën, në tokën më të ulët, por pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve. Çështja është vendim i All-llahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore). (Sure Rum: 1-4)

Këto vargje u shpallën rreth vitit 620, gadi 7 vjet pasiqë Persianët idhujtarë mposhtën Bizantinët e Krishterë. Në të vërtetë, Bizanti ishte mposhtur aq rëndë sa që vet mbijetesa e tij ishte në pikëpyetje. Pra fitorja e parashikuar e tij dukej e pamundshme për shumë njerëz, duke përfshirë Arabët politeist.

Në Dhjetor të vitit 627, perandoritë Bizantine dhe Persiane zhvilluan një betejë vendimtare në Nineveh. Këtë herë, Bizantinët papritur mposhtën Persianët. Disa muaj më vonë, Persianët u detyruan ta bëjnë një marrëveshje me Bizantin, e cila i obligonte ata t’i kthejnë territoret e Bizantit. Në fund, “fitorja e Romakëve” që Allahu e premtoi në mënyrë të mrekullueshme u realizua. Ky shembull i vetëm ofron dëshmi se Kur’ani është Fjala e Allahut.

Një veti tjetër e Kur’anit është se ai përmban fakte kyçe në lidhje me shumë çështje (për shembull, për astronomi, fizikë dhe biologji), në një kohë kur njerëzit kishin shumë pak dijeni për gjëra të tilla. Kur’ani iu shpall banorëve të shekullit të shtatë të Arabisë, shoqëria e të cilëve përmbante shumë besime paragjykuese dhe të pabaza që merreshin si “shkencore.” Duke mos pasur teknologjinë për ta studiuar gjithësinë dhe natyrën, ata besonin në legjenda të trashëguara prej gjeneratave të kaluara. Për shembull, ata mendonin se mallet mbështetnin qiellin, se Toka ishte e rrafshët dhe kishte male të larta në të dy skajet e saj dhe se këto male shërbenin si shtylla për të mbajtur kupën qiellore lart mbi kokat e tyre. Kur’ani mënjanoi paragjykimet/bestytnitë e tilla, siç lexojmë në:

All-llahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë. Ju i shihni ato… (Sure Rra’d: 2)

Disa të vërteta shkencore vetëm tani së voni të zbuluara me anë të teknologjisë u shpallën në Kur’an 1,400 vjet më parë. Faktet e tilla janë dëshmi tjera se Kur’ani është Fjala e Allahut (Për informacion më të hollësishëm, shiko Mrekullitë e Kur’anit të Harun Jahjasë, Botimet e Al-Attique të vitit 2000)

Kur’ani është i shkruar në një gjuhë me një bukuri dhe pasuri të pakrahasueshme sa që ia kalon të folurit e rëndomtë. Në kohën e shpalljes së tij, poetët Arab garonin me njëri tjetrin për të krijuar veprat më të mira letrare. Mirëpo, stili në mënyrë unike i bukur i Kur’anit fitoi admirimin e tyre dhe nuk mund e të mos pranonin natyrën e tij të mrekullueshme në kuptimin letrar.

Nëse e lëmë këtë anash, një kod matematikor i ndërlikuar, fare i pakapshëm për inteligjencën njerëzore, është i rrënjosur në ndërtimin e Kur’anit. Disa fjalë të lidhura përsëriten në numër të njëjtë në Kur’an. Për shembull: fjala ditë përsëritet 365 herë, ditët përsëritet 30 herë, muaji përsëritet 12 herë, shejtan dhe engjull përsëritet 88 herë, bota/dynjaja dhe jeta e përtejme/ahireti përsëriten 115 herë, vera-nxehtësia dhe dimri-të ftohtit përsëriten 5 herë, ndëshkimi përsëritet 117 herë, falja përsëritet 234 herë (dyfishi i fjalës ndëshkim), pasuria përsëritet 26 herë dhe varfëria përsëritet 13 herë.

Fakte të tilla qartë tregojnë se Kur’ani është Fjala e Allahut, jo e njerëzimit. Ajo është shpallje e Allahut Profetit Muhammed (saas) dhe ka mbetur e pandryshuar që prej se u shpall.

Allahu shpreh këtë veti superiore si vijon:

E në qoftë se dyshoni në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit Tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme me të (Kur'anin) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur'ani nuk është prej Zotit). E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmën), atëherë ruajuni Zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët. (Sure Bekare: 23-24)

Thuaj: "Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë të ngjashëm me Kur'anin, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që do ta ndihmonin njëri - tjetrin". (Sure Isra: 88) 

ALLAHU ËSHTË I VETMI GJYKUES

A thua mos po kërkojnë gjykimin e Kohës së Injorancës? Po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i All-llahut? (Sure Maide: 50)

       Të Dërguarit e Allahut dhe Kur’ani janë udhëzuesit e vetëm për besimtarët, siç lexojmë në:

“Thuaj: ‘A të kërkojë Zot tjetër pos All-llahut, e Ai është Zot i çdo sendi?’” (Sure En’am: 164)

Mirëpo, mosbesimtarët gjejnë dhe pasojnë udhëzues dhe udhëheqës tjerë pos Allahut, ndjekin ideologji dhe lëvizje të padrejta dhe kështu jetojnë në lajthitje të plotë. Por, kur vdesin dhe shohin mundimin e përjetshëm të Ferrit (Xhehenemit), do ta pranojnë këtë mashtrim të madh: “Dhe thonë: ‘Zoti ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tonë dhe të parët tonë, por ata na shmangën nga Rruga e Drejtë’” (Sure Ahzab: 67) dhe shfaqin pendimin e tyre.

Faktorët që përcaktojnë qëndrimet dhe besimet e shumicës së këtyre njerëzve, të cilët shtiren si të paditur për atë që do t’u ndodhë atyre pas vdekjes, janë rregullat, parimet dhe zakonet e shoqërisë. Duke i pasuar paraardhësit e tyre, shoqërinë që i rrethon apo udhëheqësit e tyre, këta njerëz devijojnë, sepse çdo mendim apo qëndrim që nuk është në pajtim me Kur’anin është i mangët.

Besimtarët, në anën tjetër, veprojnë në përputhje me urdhërat e Allahut dhe me përpikmëri ju shmangen të gjitha mendimeve dhe qëndrimeve të ndaluara, pa marrë parasysh kohën dhe vendin. Kurdo që bëjnë diçka apo sjellin një vendim, ata i referohen Kur’anit dhe Sunnetit të Profetit tonë (saas) dhe marrin parasysh urdhërin e Allahut në lidhje me atë situatë të veçantë. Ata sillen në pajtim me urdhërat e Kur’anit dhe jo në pajtim me trillet dhe dëshirat e tyre, zakonet e padrejta shoqërore apo zakonet e trashëguara. Vërtet, Allahu u thot besimtarëve:

Dhe ky është Libër dobiprurës që Ne e zbritëm, përmbajuni atij dhe ruajuni ashtu që të mëshiroheni. (Sure En’am: 155)

Ata që nuk e pranojnë Allahun si Gjykatësin e vetëm, që u kundërvihen urdhërave të Tij apo sajojnë gjykime të tjera pos të Tij devijojnë nga rruga e drejtë. Ata i konsiderojnë normat dhe zakonet e shoqërive të tyre më të shtrenjta se urdhërat e Allahut dhe qëndrojnë këmbëngulës dhe të paepur në këtë qëndrim. Edhepse ndërgjegja e tyre pranon këtë të vërtetë, ata refuzojnë urdhërat e Allahut nga mendjemadhësia dhe fanatizmi. Në Kur’an, Allahu na njofton për njerëz të tillë, si vijon:

E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): "Pranoni atë që All-llahu e shpalli," ata thonë: "Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë." Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t'i pasonin)? (Sure Bekare: 170)

Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje Paralajmërues (Pejgamber) në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e pasur e tij: "Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre." Thuaj: "A edhe nëse ju kam sjell rrugë më të mirë nga ajo që i gjetët të parët tuaj?" Ata thonë: "Ne nuk i besojmë asaj me çka ju jeni dërguar!" (Sure Zukhruf: 23-24)

       Ky qëndrim vetëm se pengon njerëzit të përqafojnë Islamin dhe të besojnë në Allahun. Për shembull, Faraoni dhe krerët e popullit të tij thanë: "A keni ardhur te ne të na largoni nga ajo që adhuruan baballarët tonë dhe të bëheni sundues në tokë? Ne nuk ju besojmë. (Sure Jusuf: 78), kur Profeti Musa (as) dhe vëllau i tij Profeti Harun (as) i thirrën ata që të adhurojnë Allahun dhe t’i nënshtrohen Atij.

Në të njëjtën mënyrë, populli i Profetit Shuajb (as) pyeti: "O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që adhuruan prindërit tonë, ose të mos punojmë me pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë?” (Sure Hud: 87), dhe pastaj kundërshtuan. Siç pohojnë këto vargje, njerëzit e thirrur në rrugën e Allahut nga ana e Profetëve gjithmonë përgjigjen: “Argumenti juaj nuk është në pajtim me rrugën që baballarët dhe stërgjyshërit tonë pasuan.”

Në çdo kohë, njerëzit reaguan ndaj udhëzimeve të Profetëve me armiqësi dhe kundërshtim dhe këmbëngulën në qëndrimin e tyre. Pra, të gjithë Profetët thirrën njerëzit të adhurojnë Allahu, t’i nënshtrohen Atij, ta pasojnë në mënyrë të sinqertë fenë e Tij dhe ta adhurojnë vetëm Atë duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Tij.

Profeti jonë (saas) gjithashtu i thirri njerëzit t’i nënshtrohen vetëm Allahut dhe t’i binden urdhërave të Tij. Kur’ani na tregon se në Ditën e Gjykimit, njerëzit do të jenë përgjegjës për bindjen apo mosbindjen ndaj urdhërave të Allahut. Në Kur’an, Allahu paralajmëron ata të cilët adhurojnë zotëra tjerë përveç Tij dhe sajojnë religjion të ri të shtrembëruar duke u mbështetur në trillet e tyre me këto fjalë:

A mos kanë ata ortakë (zotëra ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi All-llahu? Po, sikur të mos ishte fjala vendimtare (e All-llahut që shpërblimi dhe ndëshkimi të jenë në ahiret), do të kryhej dënimi mbi ta, e megjithatë, mohuesit do të kenë dënim të dhimbshëm. (Sure Shura: 21)

Në një varg tjetër, Zoti ynë urdhëron:

Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne ta shpallëm Librin, i cili u lexohet atyre? E s'ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëz që duan të besojnë". (Sure Ankebut: 51)

Siç pohojnë këto vargje, disa prej atyre që refuzojnë udhëzimin e të Dërguarve bëjnë ashtu në emër të feve të rrejshme të sajuara nga njeriu dhe akuzojnë të Dërguarit për shtrembërim të kësaj feje. Ndryshe, duke e konsideruar argumentin e Allahut dhe të Dërguarin e Tij si të pamjaftueshëm, ata sajojnë fe të rrejshme. Mirëpo, qëndron fakti se Kur’ani që na e zbriti Allahu mjafton për njerëzit.

Besimtarët nuk merakosen për besimin dhe praktikat e lidhura me besimin e njerëzve tjerë, sepse ata i kushtojnë vëmendje vetëm urdhërave të Allahut dhe zakoneve të Profetit tonë (saas). Shpallja e Kur’anit u dha fund besimeve dhe praktikave të padrejta të shumë njerëzve. Profeti ynë (saas), që nuk përfilli akuzat dhe armiqësinë e njerëzve, u mbështet fuqishëm në Allahun dhe Kur’anin. Në ditët tona, besimtarët duhet të mbështeten fuqishëm në Allahun, Kur’anin dhe Sunnetin e Profetit tonë (saas) dhe kurrë të mos kërkojnë rrugë tjetër pos asaj të Kur’anit.

Praktikat e shumicës së njerëzve janë kryesisht të mangëta

Njëra prej ideve të gabuara më të mëdha e atyre që pasojnë mendimin e shumicës, që nuk përfillin vendimet e Allahut dhe kështu janë larg prej vlerave të Islamit është besimi i gabuar që “shumica gjithmonë përfaqëson të vërtetën.” Siç lexojmë në Kur’an, shumica e njerëzve nuk janë në rrugë të drejtë: Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e All-llahut. Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëm se rrenacakë. (Sure En’am: 116).

Poqese vendimet e shumicës nuk janë në pajtim me Kur’anin, ato nuk pasqyrojnë të vërtetën, sepse natyra e drejtë e një lëvizjeje nuk përcaktohet prej asaj se sa njerëz e pasojnë atë. Ky varg poashtu pohon se mendimet e shumicës së njerëzve mbështeten në supozime dhe prandaj largojnë shumë njerëz nga rruga e drejtë.

Largimi nga urdhërat e Allahut për t’iu bashkangjitur vendimeve të shumicës i bën ata humbës si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, sepse ata mbeten krejtësisht të vetmuar: “Ata shkatërruan vetveten dhe u shkoi huq trillimi që e bënin.” (Sure A’raf: 53). Ndërrimi i shpalljes së Allahut me një trillim bën që njerëzit të vuajnë zhgënjim të madh:

E kush është më mizor se ai që trillon për All-llahun? Të tillët paraqiten para Zotit të tyre, e dëshmitarët thonë: "Këta ishin të cilët gënjyen ndaj Zotit të tyre, pra mallkimi i All-llahut qoftë kundër mizorëve!" (Sure Hud: 18)

E kush është më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj All-llahut, ose përgënjeshtron të vërtetën pasi t'i ketë ardhur ajo? Po, a nuk është Xhehennemi vend për jobesimtarët? (Sure Ankebut: 68)

       Në anën tjetër, besimtarët i nënshtrohen sinqerisht urdhërit të Allahut. Përsosmëria morale pasuese e tyre shpjegohet në vargjet në vijim:

Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e vet çdo send, ne ju kemi mbështetur All-llahut. Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin tënd të drejtë, se Ti je më i miri gjykatës. (Sure A’raf: 89)

Unë nuk mund të largoj prej jush asnjë send nga caktimi i All-llahut, vendimi nuk është i tjetërkujt vetëm i All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t'i mbështeten ata që besuan. (Sure Jusuf: 67)

Thuaj: "O All-llah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës edhe i të dukshmës, Ti je që gjykon mes robërve Tu për atë që ata kundërshtoheshin". (Sure Zumer: 46)